Një kartolinë për veten
Ka një mënyrë të lehtë për të mos u zhgënjyer e të jesh i lumtur:
mos premto e mos merr premtime, mos kërko e as mos jep gjë …mos bëj asgjë.
Në fund, kur Babagjyshi të trokasë në portën e shtëpisë tënde, mos e hap! Nuk ke dhënë gjë e as do të marrësh gjë. Po ky është një iluzion e të tillë rast ku të jetosh pa e jetuar jetën nuk ka.
Atëherë, pse këtë vit patëm zhgënjim kaq të madh kur na premtuan kaq shumë e kërkuam kaq shumë. Pse 100 mijë shqiptarë prej nesh kërkuan t’i largohen vendit. Pse 200 mijë të tjerë presin të ikin??
Pse ne që kemi mbetur po mërmërisim gjithnjë e më shpesh se ky vend nuk bëhet. Pse më i pakënaqur me shqiptarin është shqiptari tjetër?
Mund të ketë dhe me siguri ka shumë arsye që janë mbledhur në vit, por në 2015-n na premtuan, po nuk premtuam se do t’ua marrim, nuk kërkuam ndaj nuk na dhanë, nuk dhamë gjë, ndaj morëm asgjë. Për atë lumturinë ideale vetëm njërin kusht plotësuam: pritëm, ndaj u zhgënjyem. Sa herë që u zgjuam nga ky iluzion, ne fituam. Kështu fitoi biznesi në Gjykatën Kushtetuese kur rrëzoi së fundmi ligjin ndëshkues për gjobat, kështu arritën të mbajnë të frenuar rritjen e taksave. Por këto janë fare pak. Sepse ende na mungon besimi se shumëçka mund të bëhet. Ndaj nëse ndonjëri ka kartolinë për të dërguar këto festa të fundvitit, le t’i dërgojë një edhe vetes, se kemi nevojë të solidarizohemi së pari me veten, nëse ende besojmë se ky vend do të bëhet më i mirë një vit më pas, por ama për këtë duhet luftuar, pa pritur ç’do të na japin.