Fatura e keqadministrimit, duhet një rrugë tjetër për ta paguar
Fatura e keqadministrimit të ekonomisë nga Rilindja e ka edhe një shifër konkrete. Më e pakta, 1 miliard euro, aq sa është edhe fatura e koncesioneve të dhëna sipas formulës së famshme të tre “P”-ve.
Për koncesionet,Rilindja ka pasur mjaft argumente dhe institucione të forta kundër për të mos e trashur zullumin. BE ka paralajmëruar me fakte se, kjo formulë,ka sjellë më shumë dëm në vendet anëtare të saj. FMN është shprehur e alarmuar për barrën e borxhit progresiv që ato u shtojnë shqiptarëve në të ardhmen.
Të tjera institucione dhe aktorë kanë qenë të paqartë për leverdishmërinë diskrete të projekteve me kosto ndërtimi të shumëfishuara. Të gjitha këto fakte, ne i kemi prezantuar herë pas here në revistë. Së fundmi, në shkrimin kryesor të kësaj jave (lexo: Dështimi i paralajmëruar) prezantohen dhe analizohen të dhënat edhe për pamundësinë financiare që bizneset e koncesioneve kanë për të zhvilluar me paratë e tyre, në fazë të parë, këto projekte. E megjithatë, këmbëngulja e habitshme e qeverisë “mavi”ishte e fortë, sa logjika nuk e rrekte se ajo do të tërhiqej kaq befas.
Ka edhe mjaft raste të tjera kur Rilindja po keqadministron ekonominë me vendimmarrje, që luhaten nga njëri skaj në tjetrin. Paketa e re Fiskale ishte një e tillë, një arnë e dobët gjithsesi, që korrigjonte gabimet e vendimeve të kaluara. Edhe vendimi për të dhënë koncesione për HEC-e vendore është një i tillë. U dhanë me qindra licenca në mandatin e parë, po ngrijnë në mandatin e dytë. U reklamua fort turizmi mbi modelin e resorteve turistike, u hoq dorë, duke na thënë se janë hotelet me 5 yje më të leverdishëm etj., etj.
Kjo sjellje politike kontradiktore, ku Rilindja na shfaqet kundër Rilindjes e Rama kundër Ramës, por që të tjerët e kanë fajin, është kthyer në një model qeverisje dhe që tani që ka marrë formë dhe është bërë i qëndrueshëm,ka vetëm një shpjegim:qeverisje klienteliste me politika të përkohshme, që kënaqin rrethet afër pushtetit, sipas interesit të çastit.
Kur paratë mbarojnë e balta ka dalë në sipërfaqe, ajo tërhiqet, duke iu shpërfaqur qytetarëve si një qeverisje e përgjegjshme dhe e vetëkorrigjueshme. Por, në fakt, është faqja tjetër e së njëjtës fytyrë.
Protesta e studentëve, indinjata e ashpër e banorëve në zona turistike të mbrojtura ku ndërtohen pa asnjë kriter vepra me koncesione, revolta e banorëve që ju prishen shtëpitë nga koncesione me letra false po tregojnë se Shqipëria kërkon të ecë në një tjetër rrugë.
Secili do të jetë ky drejtim i ri, qytetarët nuk po e gjejnë, as nga Rilindja, që vetëm dredhon nga shtegu i vjetër, por as nga opozita. Siç mësuam këtë javë, ajo do të ndjekë të njëjtën rrugë si më parë: bojkot Parlamentit, protesta në rrugë dhe më pas, një marrëveshje politike për qeveri teknike deri në zgjedhje. Është i njëjti aksion politik i ndjekur edhe përpara zgjedhjeve të fundit elektorale që nga marrëveshja e pranverës ku rilindi e njëjta Rilindje.
Megjithëse ka fakte e shifra plot, motive të forta që do të kishin ndalur çdo qeverisje tjetër në botën e qytetëruar, kjo vështirë duket se mund të ndodhë në Shqipëri. Kërkojmë të ndryshojmë, por po ecën në të njëjtat rrugë. Ndaj, vendi ka nevojë për një tjetër drejtim, një tjetër udhëtim që e çon më afër aspiratave të qytetarit. Fatura që kemi për të paguar është e lartë, por ajo do paguar ndryshe.