Lëvizja e fundit e qeverisë, që në vitin 2016 të bëjë zero taksat për biznesin e vogël në Shqipëri erdhi si një surprizë, që nuk paramendohej për asnjë rrethanë, për shkak të gjithë sjelljes që ka demonstruar gjatë gjithë këtij mandati të parë. Do të përfitojnë gati 100 mijë biznese të vogla, të cilat do të kenë në dorë shtesë rreth 20 milionë dollarë, të cilat më parë i përdornin për të paguar taksa. Kjo dozë paraje në treg, sidomos nga kjo kategori, është e vlefshme për çdo rrethanë, pavarësisht arsyeve që e sollën. Por, megjithëse mund të ketë lehtësuar shpirtrat dhe buxhetet e trazuar të familjeve që jetojnë me këto biznese, paketa fiskale e re nuk daravit pasiguritë në treg dhe as largon risqet, dhe as çliron konsumin.
Arsyet se pse pasiguria dhe çoroditja në treg nuk do të largohen të paktën edhe për disa kohë, janë shpjeguar nga vetë aktorët e tregut në këtë numër të revistës “Monitor”, dhe duke i përmendur shkarazi, ato shkaktohen nga politikat ekstreme, të fragmetarizuara, fare afatshkurtra, ndoshta edhe për interesa klienteliste të grupeve të vogla të lidhura me qeverinë (lexo në brendësi). Të gjitha këto perceptime të biznesit mund të rrëzohen nëse për shkak të kësaj pakete fiskale dhe draftit mbështetës të buxhetit, do të rritet konsumi, çka do të thotë më shumë para për të gjithë.
Qeveria, duke shpjeguar rastin paradoksal ku rrit akcizën e prodhimit të birrës dhe verës në vend dhe duke ulur atë të importit, argumenton që pas 15 vitesh, biznesi do të duhet të jetë konkurrues dhe nuk mund të mbrohet me taksat, sepse përbën dështim. Çdo mbrojtje që i bëhet një biznesi në 15 vite është kosto për konsumatorin, sepse i shkon në çmim të rritur. “Ajo që bëjmë ne është mbrojtje konsumatori” tha ministri i Ekonomisë, Ahmetaj.
Që të mbrosh konsumatorin dhe përmes kësaj mbrojtjeje të arrish ta bëjë atë të shpenzojë duhet që në treg ai të gjejë produktet me çmime të lira dhe cilësi të lartë. Por, biznesi shqiptar nuk mund ta ofrojë këtë më shumë se aktualisht, edhe pse qeveria e kërkon me ngulm. Dhe aq më shumë jo për shkak të paketës fiskale. Anketa e Ndërmarrjeve, e publikuar javën e kaluar nga INSTAT, thotë se bizneset e mëdha në Shqipëri, ose rreth 1% e bizneseve gjithsej realizojnë 44.5% të shitjeve, punësojnë 40% të popullatës aktive dhe kryejnë 63% të investimeve. (Kështu ka qenë prej kohësh ky rezultat, duke qenë dhe një nga arsyet që reforma strukturore në ekonomi është më se e domosdoshme). Por këto biznese janë pikërisht më të goditurat, nga ndryshimet fiskale të dy viteve të fundit, kur tatimi mbi fitimin u rrit me 50%, ndërkohë që krahasuar me partnerët në rajon kanë barrën e TVSH-së, tatim fitimin dhe kontributeve më të lartë, së bashku me Serbinë (megjithëse duhet përmendur që kjo e fundit ofron nxitës të shumtë për bizneset që investojnë, si p.sh., 3000 euro për çdo vend të hapur pune). Nga ana tjetër, shifrat e INSTAT tregojnë për një përqendrim të tregut që e bën praktikisht konkurrencën e brendshme të pavlefshme dhe afërmendsh më pak produkte dhe shërbime cilësore dhe konkurruese në çmim. Kjo edhe për shkak se qeveria e shikon gabim përgjigjen vetëm te konkurrenca mes vendit dhe importit, në vend që të mendojë të krijojë një konkurrencë të brendshme. Këtë e dëshmoi ndryshimi i fundit për akcizën, por edhe fakti që sot të nisësh një biznes në Shqipëri, apo të ecësh në të është bërë më e vështirë. Treguesi i “të bërit biznes” u përkeqësua me 35 vende.
Edhe treguesi i konkurrueshmërisë globale flet për një vendosje në shkallët e fundit të biznesit vendas, për shkak të teknologjisë së ulët në procesin e prodhimit. Atëherë çfarë shërbimesh cilësore dhe me çmime të mira do të marrë konsumatori shqiptar, edhe pse i ngelën në duar 20 milionë dollarë më shumë nga ulja e taksave të biznesit të vogël.
Një mision i pamundur është dhe llogaritja e dëmit që shkaktojnë këto ndryshime të shpeshta e aq më tepër brenda vitit dhe me kthesa 180 gradë, të bëra pa paralajmërim, që nuk lënë kohë për planifikim për biznesin.
Të gjitha arsyet që thamë më lart nuk janë shprehur fare në këtë paketë të re fiskale, në të cilën duket qartazi që vendin e biznesit të madh, që rrit dhe çon ekonominë përpara, e ka zënë i vogli që, në Shqipëri, me këtë strukturë ekonomike mund të sjellë vetëm ushqim për familjet, por jo më shumë. Ndaj duket se kjo paketë është bërë për të mbajtur në këmbë qeverinë, por jo ekonominë.