Leksionet nga kriza greke
Pas disa javësh “vuajtje”, Greqia duket se po merr pak frymë. Kreditorët arritën një marrëveshje me kryeministrin Aleksis Tsipras, që pas një rezistence të gjatë, iu nënshtrua në momentin e fundit kushteve të ashpra për reforma, në këmbim të një pakete të tretë shpëtuese prej 86 miliardë eurosh për tre vjet. Pas miratimit të reformave nga Parlamenti (me ndihmën e partive opozitare), gjërat lëvizën me shpejtësi dhe Greqia mori nga eurogrupi një kredi kalimtare prej 7 miliardë eurosh që i mundëson të paguajë këstin ndaj Bankës Qendrore Europiane këtë javë, ndërsa kjo e fundit e rriti me 900 milionë euro tavanin e fondit të likuiditetit të emergjencës për bankat greke, që do të jenë të hapura këtë javë (ndonëse kufizimet e kapitalit mund të vazhdojnë).
E teksa Greqia ia doli të shmangte një Grexit (të paktën përkohësisht), që do të kishte qenë i dhimbshëm për shtetin helen dhe me pasoja të paparashikueshme për gjithë Europën, është momenti për të reflektuar. Në mënyrë të natyrshme, shumëkush po mundohet të heqë paralele mes Greqisë dhe shteteve të tjera që janë në një situatë të ngjashme, duke nxjerrë leksione që do të shërbejnë për të mos u “turpëruar” në të ardhmen.
Dhe nuk mund t’i shpëtojë kësaj tendence as Shqipëria, që e ndoqi me ankth e me pasoja aktin e radhës të dramës së fqinjit, që pati një fund që vështirë se mund të quhet i lumtur, me vendin që u detyrua të zgjedhë atë që e quajti të keqen më të vogël (masat shtrënguese përkundrejt Grexit).
Në një paralele të parë, Shqipëria është në pozita mjaft më komode se Greqia. Ajo ka një borxh që, ndonëse ka qenë në rritje vitet e fundit, është rreth 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto-PBB (në Greqi është 180% e PBB-së dhe mund të shkojë deri në 200%, sipas një studimi të fundit të FMN-së). Shqipëria është nën monitorimin e rreptë të programeve të FMN-së dhe Bankës Botërore, që nuk lejojnë “lajthitje” me borxhin dhe qeveria ka marrë angazhime për ta kthyer në afatin e mesëm në nivele të qëndrueshme raportin e borxhit ndaj PBB-së (rreth 63% deri në 2018-n). Vendi nuk është i varur në mënyrë jetësore nga tregjet private të financimit të borxhit (ndonëse pesha e borxhit të jashtëm po rritet) dhe ka një sofistikim të ulët financiar.
Por, nëse kthehemi më thellë në rrënjët e krizës, shohim që ngjashmëritë janë të shumta. Të gjithë e pranojnë që kriza greke është një krizë konkurrueshmërie e maskuar si një krizë fiskale dhe që u shndërrua në një krizë qeveritare. Të gjitha reformat e imponuara nga kreditorët synonin pikërisht rritjen e konkurrueshmërisë së vendit. Edhe Shqipëria nuk shquhet për aftësi konkurruese. Raporti i fundit i konkurrueshmërisë globale 2014-2015, e rendit Shqipërinë në vendin e 97 (në dy vjet është përkeqësuar me 8 shkallë, duke mbetur prapa në nënindeksin e risisë dhe sofistikimit, ku është e 114-a, mjedisi makroekonomik e 122-a dhe zhvillimi i tregjeve financiare, që është e 114-a). Ky nivel i ulët konkurrueshmërie nuk i lejon Shqipërisë të rritet me ritme të shpejta, duke vënë në dyshim aftësinë e saj për të reduktuar madhësinë e borxhit në afatin e gjatë (autoritetet shqiptare kanë pranuar se një rritje reale mbi 4% është e nevojshme për të siguruar një ulje të qëndrueshme të borxhit publik, si dhe reduktimin e papunësisë).
Zhbalancimet makroekonomike të Greqisë u përkeqësuan në dekadën para se të shpërthente kriza, me deficitin e llogarisë korente që u zgjerua 6.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2002 në 14% në 2007. Në të njëjtat nivele e ka këtë tregues dhe Shqipëria, duke qenë ndër më të lartët në rajon dhe duke alarmuar institucionet ndërkombëtare si Komisioni Europian dhe FMN.
Të punësuarit në administratën publike në Greqi, deri në vitin 2010, përbënin gati 8% të totalit të popullsisë, (për të zbritur më pas në 5.3%), nga 0.8% që e ka këtë tregues p.sh., Britania e Madhe. Në Shqipëri, ky raport është 5.8%.
Greqia është një version ekstrem i ekonomisë politike të Europës Juglindore, ku disa simptoma të përbashkëta janë moseficienca e tregut të punës, shtrembërime të dukshme të ekonomisë, qeveri joeficiente (korrupsion, probleme me drejtësinë, kosto të larta të të bërit biznes etj.), nivel i lartë informaliteti dhe në thelb një model ekonomie që nuk është i qëndrueshëm. Janë probleme këto që tingëllojnë mjaft aktuale dhe te ne, teksa kalimi drejt një modeli zhvillimi të qëndrueshëm (të nxitur nga eksportet, turizmi, industria përpunuese, rritja e vlerës së shtuar, investimet e qëndrueshme) është një nga sfidat më të mëdha me të cilat duhet të përballet qeveria.
Leksioni më i madh që po nxjerr gjithë bota është se kriza greke është ajo që të ndodh kur ju bëni sikur nuk e shihni problemin për shumë kohë dhe kur shtyni reformat. Sa më shpejt ta pranojmë këtë dhe të ndërmarrim reforma, aq më pak probabilitet do të ketë vendi që të mos bëhet një shembull i keq si fqinji përtej derës.