“Rapiscan” kërkon revokimin e rekomandimeve për skanimin e kontejnerëve, Konkurrenca e rrëzon
Autoriteti i Konkurrencës, pasi ka shqyrtuar kërkesën e ndërmarrjes “Rapiscan Sustems ICN” për revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 319, datë 13.06.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”, ka vendosur ta rrëzojë këtë kërkesë, pasi e ka gjetur të pabazuar në ligj.
Në relacionin e tij, Autoriteti i Konkurrencës sqaron dhe arsyet e këtij vendimi. Më datë 25.06.2014, pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar një kërkesë nga ndërmarrja “Rapiscan Systems ICN” me atë të së cilës kjo ndërmarrje kërkon revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 319, datë 13.06.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”.
Autoriteti i Konkurrencës e ka nisur procedurën e vlerësimit ex-post të kontratës koncesionare në zbatim të nenit 2, pika 1, germa c) dhe nenit 69, pika 1, germa b) të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar).
Autoriteti i Konkurrencës sqaron në relacionin e tij se ka detyrimin ligjor të vlerësojë shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës edhe në tregjet në të cilat janë dhënë të drejta ekskluzive ose të drejta të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose produkte të caktuara, duke dhënë edhe mendime dhe rekomandime në lidhje me këto të drejta. Ky vlerësim realizohet edhe për zbatimin e Politikës Kombëtare të Konkurrencës për liberalizimin e tregjeve, detyrim që rrjedh edhe nga proceset e integrimit në Bashkimin Europian.
Sipas Konkurrencës, Revokimi i vendimeve të Komisionit të Konkurrencës mund të bëhet vetëm nëse plotësohet një nga kriteret e parashikuara në nenin 46 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Sipas këtij neni, Komisioni mund të revokojë ose të ndryshojë vendimet e veta, duke vendosur kushte a detyrime, ose të rifillojë procedurën kur:
a) njëri ose disa nga faktet që kanë shërbyer si bazë për dhënien e vendimit kanë ndryshuar;
b) palët shkelin një ose disa detyrime, të parashikuara në vendim;
c) vendimi është bazuar në të dhënat jo të sakta ose është marrë nëpërmjet mashtrimit.
Nga vlerësimi i kërkesës së ndërmarrjes “Rapiscan Systems ICN” për revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 319, datë 13.06.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit” dhe i argumenteve të dhëna nga kjo ndërmarrje, konstatohet se nuk ndodhemi para kushteve të sipërcituara. Pra, në kuptim të nenit 46 të Ligjit 9121, datë 28.09.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, kërkesa e ndërmarrjes “Rapiscan Systems ICN” nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në këtë nen.
Si rrjedhojë, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur rrëzimin e kërkesës së ndërmarrjes “Rapiscan Systems ICN” për revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 319, datë 13.06.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”, si të pabazuar në ligj dhe prova.
Autoriteti ka lënë në fuqi vendimin nr. 319, datë 13.06.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”.
Koncesioni i shumëkundërshtuar
E krijuar më 22 maj 2013, S2 Albania ka si objekt “Zbatimin e marrëveshjes së koncesionit për skanimin e kontejnerëve në dogana, si dhe çdo aktivitet tjetër lidhur me çështjen ose i kërkuar për të realizuar zbatimin e marrëveshjes.
Kompania u krijua pas miratimit të ligjit 123/2013 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë Rapiscan (pronare e S2 Albania), si koncesionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Ligji është miratuar më 24 prill 2013 dhe është miratuar nga Presidenti Bujar Nishani, më 2 maj 2013.
Koncesioni hasi që në fillim kundërshtimin e bizneseve, ndërsa në qershor të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, rishikimin e kontratës koncesionare për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Hetimi i autoritetit nisi nga shqetësimi publik i komunitetit të biznesit për shtimin e kostos në lidhje me shërbimin për skanimin e kontejnerëve në dogana.
Autoriteti konkludoi se kontrata e koncesionit bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së; procedura për dhënien e koncesionit nuk ka respektuar ligjin e konkurrencës për marrje mendimi, ndërkohë që ka qenë një propozim i pakërkuar dhe jo një procedurë e hapur tenderuese që do t’i vendoste të gjithë ofertuesit e mundshëm në pozita të njëjta konkurrence. Edhe vendosja e skanerëve në vetëm pesë pika, nga të cilat tre fikse dhe dy të lëvizshme (në varësi të shtimit të fluksit të zhdoganimeve) nuk mbulon të gjitha pikat doganore për të justifikuar plotësisht qëllimin për të cilin është dhënë koncesioni, është një nga pikat e tjera të kontestuara nga Autoriteti.