Checkup-i falas për ekonominë
Raporti i Konkurrueshmërisë Globale, ku skanohet edhe Shqipëria, ka dalë në momentin e duhur. Megjithëse qeveria e re ka shpallur një program, ka kohë të mjaftueshme të vetëkorrigjohet mbi konkluzionet.
Shqipëria u rendit më mirë këtë herë, duke u ngritur 5 vende në listën globale e duke qenë e para ndër vendet e rajonit. Ky rezultat jo i keq është meritë e performancës makro me stabilitet financiar të konfirmuar dhe rritje ekonomike. Për qeverinë, e cila pret që rritja ekonomike të jetë te 4%, mund të jetë një argument i mjaftueshëm.
Por parametrat e një ekonomie të shëndetshme dhe të qëndrueshme janë të tjerë. Analiza më e detajuar që vjen edhe nga ky raport tregon se ekonomia mund të ketë krijuar stabilitet në parametra tregues të përgjithshëm të statusit të saj, por kundrejt kësaj situate ” rozë” ende nuk janë adresuar realisht zgjidhjet e problemeve.
Ky konkluzion përforcohet së paku nga dy raportet më të fundit. BMI FITCH, e cila është një ndër tre institucionet e vlerësimit të riskut më të besueshme ndërkombëtare, është shprehur së fundmi se, ndonëse ka rritje ekonomike, nuk premton bum aq sa të prodhojë mirëqenie të sigurt për afat të gjatë. Edhe TradingEconomist, e cila merr në analizë rritjet ekonomike në raportin e saj të fundit, vëren se të ardhurat mesatare të popullatës mbeten sa 37% e mesatares globale dhe se ritmi i rritjes ekonomike do të mbetet për shumë vite diçka më shumë se 3%.
Pra ka një parashikim jo optimist që thotë se, pavarësisht rezultateve periodike, shumatorja e faktorëve përveç treguesve makro, tregojnë se ekonomia kombëtare ka ende probleme të mëdha të paadresuara për zgjidhje. Vetë raporti i konkurrueshmërisë zbulon një pjesë të tyre. Të pyetur se çfarë e pengon zhvillimin e tyre, bizneset shprehen se janë taksat dhe korrupsioni. Të dyja këto arsye janë tashmë sëmundje kronike të ekonomisë prej disa vitesh, të cilat po prekin edhe pjesë të tjera të shëndetit ekonomik të vendit.
P.sh., për shkak të korrupsionit dhe taksave të larta, ka një shkallë të lartë të informalitetit. Në një raport të IDM Albania, bizneset janë shprehur vullnetarisht se gati 80% e tyre zhvillojnë një pjesë të aktivitetit në informalitet. Tatimet, edhe pse e kanë të ulët vlerësimin, vënë alarmimin se 60% e bizneseve bëjnë evazion në TVSH dhe 40% në Tatimin mbi të Ardhurat.
Një tjetër rast i trajtuar këtë numër në revistën “Monitor” është tregtia e miellit me Serbinë, ku bizneset shqiptare, që kanë investuar mbi 150 milionë euro në industrinë përpunuese po shkojnë drejt mbylljes, për shkak se qeveria nuk po arrin të garantojë rregulla të barabarte loje mes sipërmarrjeve shqiptare dhe atyre rajonale. Është rast tipik i një beteje të humbur në konkurrencë.
Këto rezultate që renditëm nuk është se nuk kanë ekzistuar në përmasa gati të njëjta edhe më parë. Por, fakti që ato ende ekzistojnë, po dëshmon se nuk ka një qasje të drejtë për zgjidhje e tyre, duke gabuar në recetë. Diagnoza e shëndetit të ligsht është përcaktuar prej kohësh nga shumë “mjekë” të ekonomisë, të cilët përmendin si shkaktarë kryesorë korrupsionin dhe taksat. Por as këtë herë nuk është dhënë as një dëshmi e fortë se ka përpjekje në këto dy drejtime për të ndryshuar gjërat. Ndaj ekonomia ngado që ta rrotullojmë nuk do të garantojë përparim të dukshëm sikundër vlerësohet nga ndërkombëtarët, të paktën edhe për një dekadë.