Statistika/ Importet, 6 mujori I 2014
Importet u rritën me 10.3% me bazë vjetore për gjashtëmujorin e parë të vitit, në 258 miliardë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, duke dhënë sinjale për një rigjallërim të konsumit dhe investimeve në vend. Gjatë gjithë vitit 2013, importet u tkurrën me rreth 2%, një tregues i qartë i frenimit të konsumit dhe investimeve.
Importet po përshpejtojnë ritmet e rritjes, teksa për pesëmujorin ato ishin zgjeruar me 8.7%. Nga ana tjetër, me eksportet që po ngadalësohen,deficiti tregtar po përkeqësohet sërish pas një përmirësimi në 2013-n, duke u rritur me 10.4% në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Pothuajse të gjitha grupmallrat kryesore shënuan rritje me bazë vjetore për periudhën janar-qershor.
Importet e mineraleve, lëndëve djegëse, energjisë u zgjeruan me 8.6%, në rreth 45.2 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e blerjeve të energjisë jashtë vendit.
Importet e makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i shtimit të investimeve në ekonomi, u shtuan me rreth 9.5% në rreth 44.9 miliardë lekë.
Importet e tekstileve e këpucëve u zgjeruan me 21.1%, një reflektim direkt i rritjes së ndjeshme prej 28% të eksporteve të këtij grupmalli gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti.
Importet e materialeve të ndërtimit e metaleve u rritën me rreth 17% në 32.5 miliardë lekë. Më shumë sesa një gjallërim të ndërtimit, rritja e eksportit të këtij grupi i dedikohet blerjeve të materialeve të ndërtimit nga Devolli Hydropower, kompania që po ndërton hidrocentralet në jug të vendit.
Edhe importet e grupmallit ushqim, pije dhe duhan kanë ngadalësuar ritmet e rënies, duke u tkurrur me vetëm 0.4% për gjashtëmujorin, nga 3.8% që ishte rënie për pesëmujorin, teksa në kahun e kundërt, eksportet e këtij grupi e ngadalësuan ndjeshëm rritjen për të njëjtën periudhë.
Burimi: INSTAT