Ja përse po i vjen fundi kapitalizmit
Ekuacioni i ekonomisë së tregut dhe të mirave të shpërndara nuk vlen më, është pakënaqësia e klasës së mesme ajo që rrezikon të kërcënojë sistemin. Por, a po vjen vërtet fundi i kapitalizmit si ne e njohim? Simptomat që sistemi është sëmurë, ekzistojë. Kriza ekonomike që ka pllakosur shumicën e vendeve të zhvilluara është vetëm një prej shkaqeve. Ndonjëherë, ne harrojmë se shkaku i këtyre viteve të vështira nuk kanë qenë luftërat ose ngjarjet e rëndësishme, siç ka ndodhur në krizat e kaluara, por mbiekspozimi ndaj borxhit të disa kompanive të SHBA-së.
Problemi është se nga kriza po dilet me një model që nuk duket se po sjell më benefitet që ekonomia kapitaliste kishte garantuar në të kaluarën dhe që e kishte shndërruar në një “armë vdekjeprurëse”, me të cilën demokracitë e përparuara perëndimore fituan Luftën e Ftohtë me diktaturën komuniste.
Në përgjithësi, funksionimi i kapitalizmit modern nuk perceptohet më në gjendje për të përhapur pasuri në mënyrë të barabartë. Rimëkëmbja ekonomike duket se është në të mirë të një elite gjithnjë e më të kufizuar: një fenomen që dikur vlente vetëm për ekonomitë në zhvillim ose ato të ashtuquajturat “socializmi i tregut”, ndërsa sot duket se karakterizon edhe vendet me tradita më të ndryshme. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dëme që kanë ardhur si pasojë e grumbullimit të prodhimit me ndikime të larta në mjedis, të ardhurat e të cilëve përqendrohen në duart e një pakice, ndërsa efektet i prekin të gjithë. Në lojë janë kushtet e klasës së mesme, e cila ka qenë historikisht boshti i fuqisë së shteteve të mëdha perëndimore.
Varfërimi i klasës së mesme ka ardhur si rezultat i një rishpërndarje progresive të të ardhurave në favor të një minorance shumë të pasur, kjo është një çështje globale dhe fizikisht e prekshme. Për këtë mjafton që t’i hidhni një sy lagjeve qendrore të qyteteve të mëdha të Europës dhe SHBA-së, ku dikur banonin mjekët, mësuesit dhe biznesmenët, ndërsa tani e drejta ekskluzive i takon elitës së financës ndërkombëtare, të cilët kanë “zaptuar” edhe ishujt e luksit ekstrem, janë të paarritshmit ata të cilët kanë bërë një karrierë të madhe profesionale. Ose edhe te dyqanet e markave të mëdha të modës ku shiten veshje me çmime të barabarta me pagën vjetore të një avokati të provincës. Kush e mendon në të njëjtën mënyrë, nuk është më një zë jashtë korit antisistem. Në botë, manifestimet që kërkojnë një kapitalizëm më të ekuilibruar dhe për një zhvillim social më të qëndrueshëm nuk merren më në konsideratë, por në një të ardhme të afërt, ato mund të zënë një peshë të rëndësishme në politikën e ardhshme. Nga ana tjetër, bëhet fjalë për një qëndrim që vlerësohet edhe nga drejtuesit e korporatave të mëdha financiare: siç është rasti i Dominic Barto, drejtues i kompanisë ndërkombëtare “McKinsey”, sipas të cilit, rritja e fuqisë e ka bërë kapitalizmin më pak përfshirës sesa ishte disa dekada më parë, siç ishte reduktimi i përgjegjësisë sociale që ishte një ndër aspektet më pozitivë. E pra, ose duhet të kthehemi në antikitet ose atëherë kur kishte vlerë ekuacioni mes ekonomisë së tregut dhe prosperitetit, në të kundërt pakënaqësia e klasës së mesme mund ta dëmtojë sistemin dhe kjo mund të kthehet në një hipotezë konkrete.