Ekonomia, gëzim fëmijëror
Sezoni i verës është në pikun e tij dhe ndoshta kjo është një arsye psikologjike pse në tregje ka optimizëm të shtuar. Ndoshta edhe daljet e shpeshta të qeverisë, që premton se nuk do të jetë kaq agresive sa ka qenë me biznesin, japin një arsye tjetër. Por të dyja këto shpjegime janë të pamjaftueshme dhe periferike.
Në fillim të javës së kaluar, Guvernatori i Bankës Qendrore lexoi konkluzionet periodike për ecurinë e ekonomisë. Tabloja e pasqyruar, herë të ngroh e herë të ftoh. Banka tha se për pesë muajt e parë të vitit pati rritje të kredisë ekonomike dhe ky është një sinjal i mirë se tregu po tregon aftësi dhe guxon të tërheqë kapital për të investuar, duke rrëzuar disa barriera psikologjike dhe kapitalesh të krijuara nga borxhet e akumuluara. Por kjo është e pamjaftueshme, sepse jo vetëm shifra është nën nivelin mesatar, por ngërçi i madh i kredive me probleme ende nuk është zgjidhur. Kreditimi nga bankat, përveç të tjerash, po bëhet i vështirë pikërisht për këtë arsye që mbetet madhore.
Arritje e momentit është edhe inflacioni, i cili është 1.2% me bazë vjetore, por nuk ka rënë më poshtë, pasi presionet deflacioniste nga jashtë kanë rënë. Ky, gjithsesi, është nivel i ulët, por më mirë kaq sesa më poshtë. Ka rritje të konsumit, që evidentohet edhe nga shtesa në importe, por banka thotë se problem mbetet eksporti. Mosrritja e dy sektorëve, industrisë dhe bujqësisë, që duhet të ishin mbështetja afatgjatë e ekonomisë, e mbajnë shumë të brishtë rritjen ekonomike të momentit, afër 3%.
Kjo stinë ka një veçanti, sepse për shkak të lëvizjes më të madhe të popullatës për pushime dhe dëfrim nga njëra zonë në tjetrën brenda vendit, ka rritur ekonomitë lokale edhe në skajet më të thella në Veri e Jug, që në pjesën tjetër të vitit janë gati të fjetura. Por, edhe kjo është një situatë e përkohshme, megjithëse vlen për pak ngazëllim ekonomik në këtë pjesë të vitit.
Edhe Banka Qendrore, si shumë të tjerë, ra në kurthin e përfitimeve që mund të vijnë shumë shpejt nga miratimi i reformës në drejtësi. Të gjithë po presin me “gëzim”, a thua se reforma e miratuar me konsensusin e përvuajtur të 140 deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, do të zgjidhë si me çelës magjik gjithçka, sepse sikundër po bëhet e qartë dita-ditës, reforma mund të përshpejtojë procesin, por jo gjithçka në ekonomi varet prej saj… Por edhe këto arsye na çojnë vetëm në një përfundim, se nuk po rritemi shpejt dhe as i kemi zgjidhur problemet madhore, por… nuk po biem më poshtë. Ekonomia është veshur me tis gëzimi fëmijëror, thjesht pa ndonjë shpjegim të qenësishëm, por i mjafton fakti që edhe pse gjërat janë keq, për momentin nuk po bëhen më keq. Këtë shije morëm edhe nga të dhënat e raportit të Bankës së Shqipërisë për ekonominë e kësaj pjese të kaluar të vitit.