Tragjikomedia politike dhe pasojat në ekonomi!
Telenovela tragjikomike e akuzave për vrasje brenda politikës shqiptare ka qenë në vëmendjen e të gjithëve edhe gjatë javës, që sapo lamë pas. Personazhet u shtuan, ngjarjet u komplikuan edhe më tej, ballafaqimet mes akuzuesve dhe të akuzuarve të pretenduar u bënë më “interesante”, duke u kthyer në një burim humori të hollë dhe kuptimplotë në median sociale. Shkurt, prej dy javësh, në politikën shqiptare, media, rrjete sociale e bisedat e përditshme nuk po diskutohet gjë tjetër. Nuk po flitet as për çmimet e rritura të produkteve bujqësore, pasojë e përmbytjeve që pushtuan jugun e vendit pak javë më parë dhe që tashmë janë harruar, kur duhet të ishin ato në qendër të vëmendjes. Nuk po flitet as që nafta te ne po shkon sërish në nivelet e larta rekord ku ishte në kohën kur në bursa, çmimi ishte 120 dollarë për fuçi (tani është vetëm 60 dollarë për fuçi në bursat ndërkombëtare). Nuk po flitet as për eksportet, që pritej të ishin motori i ekonomisë dhe ranë në janar, apo për mungesën e investimeve të huaja. Nuk po dëgjohet zëri i biznesit, që është i acaruar, jo vetëm nga ngjarjet, por dhe nga ambienti për të bërë biznes, si rritja e taksave, ndryshimi i herëpashershëm i legjislacionit, pasiguria juridike, falimentimet, shkurtimet e numrit të punonjësve (shiko artikullin “Kush i paguan kostot e politikës”) në faqet e brendshme të revistës. Nuk po flitet as për kreditë me probleme, të cilat janë më të lartat në Europën në zhvillim dhe që kërkojnë veprime politike, përtej masave administrative të marra deri tani. Në fakt, prej më se tre javësh nuk po diskutohet aspak për faktin që në ekonomi nuk po ecin gjërat siç duhet dhe duket e vështirë që vendi të arrijë objektivin e rritjes ekonomike prej 2-3% të pritshëm për këtë vit. Në këtë situatë, kur pritet që qeveria t’i japë nxitje ekonomisë, politikanët kanë pushtuar ekranet e televizorëve, duke sqaruar, duke akuzuar e duke ironizuar për çështje që lidhen me elementë kriminalë. Nuk është kjo ajo që shqiptarët prisnin nga Rilindja! Prof. Jeffrey Sachs, një nga ekonomistët më të njohur në botë, rendit tre faktorët kryesorë se pse vendet e Ballkanit kanë mbetur prapa shteteve të tjera të Europës, që janë pozicioni gjeografik (largësia nga vendet e zhvilluara të Europës), historia (pushtimi otoman) dhe lidhjet gjeopolitike (hyrja me vonesë në aleancat e NATO-s). Por Shqipëria, krahas “fatit të keq” gjeografik, historik dhe gjeopolitik ka dhe një fatkeqësi të katërt, atë të pasjes së një politike të papërgjegjshme, të kriminalizuar (SHBA po këmbëngulin për një dekriminalizim të Kuvendit, një problem që po kthehet në madhor) që duket se po e lë vendin prapa, jo vetëm Europës Lindore, por edhe Ballkanit, që i ka kaluar konfliktet e luftërat dhe ka nisur procesin e reformave dhe konvergjencës me Europën Perëndimore.