Çfarë po na përmbyt?
Revista “Monitor” nuk e ka aftësinë paranormale të parashikojë të ardhmen, por përmbytje në Shqipëri mund të ndodhin sërish. Kurajon e këtij konkluzioni na e jep fuqia e informacionit. Përmbytje, si këto të ditëve të fundit, në disa zona të vendit, por të përqendruara më shumë në Vlorë dhe Fier, të paktën këto 100 vitet e fundit në Shqipëri kanë ndodhur 4 herë. E para ndodhi në mbyllje të viteve ‘50, një në vitin 2005, tjetra në dhjetor 2010- janar 2011 dhe kjo e fundit në shkurt të 2015-ës. Rezulton pra se tre nga katër përmbytjet për shkak të reshjeve të denduara tej mesatares historike, kanë ndodhur në harkun e vetëm 10 viteve të fundit.
Por a është kjo shpeshtësi një fenomen thellësisht shqiptar, apo që në masën më të madhe ndikohet vetëm prej tij?
Ekspertiza ndërkombëtare ka kohë që ka arritur në përfundime të sakta shkencore, se reshjet e denduara, me intensitet të lartë, ndryshimi i beftë i motit, luhatjet e temperaturës në kohë të shkurtër në pika ekstreme, nuk do të jenë më të rastësishme, por një sjellje e natyrës që sa vjen dhe bëhët më tipike. Banka Botërore në studimin e saj për ngrohjen globale, duke e konsideruar këtë sjellje të natyrës si të qëndrueshme, ka treguar edhe pasojat mjedisore e dëmet ekonomike që bota mund të pësojë. Ato do të jenë aq të mëdha, sa do të ndryshojnë këndvështrimin dhe sjelljen njerëzore.
Edhe pse është një njollë shumë e vogël në gjeografinë e botës, Shqipëria nuk përjashtohet, ndaj nuk ka sesi t’iu shmaget përmbytjeve. Të vetmen gjë që mund t’a bëjë mirë, është të minimizojë sa më shumë efektin e tyre. Shkaqet e brendshme, të tilla si ndërhyrja njerëzore e pakontrolluar në ndërtim e pyje, institucione të dobëta të ekspertizës, vullnet politik të kompromentuar, etj., janë përcaktues për masën e dëmit dhe mënyrën sesi ne e përballojmë atë.
Nga përmbytjet në Vlorë dhe Fier u vërejt se sistemi i vjeljes së të dhënave parashikuese edhe pse ekziston, nuk është i plotë. Megjithëse qeveria tha se kishte kryer informimin paraprak të publikut përmes kanaleve institucionale, popullatat e rrezikuara nuk u paralajmëruan publikisht përmes mediave si kanalet më të fuqishme të informimit. Gjatë përmbytjeve rezultoi, se skema e ndërhyrjes nuk është eficiente, shpallja e emergjencave civile, duket proces evaziv ligjor, sepse askush nuk mund të thotë se kur një qeveri është e detyruar ta shpallë atë. Nga përmbytjet, pra vetëm pasi ato ndodhën, dhe jo më parë, u konstatua gjithashtu që disa vepra publike mbrojtëse, ishin të dëmtuara, e për disa të tjera projektet ishin gabim ose të zbatuara keq. Në terren po vërehet se ndihmat ushqimore nuk shkojnë në destinacion, ndërsa tregjet po bëhen spekulativ. Do të duhen më shumë kohë për të parë se si funksionuan gjërat, por diçka duket e sigurtë. Sistemi ynë i monitorimit, informacionit, parandalimit dhe ndërhyrjes ka cilësi të ulët. Kështu ka qenë edhe në raste të ngjashme më parë. Cilësia e menaxhimit të fatkeqësive po lidhet ngushtësisht dhe politikisht vetëm me cilësinë e qeverisjes, kur në fakt fenomeni kërkon përgjigje shtetërore dhe me afat më të gjatë se mandatet qeverisëse. Qeveria mund të jetë në krye të shumë nismave, duke dhënë më shumë fonde për institucionet shkencore, më shumë fonde për veprat mbrojtëse, të rrisë zbatueshmërinë e ligjit për ndërhyrjet në mjedis, etj., por nuk mund ta bëjë e vetme dhe nuk ka asnjëherë fondin e nevojshëm. Vendi ka nevojë për një sistem kombëtar sigurie, që nuk varet nga fakti se cila qeveri është në pushtet, por që çdo qeveri është e detyruar ta mbrojë dhe përmirësojë mandat pas mandati.