Standardet e kredisë për individë, T I 2014
Në tremujorin e parë të vitit 2014, bankat shprehen për lehtësim të standardeve të kreditimit për kredinë e dhënë për individë, ndonëse në një masë më të vogël krahasuar me tremujorin e kaluar. Përqindja neto e bankave që shprehen për lehtësim të standardeve rezultoi +3.1%, rreth 7.7 p.p më pak së në fund të vitit 2014. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, lehtësimi i kredisë u ndje për kredinë konsumatore, ndërkohë që standardet e kredive me qëllim financimin e blerjes së banesës u shtrënguan në tremujorin në analizë. Balancat përkatëse shënuan vlerat +6.5% dhe -9.6%, nga q +8.3% dhe +10.8%. Për tremujorin e dytë të vitit, bankat presin lehtësim të mëtejshëm të standardeve të kreditimit, si për blerje banese ashtu dhe për financim të konsumit.
Faktorët që kontribuuan në lehtësimin e standardeve gjatë tremujorit të parë, ishin gjendja e likuiditetit, mjaftueshmëria e kapitalit të bankës, dhe niveli i konkurrencës. Nga ana tjetër, faktorët që dhanë kontribut në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë dhënë individëve vijojnë të mbeten edhe gjatë këtij tremujori: niveli i huave me probleme, gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
Procedurat lehtësuese të bankave lidhur me kredinë dhënë individëve u zbatuan kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar të kredive, rritjes së madhësisë së kredisë dhe rritjes së raportit të këstit të kredisë ndaj të ardhurave të individëve. Nga ana tjetër, bankat kanë zgjeruar marzhin për kreditë me rrezik, si dhe kanë rritur kërkesën për kolateral, në krahasim me madhësinë e huasë.
Kërkesa e individëve për kredi u vlerësua me një rritje të lehtë nga bankat, në tremujorin e parë të vitit 2014. Përqindja neto e bankave që kanë perceptuar rritje të kërkesës së individëve është +0.5 %, në ngadalësim më atë të rezultuar në tremujorin e kaluar +3.7%. Bankat presin rritje të kërkesës në tremujorin e dytë të vitit 2014.
Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, bankat raportojnë kërkesë në rritje për kredinë konsumatore, për të katërtin tremujor rresht, por kërkesë në rënie për kredinë për blerje banese. Balanca e kësaj të fundit shënon nivelin -8.7%, në përkeqësim nga tremujori i kaluar ku balanca shënoi nivelin –2.2%.
Kërkesa për të marrë kredi është nxitur jo vetëm nga nevoja e familjarëve për të financuar konsumin dhe banesën, por edhe nga kushtet e kreditimit të aplikuara nga banka dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, zhvillimet pozitive në tregun e pasurive të paluajtshme janë raportuar të kenë dhënë kontribut të ulët por pozitiv në kërkesë. Besimi konsumator dha një kontribut të ulët por negativ në kërkesën e konsumatorëve për të marrë një kredi.
Burimi: Banka e Shqipërisë