Dhe çfarë nëse nuk lexojmë?!
Të gjithë u ndiem ligsht kur mësuam zyrtarisht (INSTAT) me shifra se, mbi një milion nga ne shqiptarët mbi 25 vjeç, gjatë vitit të kaluar, nuk patën mundësi të lexojnë asnjë libër. Por ky rezultat nuk ka pse na habit, siç habiti dhe nxiti komentet e “të zgjuarve” ndaj “injorantëve”
Arsyet mund të jenë të ndryshme dhe mbase në shumë raste të përkohshme/rrethanore, duke qenë edhe anketimi i parë i këtij lloji.
Megjithatë, nuk mund të themi se rezultati ishte i papritur (të paktën botuesit e librave e kanë shprehur këtë shqetësim disa vite më parë).
Duke i shmangur të gjitha arsyet e tjera, një mbetet primare dhe e rëndësishme.
Sipas Bankës Botërore, në një studim të rreth 5 viteve më parë, mbi 57% e të rinjve mbi 15 vjeç në Shqipëri janë analfabetë funksionalë, rezultat shumë i lartë krahasuar edhe me vendet e rajonit, me të cilat kemi problematika të ngjashme ekonomike dhe sociale.
Sipas interpretimit formal, termi analfabet funksional përshkruan çdo individ që di të lexojë e të shkruajë, por nuk e di kuptimin e asaj që shkruan dhe lexon. Ndaj shqiptarët që nuk lexuan, mirë bënë, sepse të paktën gjysma e tyre, që tani është rritur në moshë që nga koha që Banka Botërore bëri studimin, nuk di të kuptojë se çfarë lexon.
Ironia e shprehur në radhët më sipër, në fakt, nuk është cinizëm por shprehje e indinjatës se pikërisht shkaku i këtyre zhvillimi të mangët human prej leximit të pakët buron në një pjesë të madhe nga cilësia e dobët e arsimit dhe edukimit.
Në të gjithë treguesit që lidhen me zhvillim human, Shqipëria vazhdon të mbetet mbrapa. P.sh., në renditjen e PISA (aftësia për të rritur cilësinë e arsimimit) jemi vetëm 17 vende nga fundi në renditjen e OECD-së. Edhe mbështetja buxhetore në arsim është më e ulëta në rajon (3.1% e PPB) ndërkohë që qeveria parashikon uljen edhe më tej të kësaj shifre, të paktën tre vitet në vijim.
Por shqetësimi më i madh nuk është e tashmja, por e ardhmja. Njeriu që punon, ndoshta nuk ka kohë edhe të lexojë një libër artistik. Por enkas i përballëm këto shifra për të kuptuar se nuk është çështja a lexojmë apo jo, por a i kuptojmë gjërat. Sot shumë prej nesh nuk i kuptojnë.
Mirëpo të gjithë kanë të drejtë të votojnë nesër dhe ky kontingjent është lehtësisht i manipulueshëm nga politika. Ndaj siç ndodhi në zgjedhjet e fundit, liderët pa drojën e turpit se nuk kishin program qeverisje, por duke mbajtur njërën dorë “në tepsi” dhe tjetrën “në revani” (i pari term i përdorur nga e majta dhe i dyti nga e djathta) arritën t’i merrnin vota shqiptarëve.
Ashtu siç ekspertët e përshkruajnë, analfabeti funksional, jo vetëm që nuk kupton, por nuk ka as aftësinë për të transmetuar dhe për të adresuar siç duhet problemet e tij dhe as rrit vlerën e komunitetit. Ndaj për pasojë, edhe Shqipëria del nga normalja e saj për t’ju nënshtruar zgjedhës së varfërisë intelektuale. Nga ana tjetër, si çdo teori apo studim evidenton, vetëm një arsim cilësor e rrit dhe punësimin. Ndaj nëse nesër do të ulemi të lexojmë, do të duhet të kuptojmë se pse e bëjmë dhe jo për statistikë.