Eksportet mallrave shqiptare drejt tregjeve të huaja arritën në fund të periudhës nëntëmujore në 192.7 miliardë lekë ose 1.9 miliardë dollarë. Në krahasim me një vit më parë eksportet u rriten përafërsisht me 5 për qind duke reflektuar kështu një frenim të rritjes në krahasim me vitet e mëparshme.
Në vitin paraardhës eksportet në vlerë shënuan për periudhën janar-shtator rreth 181.6 miliardë lekë.
Veçanërisht në muajin shtator 2014 eksportet e mallrave arritën vlerën 21 mld lekë, duke u ulur me 0,4 % në krahasim me shtator 2013 dhe duke u rritur me 14,5 % në krahasim me Gusht2014.
Rënie më të madhe vjetore ka pasur në eksportet e grupeve: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 34,5 % dhe “Lëkurët dhe artikujt prej tyre” me 7,7 %.
Rritje më të madhe vjetore patën eksportet e grupeve “Tekstile dhe këpucë” me 27,5 % dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 25,3 %.
Në kushtet kur të ardhurat e emigrantëve po vijnë në rënie dhe investimet e huaja nuk janë më aq të sigurta, eksportet shndërrohen burimi kryesor i hyrjes së valutës në ekonominë shqiptare. Madje dy vitet e fundit, prurjet nga eksportet e kanë marrë këtë rol.
Nisur nga këto zhvillime, të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare por edhe ekspertët vendas rekomandojnë si një zgjidhje afatgjatë të rritjes ekonomike, rritjen e prodhimit vendas dhe për rrjedhojë edhe eksportit.
Për të arritur këtë synim qeveria po tenton të rrisë investimet në prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet ndërtimit të veprave të reja të prodhimit dhe privatizimit të disa HEC-ve ekzistuese. Kjo për shkak se eksporti i energjisë vitet e fundit ka qenë promotori themelor për rritjen e ekonomisë shqiptare.
Gjithashtu, rritja e prodhimit bujqësor nëpërmjet nismave të subvencionit në bujqësi është një mjet tjetër që në periudha afatmesme Shqipëria të konkurrojë, sidomos në rajon, me eksportin e hershëm të prodhimeve bujqësore. Hyrja e një sasie të konsiderueshme valute nga eksportet do të ndikojë pozitivisht në forcimin e vlerës së lekut dhe në përmirësimin e tregtisë së mallrave.
Burimi: INSTAT