Nuk e kemi luksin për të mos bërë biznes!
Raporti i përvitshëm “Të bësh biznes” i Bankës Botërore është guida e parë e çdo investitori të huaj, që do të hyjë në një treg përkatës. Në një tabelë të vetme, ai mund të vlerësojë brenda pak minutash se cili mund të jetë shteti më i përshtatshëm ku do të investojë milionat e radhës.
Barra e taksave, lehtësitë e procedurave për hapjen dhe mbylljen e një biznesi, mbrojtja e investitorëve, marrja e kredisë, regjistrimi i pasurisë, marrja e një leje, zbatimi i kontratave, sigurimi i energjisë e kështu me radhë janë lehtësisht të krahasueshme për të gjitha vendet e botës.
Po nëse Shqipëria do të donte të joshte një investitor, çfarë do t’i ofronte?! Në publikimin e “Të bësh biznes 2020”, ajo është ndër të fundit në Europë, e 82-a këtë vit, me një përkeqësim prej 19 vendesh. Fqinjët tanë janë shumë më mirë. Maqedonia, që në vite pothuajse ia ka marrë të gjithë investitorët Shqipërisë dhe për ironi, reklamon Portin e Durrësit si dalje në det, është në vend të 17. Serbia, Mali i Zi janë sërish të pozicionuara shumë më mirë se ne. Mund të krahasohemi vetëm me Bosnjën, shtetin problematik që vuan nga burokraci të shumta, për shkak të ndarjes në tre entitete.
Në renditjen e korrupsionit të “Transparency International”, Shqipëria mban sërish kampion.
Reforma në Drejtësi që do të jepte pak shpresë po zvarritet pa fund. Avantazhi i vetëm na mbetet krahu i lirë i fuqisë punëtore, një tregues ky i nivelit të ulët të zhvillimit dhe mungesës së produktivitetit. Edhe ky rrezikon të humbasë, për shkak të eksodit masiv të fuqisë punëtore, që po refuzon të punojë për një pagë minimale, me të cilën nuk arrin të sigurojë as kushtet minimale të jetesës. Kujtojmë që familjet shqiptare, ende vazhdojnë të shpenzojnë gati gjysmën e buxhetit për t’u ushqyer, duke u krahasuar vetëm me vendet afrikane. Dhe kjo situatë nuk po ndryshon prej vitesh, teksa vendi duhet se është futur në një rreth vicioz të mungesës së investimeve me vlerë të shtuar të lartë dhe produktivitetit të ulët, në një ekonomi që nuk arrin të gjenerojnë as më shumë të ardhura në buxhet dhe as paga më të larta.
Shqipëria ka barrën më të lartë në rajon, me bizneset që paguajnë si taksa e kontribute gati 37% të fitimeve. Ndonëse ky është një nivel i ngjashëm me Serbinë, kjo nuk është arritur të përkthehet në të ardhura, pavarësisht rritjes së barrës fiskale vitet e fundit. Serbia, me taksa të ngjashme, mbledh të ardhura në buxhet sa rreth 40% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa Shqipëria vetëm 27%. Serbia ka shumë më tepër hapësira të japë paga më të larta për administratën, të kryejë më shumë shpenzime kapitale, të rrisë pensionet, të paguajë më shumë për skema sociale. Shqipëria nuk e ka këtë luks, ndonëse me aq pak të ardhura sa mbledh, nuk po kursehet për projektet e Partneritetit Publik-Privat (PPP), që në pjesën më të madhe të tyre po rezultojnë jo eficiente (shumë koncesionarë po paguhen për shërbime që nuk kryejnë) dhe me kosto të fryra.
Me mbarimin e projektit TAP, investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, tërheqja e investitorëve të huaj me vlerë të shtuar të lartë mbetet shpresa e vetme që të nxjerrë ekonominë nga ky rreth vicioz ku ka hyrë. Por, kjo duket e vështirë të ndodhë, të paktën për momentin. Ulja në renditjen e “Të bësh biznes” dhe pozicionimi në fund ishte një goditje e rëndë. Qeveria, që asnjëherë nuk pranon asgjë, u justifikua dhe këtë herë me ndryshimin e metodologjisë, duke nxituar të shtonte se në raport me vetveten ishte përmirësuar!
Por, metodologjia nuk i justifikon dot ankesat e investitorëve ekzistues për klimën e biznesit dhe burokracitë në vend. Vetëm pak ditë më parë, në pritje të mbërritjes së kryeministrit italian, dy shoqata biznesi nga vendi fqinjë bënë deklaratën më të ashpër ndonjëherë, duke dalë përtej çdo diplomacie dhe duke u ankuar hapur për mosfunksionimin e administratës.
“Shumica e bizneseve italiane dhe ato të huaja në përgjithësi, ashtu si dhe firmat shqiptare, japin sinjalin se shumë gjëra nuk po funksionojnë ashtu siç është premtuar, duke e vështirësuar krijimin apo zhvillimin e veprimtarive ekonomike-burimi i vërtetë i të ardhurave dhe punësimit”, theksohej në deklaratë.
Kjo fjali e tyre i thotë të gjitha. Ndaj si mund të presim të vijnë investitorë të tjerë, kur dhe këta që janë, paralajmërojnë se do të largohen. Si mund të presim që sipërmarrësit e huaj të na marrin seriozisht, kur qeveria nuk merr seriozisht problemet e tyre dhe nuk merr as mundimin të reflektojë. Sepse sot, nuk e kemi luksin të mos bëjmë biznes, nëse duam të pengojmë gremisjen e vendit (që braktiset çdo ditë) në një humnerë, nga e cila vështirë se do të dilte!