Ecuria e kursimeve sipas rretheve, 6 M I, 2014-09
Kryeqytetasit janë të vetmit, që kanë arritur të shtojnë kursimet e tyre në banka në gjashtë muajt e pare të këtij viti, sipas statistikave të detajuara të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Pak janë rritur depozitat edhe në Fier, ndërsa pothuajse të gjithë qytetet e tjera kanë parë një tkurrje të kursimeve në banka.
Depozitat në Tiranë arritën në rreth 385 miliardë lekë, në fund të gjashtëmujorit të parë 2014, duke u zgjeruar me gati 4% në raport me fundin e 2013-s. Me bazë vjetore, kursimet në kryeqytet janë rritur me gati 6%. Kjo tendencë pozitive ka ardhur kryesisht nga shtimi i depozitave në lekë, ndërsa ato në valutë kanë qëndruar në vend.
Në kryeqytet ndodhen rreth 40% e kursimeve të shqiptarëve, të ndjekura nga Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani përkatësisht me 9%, 7%, dhe dy të fundit me nga 6% të totalit. Në raport me vitin 2007, ka pasur një rritje te peshës së kursimeve të qyteteve të vogla.
Nga qytetet e tjera, vetëm Fieri ka shënuar një rritje prej rreth 7% të kursimeve, në fund të qershorit 2014, në raport me dhjetorin 2013, për të arritur në 63.5 miliardë lekë.
Fare lehtë janë shtuar dhe kursimet në Durrës, me vetëm 0.4% për periudhën në fjalë.
Qytetet e tjera kanë parë rënie, ku më e thellë në vlerë absolute ka qenë tkurrja për Korçën, ku kursimet ranë me 2.2% gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në 59.7 miliardë lekë, kryesisht nga performanca e dobët e depozitave në lekë.
Rënie, por më të lehtë, kanë shënuar kursimet në Shkodër dhe Vlorë, që janë tkurrur përkatësisht me 1% dhe 0.7% në fund të qershorit, në raport me dhjetorin 2013.
Burimi: Banka e Shqipërisë