Statistika/ Eksportet janar-qershor 2014
Eksportet u rritën me 10.3% për periudhën janar-qershor 2014, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, duke ngadalësuar ritmet në raport me pesëmujorin, kur rritja ishte 10.6% dhe katërmujorin, kur u zgjeruan me 11.2%. në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet janë ngadalësuar ndjeshëm, teksa për 6 mujorin e parë 2013 ato ishin zgjeruar me 17.3% me bazë vjetore, sipas INSTAT.
Tekstilet dhe këpucët janë grupmalli që po mbajnë peshën kryesore në performancën pozitive të eksporteve këtë vit (duke ndikuar në 79% të rritjes përgjashtë mujorin), ndryshe nga lëndët djegëse e energjia, që kanë shënuar rënie.
Sipas statistikave, eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 47.1 miliardë lekë për periudhën janar-qershor, duke rënë me 3.3% në krahasim me gjashtëmujorin e vitit të kaluar.
Ky grup po shfaq një ecuri tepër negative këtë vit, ndryshe nga 2013-a, kur eksportet e lëndëve djegëse, mineraleve e energjisë u rritën me ritme dyshifrore, duke udhëhequr gjithë eksportet shqiptare. Rënia e eksporteve të energjisë nga moti i thatë dhe tkurrja e eksporteve nga kompanitë nxjerrëse të naftës janë arsyet kryesore të kësaj tendence negative. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ra nga 41% në qershor 2013, në 36% në qershor 2014.
Industria e tekstileve e këpucëve vijoi rritjen e lartë u zgjeruar ndjeshëm me 28.2% me bazë vjetore për gjashtë muajt e parë të vitit, për të arritur në rreth 43.3 miliardë lekë, duke qenë grupmalli i dytë më i eksportuar në vend, me 33% të totalit, pasi “mineralet, lëndët djegëse dhe energjinë”, që vijon ende të ruajë vendin e parë.
Sipërmarrjet vendase të tekstileve e këpucëve po i gëzohen së fundmi shtimit të porosive nga partnerët italianë, që po i largohen Kinës e Lindjes së Mesme. Industria ka tërhequr së fundmi dhe interesin e qeverisë, që po punon për një paketë të veçantë masash nxitëse për këtë sektor.
Eksportet e materialeve të ndërtimit arritën në 18.4 miliardë lekë, duke rimarrë veten dhe duke u zgjeruar me rreth 8.7% për gjashtëmujorin.
Grupmallrat e tjerë, ndonëse me një peshë të vogël në totalin eksporteve, kanë shfaqur ecuri pozitive, ku veçohen ushqimet, pijet dhe duhani, shitjet e të cilave jashtë vendit u rritën me 14.7% (duke ngadalësuar gjithsesi ndjeshëm ritmet në raport me pesëmujorin, kur u zgjeruan me 24%), dhe ato të “prodhime druri dhe letre”, që u zgjeruan me 41%. Rritja e eksporteve të prodhimeve të drurit e letrës ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të aktivitetit të kompanisë me qendër në Berat “Center shqiptare”, e cila prodhon çanta letre për tregjet e huaj. Sipas të dhënave për Monitor nga Doganat, kjo kompani i ka rritur ndjeshëm eksportet në muaj e parë të këtij viti.
Burimi: INSTAT