Kulaçi dhe kërbaçi
Thonë se asnjëherë nuk është vonë për të realizuar një qëllim të mirë. Por, kjo nuk është e vërtetë për qeveritë. Ato kanë mandate të kufizuara dhe si të tillë edhe kohën për të realizuar programet e kanë të kufizuar. Vetëm nëse një qeveri mendon se do të jetë e përhershme në pushet, mund të ketë një luks të tillë të shpërfilljes, neglizhencës dhe mungesës së largpamësisë për t’i vonuar gjërat, aq sa të mos i tremben as ndëshkimit të publikut.
E bëmë këtë hyrje, sepse nuk po gjejmë dot shpjegim më të mirë se pse qeveria socialiste vonoi kaq shumë, duke harxhuar dy vjet ose gjysmën e mandatit të saj, për të kuptuar sepse gjëja më e parë dhe më e drejtë përpara se të aplikonte programin e saj ambicioz deri në limite të së pamundurës , duhet të ishte përfshirja e një plani për ta bërë tregun konkurrues dhe të drejtë, përmes luftës ndaj informalitetit.
Ka dhe arsye të tjera, që e kanë sjellë këtë qeveri në marrjen e veprimeve ekstreme, që turbullojnë edhe më shumë mjedisin ekonomik që prej kohësh është i paqartë. Premtimet elektorale, që kërkonin angazhime fondesh më të mëdha sesa ofronte realiteti, presioni i përhershëm i FMN-së për të mbajtur borxhin publik të ulët përmes rëndesës së taksave, thyerja e taksës së sheshtë në mënyrë të menjëhershme, pa u përtypur më parë nga aktorët e tregut, paaftësia administrative dhe mungesa e një sistemi fiskal që lehtëson mbledhjen me progres të të ardhurave, ishin faktorë, të cilët që që në fillim parashikonin këtë lloj përfundimi.
Më këto që thamë më lart nuk themi se aksioni i fundit i qeverisë, që pritet të nisë në shtator për të ndëshkuar rëndë bizneset informale apo zyrtarët e korruptuar është i keq. Mirëpo kjo nuk e shpjegon vonesën dhe as e justifikon logjikën, që nga rrethanat e krijuara, ky është mjeti i duhur dhe ndoshta i vetmi, për momentin.
Vonesa e qeverisë çudit edhe për një fakt tjetër, sepse në fillim të vitit kur u miratua programi buxhetor i këtij vitit, kritita u drejtua te fakti se ai ishte i ekzagjeruar në parashikimet për të ardhurat. Mirëpo qeveria pretendoi se nga 45 miliardë lekë të ardhura, që parashikoheshin të mblidheshin më shumë se një vit më parë, gati 20 miliardë lekë, ose rreth 40 % e tyre do të vinin nga lufta kundër evazionit. Sot tabloja duket e përmbysur. Të dhënat zyrtare dëshmojnë për një deficit në mbledhjen e të ardhurave në përmasa të konsiderueshme, duke arritur në 13.4 miliardë lekë, çka tregon se toka ku qeveria kishte vendosur të korrte të ardhura ishte mbjellë keq që në fillim e po thahet nga shumë faktorë. Por mesa duket arsyeja më kryesore, që i përbashkon gjithë të tjerat, mbetet qeveria.
Një sistem apo qeverisje e mirë i kërkon të dyja edhe Kulaçin edhe Kërbaçin. Por gjatë këtij gjysmë mandati, qeveria ka lëvizur vetëm dorën aty ky rri kërbaçi. Madje dhe dora tjetër duket se përdor të njëjtin instrument dhunues, sepse rrugëtimi i politikave fiskale apo nxitëse ekonomike të qeverisë nuk rezultoi efikas, pasi ishin keq të orientuara, së dyti sepse reforma e taksës progresive dhe rritja e taksave me shumë shkallë në kushtet e rënies së fuqisë blersë dhe investuese të brendshme ishte e parakohshme dhe godiste burimet e kapitalit dhe konsumit, së treti reforma e administrimit fiskal mbeti një projekt promovues, por jo një realitet. Efektet negative të gjitha këtyre vendimeve ishin aq të mëdha, sa bënë fare të vogla nismat e tjera si shlyerja e borxheve të prapambetura, apo ndërhyrjen për shlyerjen e TVSH-së.
Ndërsa aksioni i afërt duket kërbaçi i ligjit, gjithë politika pararendëse është në fakt tortura e vërtetë për biznesin. Qeveria ende po vërtitet në rrugë pa perspektivë për të gjetur ‘kulaçin “ që i duhet ekonomisë, ose e ka gjetur atë, po ka vendosur ta ndajë vetëm me pak vetë?!!!. Ose nëse kërkon vërtet të vendosë drejtësi duhet të tregojë nga ky aksion se “kush e hëngri” kulaçin.