Ecuria e të ardhurave nga renta minerare
Të ardhurat nga renta minerare për tetëmujorin 2014 kanë shënuar një tkurrje prej 9%, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave, duke zbritur në 4.74 miliardë lekë, nga 5.2 miliardë lekë, që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Renta është zëri që ka ecurinë më të keqe në raport me planin buxhetor të fillim vitit, duke qenë rreth 16% më pak se ajo që financat prisnin të mblidhnin për shtatë mujorin.
Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, rënia e të ardhurave nga renta minerare në eksport është ndikuar nga tkurrja e eksporteve të produkteve minerare si dhe uljes së çmimeve. Ky mosrealizim i rentës minerare është tërësisht i lidhur me performancën e industrisë nxjerrëse-përpunuese, që varet nga faktorë rregullatorë të brendshëm dhe konjukturat e tregut ndërkombëtar, theksojnë financat.
Ministria e Financave ka publikuar dhe një tabelë që jep në mënyrë të detajuar ecurinë e të ardhurave sipas grupeve kryesore, që kontribuojnë në këtë zë.
Pëshën kryesore në të ardhurat nga renta e ka grupi “Lëndët djegëse minerare, vajrat minerare dhe produktet e distilimit të tyre, substancat bituminoze, dyllet minerare”, që ka sjellë për 8 mujorin, 87% të totalit të të hyrave në buxhet nga ky zë. Sipas nomenklaturës doganore të mallrave kjo kategori përfshin kryesisht qymyr, gaz, hidrokarbure, bitum nafte, energji elektrike, ku efektin kryesor e jep nafta.
Sipas tabelës së financave, ky grup ka shënuar një rënie me 9%, duke dhënë efektin kryesor të tkurrjen e të gjithë të ardhurave nga renta. Edhe eksportet e këtij grupi janë në ulje. Sipas statistikave, eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 54.3 miliardë lekë për periudhën janar-korrik, duke përshpejtuar ritmet e rënies dhe duke u tkurrur me 7% me bazë vjetore (për gjashtëmujorin rënia ishte 3.3%).
Grupi i dytë më peshën më të madhe tek të ardhurat nga renta është i xeherorëve, zgjyrave dhe hirit (hekuri, nikeli, bakri, kromi etj), me rreth 10% të totalit, i cili dhe ai ka shënuar një tkurrje prej rreth 11%.
Kontributi i grupeve të tjera është i papërfillshëm.
Burimi: Ministria e Financave