Kreditë e këqija, mision drejtësie
Treguesi i kredive të këqija në banka është i luhatshëm. Edhe pse arrin të zbresë në ndonjë periudhë të vitit, rritet sërish në muajt pasardhës. Ky destabilitet tregon se nuk është vepruar në mënyrë radikale, që kjo çështje të hyjë në shtratin e sigurisë.
Pati disa rregullime ligjore që lehtësuan peshën, në vitin 2015, duke e zbritur në 17.7%. Kjo ishte rënia më e fortë e të paktën 5 viteve të fundit, por efekti u shuajt shpejt dhe rritja e kredisë së keqe filloi sërish. Në tremujorin e parë të këtij viti, kredia e keqe u bë 18.9% e ose 1.2% pikë përqindje më e lartë se fundi i 2015-s. Ky është një përkeqësim “në bllok”, pasi të gjitha nënkategoritë e kredisë së keqe rezultuan negative. Ky ndryshim i trajektores, mesa duket, po i bën përpjekjet një mision të pamundur, që s’mund të përballohet vetëm nga Banka Qendrore.
Analiza bën të qartë se ulja e konsumit dhe kapaciteteve prodhuese të biznesit dhe rënia e kredisë së re janë disa shkaqe që lidhen drejtpërsëdrejti në rritjen e peshës specifike të kredisë së keqe. Por zinxhiri shkak-pasojë nuk është kaq i shkurtër.
Ishte prilli i vitit të kaluar (viti më i mirë për treguesin e kredisë së keqe!) kur Guvernatori Sejko u shpreh qartë se “Banka e Shqipërisë nuk mund të ofrojë e vetme zgjidhje për të gjitha çështjet që pengojnë kreditimin dhe se ulja sistematike e rrezikut të kreditit duhet të trajtohet si një çështje me interes kombëtar, e cila duhet të bëhet objekt i punës së koordinuar mes autoriteteve publike në vend”.
Rritja e kredisë për ekonominë e lidhur drejtpërdrejt me rritjen ekonomike do të ulte teknikisht edhe peshën e kredisë së keqe, ndaj kjo përpjekje bën sens. Megjithëse konstatimi i guvernatorit ishte me peshë dhe i paanatemuar, ai duket se u neglizhua nga autoritetet e tjera publike, të cilat e thirrën për ndihmë Guvernatorin. Sepse sot ekonomia është në të njëjtin shtrat pasigurie e lëngate, ndaj edhe treguesit e kredisë së keqe “premtojnë”: të mos ulen. Mirëpo bankat nuk mund të mbyllin sportelet e të presin derisa ekonomia të shëndoshet. Ato sot po përballen me një tjetër betejë: pamundësinë për të rikuperuar kreditë e këqija përmes ekzekutimit të kolateralit. Kjo është një betejë e madhe, e cila ka shifrat e 22 miliardë lekëve të bllokuara si asete.
Ashtu siç guvernatori e lidhi me të drejtë çështjen e kreditimit me interesin kombëtar, ashtu edhe kjo betejë e dytë e bankave duhet parë si e tillë. Sepse gjykojmë se shitja e kolateraleve të kredive të këqija nuk është thjesht çështje e tregut imobilar, as çështje kërkesë – oferte dhe as çështje e aftësive menaxheriale të bankave për të qenë të zonja për të shitur pronat e mbetura stok.
Për ta bërë më të qartë këtë përfundim po ngremë disa pyetje. Që bankat të mund të bëjnë likuide asetet e ngrira duhet që dikush t’i blejë.
Por, a mundet sot qytetari të blejë një pronë, kur dëgjon çdo ditë se pronësia e tij mund të ndryshohet nga kërcënimet e dhuna e të “fortëve” me armë.
A mundet qytetari të blejë një pronë kur janë pafund raste që të korruptuarit në administratë dhe gjykata, mund t’i ndërrojnë titujt e pronësisë, sipas modelit e “merr kush paguan më shumë”.
Kush mundet të blejë një pronë, kur titujt e pronës mbeten të paqartë me disa variante (tokë babe, tokë nëne e tokë me certifikatë etj.)
Nuk mund të blihet pronë në një mjedis të korruptuar e ku sipas anketimit të fundit të zyrës së BE në Tiranë, 4 në 5 shqiptarë kanë pak besim te politikat antikorrupsion të qeverisë (ky është rezultati më i ulët i 15 viteve të fundit). Në mjedisin shqiptar, ku krimi e korrupsioni ka arritur deri në nivelin më të lartë, prodhohet shumë pasiguri, ndaj edhe çështja e kredive të këqija nuk gjen zgjidhje vetëm brenda sistemit financiar. Prona duhet të ishte titull, por është bërë çështje drejtësie me interes kombëtar. Ndaj dhe bankat nuk duhen lënë vetëm në betejat e tyre.