A duhet të kemi zgjedhje në qershor?
Nëse situata në Shqipëri do të ishte normale, e sigurt që askush nuk do të pyeste: a do të kemi zgjedhje elektorale në qershor? Logjika dhe funksionimi i demokracisë e përjashtojnë vetvetiu opsionin e kundërt. Por, fakti që kjo pyetje tani po e shqetëson publikun, daç edhe elektoratin e majtë, do të thotë fare thjeshtë që ka një problem.
Megjithatë, mazhoranca qeverisëse e Rilindjes, e cila nuk pajtohet me faktin që ka një krizë, thotë se zgjedhje do të ketë, duke hedhur në fytyrën e shqiptarëve dorashkën e sfidës për duelin e qershorit e duke na bërë të ndihemi anormalë e të përjashtuar të gjithë ne që pyesim a do të ketë zgjedhje në qershor.
Por, a jemi në situatë normale, ashtu siç pretendon Rilindja?
Sot, pas gati 3 dekadash që nga shembja e komunizmit dhe zgjedhjeve të para pluraliste, jemi në një krizë që po tenton të shkërmoqë themelet e ngrehinës së demokracisë. Sepse pushteti kokëfortë po rrezikon t’i çojë shqiptarët në zgjedhje pa opozitën, e cila ka djegur mandatet dhe po proteston në rrugë. Kjo nuk ndodhi në fillim të ‘90, atëherë kur ende metastazat e komunizmit kishin nerv, por mund të ndodhë në qershor. Por, në vend të ecim përpara, fletët e historisë po i kthejmë mbrapsht, duke nënshkruar aty dështimin e për të ndërtuar një demokraci të shëndetshme, sepse me zgjedhje pa opozitë shqiptarët humbin garancitë kushtetuese për të mbrojtur nga diktatura pushtetin.
Sot, pas dy vitesh, kemi ngelur te guri kilometrik që tregon për hapjen e negociatave, por dera e BE-së qëndron e mbyllur. Që nga 2001, kur erdhi rekomandimi për MSA e deri më sot, kanë kaluar 18 vjet dhe Shqipëria mbetet ende e padëshiruar në dyert e Bashkimit Europian.
Sot, vendi ka mbetur prej kohësh pa Gjykatë Kushtetuese, institucioni më i lartë i drejtësisë që garanton demokracinë dhe liritë.
Sot nuk kemi as Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që duhej të zëvendësohej nga institucionet e reja të Vettingut, si një nga shtyllat e sundimit të ligjit në vend.
Sot, publiku ka në dorë më shumë fakte që tregojnë qartë se grupet e krimit mbledhin dhe ushtrojnë presion mbi votën e lirë, në këmbim të favoreve nga pushteti dhe ku haptas në dosjet e hetimit shfaqet sesi shteti i shqiptarëve i është gjunjëzuar pushtetit të botës së errët.
Sot kemi një ligj për dekriminalizimin, sepse u pa dhe u provua se krimi ka mësyrë republikën dhe ka hyrë në Kuvend.
Sot, shqiptarët, njësoj si dikur, po emigrojnë masivisht larg vendit të tyre.
Sot, paga minimale e një shqiptari është 26 mijë lekë dhe është rritur të paktën 10 vitet e fundit, me diçka më shumë se 70 lekë!!
Sot, më keq se në ‘90, Shqipëria renditet në krye të vendeve të Europës për analfabetizmin funksional, por në fund për cilësinë e arsimit dhe shëndetësisë, duke u përpëlitur në krizën e padijes, siç na treguan protesta e studentëve.
Nëse këto fakte për pushtetin tregojnë normalitet dhe për gjithë ne të tjerët janë dëshmia se “po xhirojmë në vend”, atëherë cilin popull po qeveris Rilindja?
Le ta hamendësojmë një moment se këndvështrimi ynë drejt asaj që quhet normal dhe anormale është i gabuar dhe për këtë shkak, zgjedhjet nuk ka pse të mos zhvillohen në qershor. Por ne pyesim sërish:
A do të jetë pas këtij momenti dhe pas këtij akti, më mirë Shqipëria?
A do të përshpejtohet procesi i integrimit? Vendet e BE-së, deri tani, thonë jo.
A do të përmirësohet pas qershorit klima e biznesit? Sipërmarrësit thonë jo, sepse kërkojnë dialog dhe zgjidhje të krizës përpara kësaj date.
A do të jetë më e fortë demokracia dhe shqiptarët më të përfaqësuar në pushtet? Nëse opozita përjashtohet, atëherë dhe kjo është një Jo e madhe.
A do të rritet cilësia e arsimit, shëndetit, a do të paguajmë më pak taksa nëse zgjedhjet zhvillohen në qershor? Nëse klima politike mbetet konfliktuale dhe e ndezur në skaje, asnjë magji nuk e shpëton Rilindjen nga karma e keqe e këtyre dy mandateve.
Përkundrazi, dialogu dhe afrimi i palëve sikundër po kërkohet nga të gjithë, edhe nga ndërkombëtarët, do të qetësonte situatën, duke na kthyer në normalitet dhe do t’i krijonte Shqipërisë qetësi dhe për rrjedhojë edhe më shumë shanse për të përparuar.
Nëse anormalja në këtë vend po reklamohet si normale, edhe ku Rilindja shpreson dhe vazhdon të propagandojë që kjo të besohet edhe nga shqiptarët, demokracia pa opozitën nuk është normale, as anormale… por diktaturë dhe këtë shqiptarët e dallojnë shumë më mirë se çdo popull tjetër, siç e dalluan në ’90, edhe pse të mbajtur nën dhunën e errësirës për gati gjysmëshekulli.
Ndaj, zgjedhjet e qershorit nuk janë një opsion i mirë, as për vetë mazhorancën, pasi nuk mund të qeverisë e as mundet të Rilindë dot më nga hiri i zjarrit që nuk do ta shuajë.