Shqipëria, konkurruese në kuadrin e një tregu rajonal
Në një botë ku tregtia liberalizohet gjithnjë e më shumë, strategjia e një vendi të vogël duhet të përqendrohet në gjenerimin dhe ruajtjen e avantazhit konkurrues nëpërmjet rritjes së kapacitetit për t’i joshur firmat vendase dhe të huaja që ta përdorin vendin si platformë prej nga ato të drejtojnë bizneset e tyre
Tregu është mjedisi ku bizneset operojnë me biznese të tjerë, me individë, me institucionet shtetërore dhe të tjerë, si dhe me grupe të ndryshme interesi dhe, për këtë arsye, çështjet ligjore dhe institucionale për zhvillimin e mjedisit të biznesit janë në krye të listës, pasi ende nuk janë zhvilluar siç duhet të gjitha strukturat e tregut, duke bërë të mundur që forcat e tregut të mos funksionojnë ashtu siç e kërkon një treg i lirë.
Republika e Shqipërisë, një vend ende në tranzicionin drejt një ekonomie tregu të konsoliduar, pas ndikimit të efekteve të krizës globale financiare dhe ekonomike, në këtë periudhë është në emergjencë për Investime të Huaja Direkte. Marrëdhëniet politike, emigracioni, tregtia dhe marrëdhëniet kulturore ndërmjet investitorëve dhe Republikës së Shqipërisë si vend mikpritës, kanë efekte të forta në rrjedhat e IHD, gjë që tregon se marrëdhëniet e ndryshme shoqërore formojnë shkëmbimin ekonomik, një përfundim që, më së pari dhe më së shumti, vërteton arsyen e përqindjes së investitorëve të huaj në Shqipëri.
Atyre që hartojnë strategjitë e rritjes ekonomike të një vendi, u duhet kujtuar se (i) avantazhi konkurrues mund të krijohet, ose tek e fundit fare të rritet në mënyrë domethënëse; (ii) përmirësimi i konkurrueshmërisë brenda një ekonomie duhet të jetë një element kyç i strategjisë së eksportit kombëtar.
Lulëzimi kombëtar krijohet, nuk trashëgohet. Prandaj, në një botë ku tregtia liberalizohet gjithnjë e më shumë, strategjia e një vendi të vogël duhet të përqendrohet në gjenerimin dhe ruajtjen e avantazhit konkurrues nëpërmjet rritjes së kapacitetit për t’i joshur firmat vendase dhe të huaja që ta përdorin vendin si platformë prej nga ato të drejtojnë bizneset e tyre (nuk është pa domethënie fakti që Europa Juglindore ka rreth 65 milionë konsumatorë, ndërsa Ballkani Perëndimor rreth 25 milionë konsumatorë).
Situatat që përcaktojnë forcat dhe dobësitë konkurruese të ekonomisë së një vendi si dhe sektorët madhorë të saj janë ekzistenca e burimeve (për shembull, e burimeve njerëzore, e kërkimit dhe infrastrukturave të informacionit); e një mjedisi biznesi që investon në shpikje; dhe e pranisë së industrive mbështetëse.
Fazat nëpër të cilat kalon procesi i avantazhit konkurrues përcaktohen nga kostoja e ulët e punës dhe burimet natyrore; prodhimi i produkteve të sofistikuara me anë të importimit të teknologjisë; përqendrimi në strategjinë e eksportit kombëtar, përmirësimi i mëtejshëm i mjedisit të biznesit nëpërmjet revizionimeve, përgatitjeve rregullatore (dogana, tatime etj.), shtrirjes së kompanive në zinxhirët e vlerës ndërkombëtare dhe përmirësimit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD).
Një nga politikat që ndiqen për arritjen e qëllimit janë partnershipi kombëtar, ose dialogu publik – privat, që përfshin veprime plotësuese nga qeveria dhe sektori privat; rrugëzgjidhjet e një “liberalizimi plus”, që përfshin përzierjen e nxitësit me masat e politikës; dhe, atje ku është e përshtatshme për themelet e ekonomisë, politikat për promovimin e konkurrueshmërisë së klasterave (clusters) të veçantë të industrisë.
Impasi i kohëve të fundit në procesin e zgjerimit të BE–së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor ka krijuar një mjedis ekonomik që karakterizohet nga pasiguria, sepse liderët vendorë, gjithnjë e më shumë, po binden se hyrja në BE është një rrugë e gjatë (gjë që vërtetohet nga deklaratat e ditëve të fundit të zyrtarëve të Brukselit në lidhje me zgjerimin e BE–së) dhe një prirje e tillë nuk nxit zbatimin e reformave që do t’i ndihmonin vendet e Ballkanit Perëndimor të lëviznin drejt Europës, veçanërisht, drejt tërheqjes së Investimeve të Huaja Direkte.
Organizimi nga BERZH i takimit të janarit 2014 mbajtur në Londër, takimi me kancelaren Merkel kohë më vonë dhe takimi i Vjenës ditët e fundit, jo vetëm e nënkuptojnë një gjë të tillë, por pothuajse e thonë troç një gjë të tillë. Për më shumë, në këtë këndvështrim, BERZH (EBRD) Shqipërinë e ka caktuar si projekt pilot, dhe në mënyrë më domethënëse, kjo po duket në përpjekjet për krijimin dhe funksionimin e një Këshilli Investimi në përkujdesje të Zyrës Përfaqësuese të BERZH në Tiranë, e cila në thelb, si qëllim, ka përmirësimin e klimës së biznesit (ose e thënë më troç të investimit).
Si rezultat një ekonomi që vazhdon të rritet me ritme të zvogëluar ose me mundësinë e një risku për të qëndruar në vend, do të shkaktonte zemërime të mëtejshme në popull si dhe pasiguri në rajon, që në kthim (ose si përgjigje) do ta shtonin skepticizmin e njerëzve rreth hyrjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, gjë që do të rriste vetëm interesin për të emigruar në vendet anëtare të BE–së, në vend që të mendohet për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Integrimi
A paraqesin vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria në këtë kontekst) rëndësi për BE–në? Po, thonë politikanët dhe jo pa të drejtë sepse së pari, vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen si një vendndodhje me vlerë të madhe për Europën në lidhje me prodhimin e fabrikuar dhe, së dyti, mund të jenë platforma e një prodhimi të vlefshëm.
Në këtë kuptim, avantazhet e përbashkëta kyç të vendndodhjes janë struktura e lartë e konkurruese e kostos së përgjithshme (forca punëtore, toka dhe mjete të tjera më të lira se sa në vendet e reja anëtare të BE–së); forca punëtore në dispozicion, kosto dhe cilësia (forcë punëtore e arsimuar mirë dhe me përvojë, ekspertiza teknike); vendndodhja strategjike dhe afërsia (sepse deti Adriatik është shumë afër si Europës Perëndimore ashtu dhe asaj Qendrore).
Pothuajse e gjithë tregtia e vendeve të Ballkanit Perëndimor bëhet me vendet anëtare të BE–së dhe, në këtë kuptim, investitorët e huaj duhet të veprojnë si një “rrugëzgjidhje rajonale” (mundësia për të shërbyer si një treg “rajonal”).
Konkretisht Shqipëria nga investitorët e huaj është parë si një vend ku mund të prodhohen tekstile dhe veshje; ku mund të përpunohet lëkura dhe të prodhohen këpucë; ku agrobiznesi ka perspektivë për prodhimet bio; ku mund të rriten shërbimet e biznesit, hyrje në të dhënat, telemarketingu, mbështetje zyrash, etj.; infrastruktura dhe turizmi.
Në këtë kontekst cilësia e administratës publike e vendit mikpritës është një konsideratë, për arsye se pasiguria, dykuptimshmëria, ndryshimet tejet të shpeshta në legjislacion, paqëndrueshmëria në interpretimin dhe zbatimin e legjislacionit, zyrtarët e korruptuar, ndëshkime që e tejkalojnë masën, janë faktorë të tillë që përbëjnë një antinxitës të ashpër për investimin.
Klima e biznesit
Një faktor i mëtejshëm, që neglizhohet shpesh, është përpjesëtimi shumë i madh i Investimeve të Huaja Direkte në formën e riinvestimit, ose shtesat te investimet ekzistuese.
Shpesh nga punonjësit ekzekutivë të biznesit dëgjon vërejtje të tilla si “në qoftë se unë do ta kisha vërtetuar se sa e vështirë është të bësh biznes në këtë vend, kurrë nuk do të vija këtu”. Zakonisht, ndërmjet arsyeve të dhëna për pakënaqësinë e krijuar nga një vend që duhej të ishte vend mikpritës janë ligjet e paqëndrueshme, administrata publike e çrregullt dhe, mbi të gjitha, barra administrative tejet e madhe.
Në mënyrë të pashmangshme, faktori “kurrë përsëri” ka një efekt të rëndësishëm mbi planet e ardhshme të investimit dhe tërheqja e rrjedhave të ardhshme të investimit është vendimtare për sigurimin e një rritje ekonomike stabël gjatë dekadës ku ka hyrë ekonomia e vendit.
Prandaj, përmirësimi i mjedisit dhe klimës së biznesit mbetet një qëllim shumë sfidues i betejave që duhet të bëjë komuniteti i biznesit për të qartësuar imazhin që kanë investitorët për Shqipërinë.
Për të mos lejuar që burokracia të vazhdojë të rrisë koston e investimit, që kufizon potencialin e ekonomisë së vendit për investime në shumë fusha, qeveria duhet të marrë në konsideratë të veçantë rolin që luan klima e biznesit në lidhje me thithjen e investimit të huaj dhe vendas, prandaj qeverisë i duhet të rivlerësojë dialogun e hapur privat–publik si një prej mjeteve më efektive dhe më eficiente të strategjisë së saj.
Reformimi dhe revizionimi i barrierave administrative që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit duhet të shmangin favorizimin e disa grupeve të caktuar, si dhe të rrisin rolin, efektivitetin dhe eficencën e agjencive shtetërore që merren me problemet e menaxhimit të reformës për nxitjen e investimit të huaj
Për të mos lejuar që burokracia të vazhdojë të rrisë koston e investimit, që kufizon potencialin e ekonomisë së vendit për investime në shumë fusha, qeveria duhet të marrë në konsideratë të veçantë rolin që luan klima e biznesit në lidhje me thithjen e investimit të huaj dhe vendas, prandaj qeverisë i duhet të rivlerësojë dialogun e hapur privat–publik si një prej mjeteve më efektive dhe më eficiente të strategjisë së saj.
Ekonomisti