Fermeri ka nevojë për ofertë
Të majtët kanë nisur një proces të guximshëm politik, duke provuar të përfshijnë fshatarësinë brenda sistemit fiskal. Megjithëse duket një përfshirje gjysmake, sepse nuk tenton aplikimin e plotë të skemës (të paktën kështu thotë qeveria) por të hulumtojë ku “humbet” taksa e paarkëtuar në hallkat e tjera zinxhir të shitjes, dhe nuk ka as ofertë brenda saj, gjithsesi është një veprim i guximshëm.
Popullsia që sot merret me bujqësi dhe jeton në fshat zë 46 për qind të banorëve në Shqipëri. Më parë, kjo popullsi ishte dominuese, mbi 50 për qind dhe për këtë arsye por edhe pse ishte pjesa e popullsisë më e varfër, që gjatë komunizmit kishte një traditë të mirë në prodhimin bujqësor e blegtoral, kjo pjesë u la jashtë taksave. Më tej asnjë parti politike nuk guxoi ta përfshinte brenda sistemit, pasi ishte rrezik i madh elektoral. Mirëpo duket se mbështetjet partiake kanë lëvizur nga tradicionalet dhe të majtët e “rilindjes” së pas zgjedhjeve të vitit 2013, në emër të luftës kundër informalitetit, hodhën hapin duke kërkuar që bujqit dhe blegtorët shqiptarë të kenë NIPT.
Qeveria ka dy argumente me të cilat kërkon të bindë fermerin ta bëjë këtë gjë.
Së pari, sipas qeverisë, ky veprim nuk ngarkon me asnjë kosto shtesë fermerin.
Së dyti, e bën fermerin pjesë të sistemit formal të ekonomisë dhe rrit mundësitë e daljes lirshëm në treg, pra do të ketë përfitime të mëdha.
Por këto dy argumente nuk mjaftojnë që ta shtyjnë fshatarin shqiptar të formalizohet. Sepse ai nuk është i sigurt se, nëse merr një NIPT, nuk i lindin detyrimet e tjera, siç është sigurimi i detyruar, vendosja e pagës referencë mbi 80 mijë lekë për administratorin e NIPT-it, respektimi i pagës minimale rreth 20 mijë lekë për një të punësuar të dytë, tatimi mbi të ardhurat, e në fund dhe detyrimi për vendosjen e kasës e cila, që në blerje ka sot një kosto fikse rreth 50 mijë lekë. Qeveria thotë se nuk do ta bëjë këtë. Por ky, në fakt, është një gabim i rëndë, sepse sapo nis të fusë në skemë fermerin vijon ta deformojë atë, duke e përjashtuar nga efektet e tjera të taksave, sikundër për çdo qytetar tjetër. Pra fillon e krijon edhe më shumë të çara, dhe nuk prodhon gjë tjetër veçse një skemë më pështjelluese për disa numra NIPT-esh më shumë. Rrugë të mesme nuk ka, o realizohet futja tërësisht në skemë me detyrimet dhe përfitimet e saj, o lëre fare. Nëse zgjidhet e para, atëherë bujqësisë më parë duhet t’i jepen shanse të rritet…
Por të dhënat jo plotësisht të freskuara së fundmi tregojnë se të paktën deri në vitin 2012, të ardhurat në bujqësi dhe blegtori arritën 1 miliard lekë ose rreth 310 mijë lekë për çdo fermë!!! Me këtë fitim vjetor, financiarisht vendimi për t’u regjistruar nuk ia vlen, sepse gjithë përfitimi i një viti duhet paguar për taksat që lindin potencialisht nëse hynë në skemë.
Qeveria thotë se nëse regjistrohet fermeri mund të shesë më shumë. Por aktualisht aksesi i fermerit shqiptar në tregje është ende i ulët, madje më i ulëti në rajon, sepse mungojnë rrugët lidhëse, tregjet e mëdha, strukturat magazinuese etj. Megjithëse nuk ka studime të fundit, ky është një rezultat i mirëpranuar. Nga Prodhimi i realizuar, shumica e tij konsumohet për nevojat vetjake të familjeve fermere, pasi sot sipërfaqet e mbjellja me një kulturë nuk i kalojnë 0.2 hektarë dhe shumë pak mbetet për treg. Rendimenti mbetet i ulët, për shkak të shkallës së ulët të mekanizimit, ku 300 mijë ferma kanë gjithsej në të gjithë vendin vetëm 20,600 makineri, dhe çmimi i lëndëve të para është rritur ndjeshëm ndërkohë që edhe cilësia është e ulët. Ndaj fermeri nuk do të ketë arsye të mendojë se marrja e një NIPT-i mund t’i rrisë potencialet për shitje, ashtu siç i thotë qeveria! Veç në e ndaloftë qeveria të shesë këto që ka, siç edhe po ndodh. Sepse problemi i bujqësisë nuk është te mungesa e NIPT-it, por gjetkë, pasi merr vetëm 4 për qind të financimeve publike, edhe pse jep 18 për qind të PPB-së, ndërkohë që kredia nga sistemi bankar është nën 2 për qind e totalit (lexo në brendësi). Që të arrihet formalizimi i bujqësisë duhet që ajo të kthehet në një sistem, dhe ka nevojë për një ofertë të mirë. NIPT-i nuk është ofertë. Ndaj dy argumentet e vetme të qeverisë, jo vetëm që nuk mjaftojnë, por as nuk bindin, sepse nuk janë të leverdishme.