Pak karburant për motorin e turizmit
Katër vjet më parë, sipërmarrësit shqiptarë kapën në ajër një mundësi të artë biznesi. Me Turqinë që ishte e “zënë” mes konfliktesh civile e akte terroriste dhe trazirat në Lindjen e Mesme, agjencitë më të mëdha të turizmit ishin në kërkim të destinacioneve të reja për klientët e tyre. Jo rastësisht, vendi i shqiponjave hyri në radarin e tyre.
Me bukuri natyrore të diversifikuara, nga deti te lumenjtë, liqenet e malet brenda një sipërfaqeje të vogël prej 28 mijë metra katrorë, dhe një të kaluar sa historike, aq edhe interesante, Shqipëria dukej se ofronte mundësinë për të gjitha llojet e turizmit, detar, malor, të aventurës, historik e deri tek ai fetar, të gjitha këto me një kosto relativisht të lirë në raport me vendet fqinje.
Mediat e huaja, nga ana e tyre, po shkruajnë pa pushim për qytetet e Shqipërisë, destinacionet e aventurës dhe plazhet që në Jug i krahasojnë me Karaibet, duke nxitur ardhjen e turistëve rastësorë, me çanta shpine, të tërhequr kryesisht nga turizmi i aventurës.
Agjencitë e huaja, fillimisht ato polake e më pas dhe nga vendet nordike nisën të parablejnë dhomat në hotele, kryesisht në bregdetin e Golemit. Parapagimi dhe kërkesa e garantuar nxitën sipërmarrësit të investonin me shpejtësi rekord në shtimin e kapaciteteve, duke përdorur dhe kreditë e bankave. Të dhënat e INSTAT tregojnë se investimet në hoteleri po rriten me ritme të shpejta. Në total, për vitin 2016, u dhanë 11 leje ndërtimi, ndërsa në vitet në vijim, 2017 dhe 2018, u dhanë përkatësisht 53 dhe 75 leje. Ritmi i rritjes ka vijuar edhe gjatë 2019-s, sikurse tregojnë të dhënat paraprake, ku vetëm sipërfaqja e dhënë në tre muajt e parë është sa dyfishi i sipërfaqes së dhënë gjatë vitit të kaluar.
Pritshmëritë deri tani nuk kanë zhgënjyer. Në 6 muajt e parë të këtij viti, Shqipërinë e vizituan një numër rekord prej rreth 2.2 milionë të huajsh, me një rritje prej 11.3% me bazë vjetore, sipas INSTAT. Në një efekt zinxhir, turizmi po nxit, po me shpejtësi të njëjtë, zhvillimin e një sërë sektorësh të tjerë, duke nisur nga biznesi i restoranteve, argëtimit, birrës e pijeve alkoolike, makinave me qira, suvenireve e më pak bujqësisë, e cila vuan nga problemet e shumta strukturore (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Ardhja e turistëve ka qenë si një “bekim” për konsumin, që po ndiente pasojat e emigracionit që është gjallëruar dukshëm së fundmi.
Shteti ka qenë një aktor më shumë pasiv sesa aktiv në këtë zhvillim të shpejtë. Infrastruktura mbështetëse po ecën shumë ngadalë në raport me hapat galopantë që po zhvillohet turizmi. Ndërsa hotelet u ngritën edhe brenda dimrit, rrugëve në zonat turistike iu deshën ndonjëherë edhe tre vjet të mbaronin, edhe pse bëhej fjalë për pak kilometra. Ndriçimi, pastrimi nga plehrat lë shumë për të dëshiruar.
Transporti urban është larg të qenët bashkëkohor, stacionet kanë vetëm një tabelë të vogël dhe shpesh “Google maps” të tregon si mënyrën e vetme për të udhëtuar, taksinë. Pikërisht për këto “vogëlsira” mungon vëmendja, ndërsa fokusi iu dha gjërave të mëdha hoteleve me 5 yje, që përfitojnë nxitës të shumtë fiskalë. Shpesh, harrohet që ambientit rrotull nuk mund t’i japësh më shumë se një apo dy yje. Përveç mbështetjes së agroturizmit, nuk po shihet ndonjë përpjekje serioze për të lidhur prodhimin bujqësor me kërkesën e hotelerisë.
Teksa u zhvillua me shpejtësi, më shumë duke ndjekur instinktet dhe pa një strategji të bashkërenduar me qeverinë, edhe vetë sektori po vuan problemet e veta. Cilësia e shërbimit shpesh lë shumë për të dëshiruar. Bizneset po hasen me mungesë të fuqisë punëtore dhe lëvizshmëri të lartë të tij, për shkak të tendencës për të emigruar dhe mungesës së dëshirës për të punuar me sezone.
Investimet e vazhdueshme të bizneseve po i detyrojnë ata të rrisin çmimet, duke humbur gradualisht një nga avantazhet kryesore të tyre (rënia e numrit të turistëve polakë ishte sinjali i parë që ky shtrenjtim mund ta ndikojë negativisht sektorin). Edhe vetë ambienti i jashtëm nuk është më i favorshëm, me Turqinë që është sërish një yll në ngjitje.
Turizmi është gjëja më e mirë që i ka ndodhur ekonomisë së fundmi. Bizneset, me instinktin e tyre të pagabueshëm e kapën shansin, duke u përpjekur të korrigjojnë gabimet rrugës. Tani është radha e shtetit t’i japë karburant sektorit dhe zinxhirit që po zhvillon ai.