Iluzioni optik i fushatës
Fushatat elektorale e kanë “magjinë” që t’i fluturojnë shqiptarët larg, në një Shqipëri tjetër, ku jetohet shumë më mirë se nuk mungon asgjë.
Realiteti ku jetojmë me atë që premtohet janë shumë larg njëri-tjetrit dhe nevoja akute për t’u shkëputur nga e vërteta është një shpjegim i mirë pse kërkojmë të endemi në të tilla virtualitete. Ndërsa nga dëshpërimi i gjatë që gjërat nuk ndryshojnë më shpejtësinë dhe sasinë e premtimeve, nevoja për të pasur edhe një shans bën që kjo “magji” elektorale, të vijojë të ndodhë.
Edhe kjo fushatë për zgjedhjet lokale, ndonëse në dukje ndryshe, e ka trukun e saj. Pa dyshim ka magjinë e vjetër elektorale, aty kur premtohet se gjëra të mëdha dhe shumë shpejt do të bëhen. Por kjo e kësaj radhe ka edhe një të veçantë tjetër, iluzion optik.
Pamja e Shqipërisë që ofrohet nga garuesit është një e vetme, por brenda saj, herë shikon atë ku jeton çdo ditë e herë imazh tjetër, atë që duan të shikosh. Oratorët nuk po mundohen të përjashtojnë as njërën as tjetrën, por e lënë publikun të gënjehet herë me njërin imazh e herë tjetrin. Ky ka një shpjegim të vetëm, sepse të gjithë janë fajtorë për atë ku jemi sot, por mbajtja e kostove do të ishte një risk elektoral i madh. Me pak fjalë, kjo fushatë nuk ka përgjegjës për gjërat që s’janë bërë.
Kandidatët dhe makineritë e tyre elektorale duket se ndryshe nga herët e tjera i kanë kontaktet më të shpeshta dhe më të ngushta me publikun. Edhe për shkak të këshilltarëve të importuar e me përvojë, kjo është një mënyrë për të treguar se nuk i shmangen realitetit. Por, ky është një iluzion, se në fakt dëgjesa me publikun po i mbytin fjalimet e gjata të kandidatëve apo liderëve të tyre dhe të tjerët në shumicën e rasteve janë të përzgjedhur për ndonjë pyetje apo thjesht numër. Kjo fushatë nuk ka dy palë, por vetëm një.
Premtimet elektorale, nga ana tjetër, i kanë kaluar caqet e pushteteve lokale, por flitet për projekte të mëdha e brenda bashkive më të vogla. Kandidatët e mazhorancës premtojnë si të jenë qeveria dhe kandidatët e opozitës premtojnë si të vijnë në qeveri. Të majtët përdorin sigurinë e qeverisë së tyre për të qenë më të besueshëm dhe garant në premtimet, ndryshe të djathtët kanë dalë hapur se këto zgjedhje janë politike dhe jo lokale, për t’i dhënë mbështetje logjike sipas tyre premtimeve. Po përdoret magjia e të bërit gjëra të mëdha për vepra, që nuk i kalojnë kufijtë e bashkive.
Kjo fushatë duket modeste në shpenzime, sepse nuk kemi parë shumë flamuj e banderola, karvanë të gjatë makinash e grupe mbështetësish që shëtisin sa në njërin qytet në tjetrin. Edhe partitë politike kanë kuptuar se nuk mund të bëjnë shpenzime kaq të dukshme nga syri i lirë i qytetarit, kur realiteti ekonomik nuk mundet t’ua lejojë këtë. Por, kjo fushatë është më e sofistikuar. Shpenzimet për to i kanë zëvendësuar spotet elektorale dhe shfaqjet televizive, për konsulenca, apo duke shpërndarë para drejtpërdrejt te publiku, pra thjesht ka ndryshuar mënyra e shpenzimit, ndërkohë shumat për të tilla gjëra janë edhe më të mëdha. Por këto, qytetari nuk i shikon dot, ndaj ky është një tjetër iluzion.
Mirëpo në këtë fushatë, askush nuk po flet sa kushtojnë këto premtime dhe ca më tej, a mund të gjenden këto para?
Realiteti i sotëm nuk fshihet dot me iluzion elektoral. Ekonomia po vuan për një mungesë të theksuar të parasë, se një pjesë fle në banka nga mungesa e sigurisë, optimizmit dhe projekteve të reja. Stoku i kredisë ekonominë në prill ra 1% krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar.
Një pjesë tjetër ka humbur për shkak të rënies së tregtisë, ku eksportet kanë rënë me 4% për katërmujorin. Modeli i ri i taksave ka sjellë më pak të ardhura në buxhet por me kaq ka ulur mundësitë për investime vetjake nga biznesi, ndërkohë që është bërë një burim i mirë evazioni.
Atëherë ku janë paratë për të bërë më shumë projekte kaq të bukura sa i përçojnë kandidatët dhe udhëheqësit e tyre politikë? Asgjë nuk pritet të ndodhë më shumë pas kësaj fushate, është veçse një iluzion optik, i cili nuk e mund dot realitetin.