Kohë të çmendura dhe poezia me e çmendur e Dritëroit
Ditë e Enjte, 13 Qershor 2019
Parlamenti bëri thirrje: “Të izolojmë dhe shkarkojmë Presidentin e Republikës se është çmendur”.
Ditë e Premte, 14 Qershor 2019
Presidenti i Republikës bëri thirrje: “Të izolojmë të çmendurit” duke drejtuar retorikën nga mazhoranca e majtë parlamentare dhe qeveria…
ose…
…e thënë më qartë, duke nënkuptuar ata që u kanë imponuar institucioneve qëndrimet që kanë sjellë zhvillime e situata absurde.
Si ka mundësi u çmend brenda ditës Presidenti i zgjedhur nga pothuaj e njëjta mazhorancë?”…
…Si u çmend kaq shumë në numër deputetësh dhe kaq shpejt Parlamenti i zgjedhur nga sovrani…?
Kush tjetër do të jetë i çmenduri i kësaj jave?
A mos vallë, përjashtuar gjithë të tjerët, ne publiku jemi çmendur e gjithçka, përveç nesh, është normale?
Për të kuptuar këtë situatë paradoksale, e gjetëm me vend që t’ju sugjerojmë në vend të editorialit tipik, të lexoni një poezi të Dritëro Agollit, të cilit e majta politike në vend i përulet si dishepull.
I ndjeri Dritëro, të ishte ende mes nesh, nuk do t’i kishte shtuar e as hequr poezisë së tij asnjë fjalë apo varg:
Në vendin tim e në vendin tënd
E shpojnë lakrën, i hedhin mënd.Në vendin tim e në vendin tënd
Ty të kruhet, tjetrit i dhëmb.Në vendin tim e në vendin tënd
Hënën si petull e pjekin në shkëmb.Në vendin tim e në vendin tënd
Një i çmendur, një vend e çmënd.
Lexues të nderuar, lexojeni këtë poezi secili sipas dëshirës suaj, por ju këshillojmë, duke parë një herë nga e Majta dhe një herë nga e Djathta. Dhe, pastaj, lexojeni në kontekstin e rinisë suaj apo të ditëve të sotme.
Është një sugjerim i yni, për ta shijuar plotësisht kënaqësinë që të jep ajo.
Dhe jemi të sigurt që do të tundni kokën e do të miratoni në heshtje se, edhe pas kaq shumë vitesh që kur kjo poezi lindi dhe pavarësisht se kë identifikoni me “të çmendurin” e vargut të fundit, “Ai” po na çmend të gjithëve.