Gëzim i trishtë!
Lajmi i qeverisë se do të lehtësojë taksën për pronën pas rivlerësimit të saj me çmimet korrente është veçse gëzim i trishtë për shumicën e popullsisë. Në draftin e bërë publik këtë fundjavë, qeveria shprehet se, nëse qytetari apo biznesi, një pronë të paluajtshme e rivlerëson me çmimet aktuale, diferenca mes dy çmimeve do të tatohet vetëm 2%. Ndaj, nëse prona nesër shitet, megjithëse taksa mbetet 15% nga rivlerësimi, detyrimi që duhet paguar do të jetë i vogël në krahasim me një pronë të parivlerësuar me çmimet korrente.
Kështu siç thuhet, duket se ia vlen. Dhe vërtet ia vlen! Por, sa përfitojnë prej saj? Përfiton vetëm ajo pjesë e popullatës që ka se çfarë të shesë.
Sipas Censusit të fundit, ende 20-40% e familjeve shqiptare (në varësi të zonave) jetojnë në banesa të ndërtuara përpara viteve ’90. Nga viti 2001 deri më 2011, vetëm 10% e popullsisë ka ndërruar vendbanim, pa ka lëvizur nga një banesë në tjetrën, 20-30% e banesave janë të pabanuara, ndërkohë që vetëm në vitin 2011, 43% e banesave janë bërë me më shumë se tre dhoma. Këto të dhëna indirekte tregojnë se aftësia e shqiptarëve për të gjeneruar pasuri të reja të paluajtshme është e vogël dhe se ritmi i shitjes dhe blerjes së një banese është mjaft i ulët. Për shkak të të ardhurave të ulëta dhe ritmit të ngadaltë të rritjes së tyre (më i ulëti në rajon), pasuria e shumicës së shqiptarëve janë shtëpitë e banimit. Pra, a mund ta shesin ata këtë banesë për të blerë një tjetër, apo dhe më shumë, a kanë ata aftësi të blejnë një shtëpi të dytë e dikush tjetër të shesë një shtëpi të dytë? Kjo u ndodh vetëm të pasurve. Ndaj, lajmi i ri i qeverisë do të gëzojë vetëm ata. Dhe, nëse të tjerët do të kenë një shans mund të përfitojnë, por në një të ardhme të largët. Për këtë arsye, kjo pjesë e madhe e popullatës nuk do të jetë e gatshme të paguajë në avancë qoftë edhe 2% të diferencës që vjen nga rivlerësimi i pronës, pasi nuk shqetësohet se çfarë do të ndodhë me taksat nëse do ta shesë atë, sepse nuk ka çfarë të shesë, se nuk ka ku të banojë.
Nga ana tjetër, tentativa “për të shërbyer” këtë nismë qeveritare si një ndihmë për popullsinë, është deformuese. Mazhoranca e majtë po jep një tjetër dëshmi se po i gatuan politikat ekonomike në favor të shtresave më të pasura, duke harruar ata të cilëve iu kërkon dhe iu mori votën. Edhe ky vendim i fundit tregon se ajo është e fokusuar në politikat e saj fiskale, te prona dhe jo te puna, sepse qeveria nuk po bën asnjë përpjekje, nuk po jep asnjë sinjal se taksa mbi punën, e cila arrin deri në 23%, do të ndryshojë. Ajo sjell si propozim diçka që nuk i hyn në punë shumicës së popullatës dhe që ka vlerë për kohë të gjatë, ndërkohë që efektin e menjëhershëm, më të drejtpërdrejtë dhe më të madh e jep tek ata që kanë pasuritë.
Qeveria po përgatitet edhe për një falje të borxheve të prapambetura të bizneseve, kush e si u krijuan kaq shpejt, sërish në kaq pak vite, që nga amnistia e fundit e demokratëve në fund të mandatit të tyre. Falja, sërish shpëton e lehtëson ata që kanë, ose kanë mundësi të bëjnë gjëra. Por nuk ndodhi kështu me të varfrit kur nuk kishin me se të paguanin energjinë elektrike. Megjithëse tashmë janë bërë disa përpjekje për të lehtësuar këto shtresa (për energjinë elektrike), ato mbeten sërish shumë pak, sepse lehtësinë nuk rrahin tek aftësia për të krijuar të ardhura, por nga lehtësia për të shpenzuar. Ndërkohë të pasuritë edhe mund të falen, nëse gabojnë.
Në vend po tentohet të nisë një reformë në drejtësi, por shumicës së shqiptarëve iu mungon e drejta për të rritur mirëqenien përmes punës. Këtë të drejtë e kanë vetëm të pasurit.