Reforma e zhdrejtësisë!
Një fjalë e urtë thotë që “Drejtësia vonon, por nuk harron”, por në Shqipëri duket se ka zënë pluhur. Tre vjet më parë nisi një prej reformave më madhore, që është ndërmarrë në vend në periudhën e pas tranzicionit, ajo e DREJTËSISË.
Pas 30 viteve kaotike, kur korrupsioni ishte bërë pengesë për zhvillimin e vendit, një paketë projektligjesh synonte t’i jepte një fytyrë të re drejtësisë, përmes reformimit të Gjykatës Kushtetuese, vettingut të gjykatësve e prokurorëve, ngritjes së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, (pjesë e së cilës pritet të jetë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit), që do të hetonte rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta; kritere të reja për zgjedhjen e prokurorit. Paketa synonte të rregullonte organizimin dhe funksionimin e sistemit të gjykatave në vend, përcakton rregullat e funksionimit të katër organeve kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Emërimeve.
Si asnjëherë tjetër, në korrik të vitit 2016, të 140 deputetët u bënë bashkë dhe votuan ndryshimet kushtetuese që u hapnin rrugë reformës, në një veprim që u quajt një konsensus historik, ndonëse duhet theksuar që nuk ishte një nismë e brendshme, por erdhi pas një presioni të jashtëzakonshëm nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot, kur kanë kaluar tre vjet nga miratimi i reformës, është e qartë se presioni i lartë i institucioneve ndërkombëtare nuk ishte i mjaftueshëm, teksa ajo po ecën me ritme shumë të ngadalta dhe në disa faza, ka ngecur tashmë.
Një nga elementet bazë të reformës u konsiderua vettingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend (rreth 800 të tillë në momentin kur reforma filloi). Por komisionet e vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) morën kohë të konstituoheshin dhe e nisën punën vetëm në fund të vitit 2017. Aktualisht, kur ka kaluar dy vjet nga ngritja e këtyre dy komisioneve që bëjnë vettingun, ata kanë shqyrtuar dhe dhënë vendime për 163 prokurorë dhe gjyqtarë (nga 800), ku 78 i kanë konfirmuar në detyrë dhe 85 janë shkarkuar. Gjatë kësaj kohe, 30 kanë dhënë dorëheqjen. Nëse vazhdohet me këto ritme, do të duhen 10 vjet që të përfundojë procesi i vettingut!
Ritmi i ngadaltë i vettingut dhe përplasjet politike e institucionale kanë sjellë dhe vonesa në krimin e institucioneve të reja, që parashikon Reforma në Drejtësi, siç është Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e cila pritet të hetojë rastet e korrupsionit në nivele të larta, po kështu dhe rastet e krimit të organizuar. Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është futur në një ngërç aq të fortë institucional pa rrugëzgjidhje, saqë e detyroi së fundmi Ambasadën Amerikane që ftonte palët që t’i drejtoheshin për interpretim Komisionit të Venecias.
Pra sërish tek të huajt! Ajo që mungonte tre vjet më parë dhe, pa asnjë dyshim, po mungon edhe tani është vullneti i brendshëm i politikës dhe drejtësisë për të reformuar vetveten. Po e quajmë “vullnet” atë që në fakt është kapja e të gjitha palëve nga njëra-tjetra në zinxhirin e Zhdrejtësisë, që deri tani nuk ka mundësuar kapjen e asnjë “peshku të madh”. Nuk duket asnjë sinjal që zinxhirët e kësaj hallke të shkëputen, përkundrazi të gjitha sinjalet që kapja të shkojë në një nivel më të lartë, me secilën palë që po përpiqet të vendosë njerëzit e saj në hallkat e institucioneve që zyrtarisht do të duhet të ishin të pavarura dhe të garantonin integritetin e një reforme kaq madhore.
Reforma në Drejtësi pritej të sillte ndikim të fortë në ekonomi, sidomos tek investitorët e huaj që janë ankuar gjithmonë se i pengonin praktikat korruptive, për të ardhur apo për të zgjeruar aktivitetin në Shqipëri. Por, në tre vjet përpjekje, reforma duket se nuk ka trembur askënd. Banka Botërore publikoi së fundmi një raport ku thoshte se pagesat e ryshfetit janë rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2013. Kreu i Dhomës Amerikane tha në një intervistë se ka pasur raste investitorësh, që kanë ardhur, janë munduar, kanë pasur orientimin pozitiv për të investuar, por janë ndeshur me korrupsion ose pengesa të ndryshme ligjore apo procedurale, të cilat herë kanë qenë të lidhura me korrupsionin e herë jo, por në fund kanë shkaktuar largimin e investitorëve.
Të njëjtën ankesë bënë pak më parë dhe shoqatat e investitorëve italianë, të cilët thanë se shumë gjëra nuk po funksionojnë ashtu siç është premtuar, duke e vështirësuar krijimin apo zhvillimin e veprimtarive ekonomike – burimi i vërtetë i të ardhurave dhe punësimit. Dhe me Reformën e Drejtësisë që, me sa duket do të zvarritet pa fund, investitorët do të vijojnë të qëndrojnë larg edhe për shumë kohë, derisa politika e vjetër të mbajë peng të ardhmen e vendit.