Eksportet, Janar-nëntor 2013
Për periudhën janar-nëntor 2013, kompanitë shqiptare kanë shitur jashtë vendit rreth 224 miliardë lekë, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë, duke ngadalësuar ritmet e rritjes për herë të parë gjatë këtij viti dhe duke dhënë sinjalet e para se eksportet mund të mos kenë një tendencë kaq positive vitin e ardhshëm. Për 10 mujorin, eksportet ishin rritur me 16% me bazë vjetore. Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT.
Materialet e ndërtimit, kanë vijuar tendencën e tyre rënëse, ndërkohë që grupmallrat “minerale, lëndë djegëse e energji” si dhe “tekstilet e këpucët” kanë vijuar me ecurinë e tyre pozitive, ndonëse eksportet e mineraleve,lëndëve djegëse e energjisë kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes, duke dhënë ndikimin kryesor në ecurinë më të ngadaltë të eksporteve në total.
Eksportet e “minerale, Lëndë djegëse e energji” u rritën me 31% për janar-nëntor 2013 (nga rreth 35% që ishte rritja për 10 mujorin), duke arritur në 91 miliardë lekë dhe duke përbërë zërin kryesor të eksporteve vendase, me rreth 40% të totalit. Prej dy vitesh ky grup-mall po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania Bankers Petroleum. Megjithatë, ritmet e rritjes së këtij grupmalli u ngadalësuan për 11 mujorin, duke nxjerrë në pah strukturën e paqëndrueshme të eksporteve tona, që janë tepër të varura nga shitja e pasurisë kombëtare të papërpunuar jashtë vendit.
Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë vijuar me tendencën pozitive të këtij viti, pas rënies prej rreth 4% me bazë vjetore vitin e kaluar. Për periudhën janar-nëntor 2013, ato u rritën me 11.5% në rreth 64 miliardë lekë, duke përbërë 29% të totalit të eksporteve dhe duke përmirësuar vazhdimisht ritmet e rritjes përgjatë muajve të fundit. Shtimi i porosive nga partnerët italianë, që po largohen nga Kina dhe Lindja e Mesme, në përpjekje për të qenë më eficientë, ka ndikuar në përmirësimin e sektorit të fasonit, ku rritjen më të madhe po e shënojnë eksportuesit e këpucëve.
Eksportet e materialeve të ndërtimit e metaleve ranë me 13% me bazë vjetore në 32 miliardë lekë për periudhën janar-nëntor. Që nga maji, ky grupmall ka njohur vetëm rënie, kryesisht si rrjedhojë e performancës negative të tullave drejt Kosovës dhe çelikut.
Burimi: INSTAT