Popullsia sipas grup-moshave 2001-2013
Popullsia e Shqipërisë në total arriti 2.89 milionë persona në fund të vitit 2013, duke shënuar rënia të vazhdueshme nga viti 2001, kur INSTAT raporton të dhënat dhe që numëronte në atë kohë 3.06 milionë vetë.
Ulja e vazhdueshme e numrit të popullsisë është shoqëruar me një tjetër dukuri, atë të plakjes së saj.
Statistikat tregojnë se pesha e popullsisë mbi 65 vjeç (që është në moshë pensioni) është rritur vazhdimisht duke arritur në 11.8% në fund të vitit 2013, nga 7.6% që ishte në vitin 2001.
Në të kundërt është ulur ndjeshëm pesha e të rinjve, nga mosha 0-19 vjeç, e cila ka rënë në 29% në fund të vitit 2013, nga 39% në 2001, si rrjedhojë e nivelit të ulët të lindshmërisë.
Pesha e popullsisë në moshë pune (20-64 vjeç) ka ardhur në rritje, nga 53% në 2001-n, në 60% në 2013-n.
Por, me popullsinë në moshë të re (19 vjeç) që po vjen në ulje, prirja afatgjatë do të tentojë drejt uljes së peshës së popullsisë në moshë pune, ndërkohë që të moshuarit, do të rriten. Kjo tendencë do të përkeqësojë dhe më tej skemën e financimit të deficitit të pensioneve, që edhe sot është në një krizë të thellë. Aktualisht rreth 30% e shpenzimeve buxhetore shkojnë për subvencionimin e pensioneve.
E ndarë sipas femrave e meshkujve, që nga viti 2001 deri në 2010-n, si numri i meshkujve ashtu dhe femrave ka rënë me shpejtësi. Pas vitit 2010 vihet re një tendencë e rritjes së numrit të meshkujve, ndërkohë që ai i femrave ka vazhduar tkurrjen.
Si rrjedhojë, që prej vitit 2010, në Shqipëri ka më shumë meshkuj se femra.
Në fund të vitit 2013, meshkujt përbënin 50.3% të totalit të popullsisë në vend.
Burimi: Instat