Sfidat e mëdha të rindërtimit!
Shqipëria është vënë përpara një emergjence kombëtare, si kurrë ndonjëherë më parë. Teksa gërmadhat e ndërtesave të shembura nga tërmeti dhe atyre të rrëzuara vetë për shkak të rrezikshmërisë, po pastrohen, kostot sa po vijnë e po bëhen më të qarta.
Vlerësimet e para flasin për dëme që mund të arrijnë në rendin e 1 miliard eurove. Kjo është një shumë tepër e madhe për një ekonomi që qarkullon rreth 12 miliardë euro në vit, me një buxhet që shpenzon rreth 4.2 miliardë euro në total, përfshirë pagat, shpenzimet operative, mbulimin e skemës së pensioneve, pagimin e interesave, transfertat për pushtetin lokal, investimet kapitale, ndërsa vitet e fundit janë shtuar dhe pagesat për kontratat koncesionare. Sikur i gjithë fondi i shpenzimeve kapitale të një viti, (i parashikuar në rreth 670 milionë euro në projektbuxhetin 2020), të përdoret vetëm për rindërtimin, sërish nuk do të mjaftonte.
Deri tani janë arritur të gjenden rreth 160 milionë euro: Qeveria u detyrua të rishikonte projektbuxhetin 2020, ende pa u miratuar varianti i parë. Deficiti buxhetor u rrit me rreth 80 milionë euro, ndërsa 25 milionë janë rialokime të shpenzimeve kapitale. Pjesa tjetër është premtim nga donatorët.
Ndërsa mund të jenë një fillim, fondet sërish janë të pamjaftueshme. Përkundrejt përmasave reale të dëmeve dhe fondeve që duhen për to, po shohim Qeveria të merret me shifra të rendit të “milionit”, përmes mbledhjes së ndihmave. Por ato janë vetëm një thërrime në këtë situatë “gati apokaliptike” në Bashkitë Durrës, Tiranë, Krujë , Kurbin, Kavajë e periferinë e tyre, por jo vetëm.
Tashmë, me tragjedinë e shkaktuar dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që detyron qeverinë të kompensojë 100% dëmet, buxheti do të duhet të rishikohet tërësisht, duke alokuar pothuajse të gjitha burimet (përveç atyre të domosdoshme si pagat, interesat e borxheve, subvencionet e pensioneve) në rindërtimin e objekteve të shembura. Ekspertët thonë se në raste madhore, qeveria mund të pezullojë ose anulojë dhe koncesionet, të cilat në fund të fundit në pjesën më të madhe po rezultonin me kosto të fryra dhe eficience të ulët dhe ekonomisë nuk i bën aspak dëm heqja e tyre, përkundrazi, çliron fonde të domosdoshme.
Buxheti ka nevojë për të rishikim kapital, si tek shpenzimet ashtu edhe në kahun e të ardhurave. Është e qartë tashmë se ekonomia, që edhe pa tërmetin ishte e dobët, do të vuajë për një kohë të gjatë pasojat e tërmetit shkatërrues. Konsumi i brendshëm, një nga nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike, do të jetë i dobët, si për shkak të dëmeve ashtu dhe të efektit psikologjik dhe post-traumatik të kësaj goditjeje. Një konsum më i dobët do të thotë më pak para në qarkullim dhe si rrjedhojë dhe më pak të ardhura nga buxheti i shtetit. Kujtojmë se ky i fundit mbështetet nga taksat e konsumit, me TVSH-në dhe akcizën, që sjellim më shumë se gjysmën e të ardhurave në buxhet.
Turizmi, që po udhëhiqte rritjen vitet e fundit dhe ishte i vetmi sektor në lulëzim, sërish do të marrë goditje. Është ende herët për të folur, por shpresa e vetme mbetet që rezervimet për verën e ardhshme nga agjencitë e huaja turistike të mos anulohen. Durrësi, pavarësisht mbingarkesës me ndërtime, ishte kthyer në më të preferuarin nga turistët e huaj dy vitet e fundit, për shkak të afërsisë me aeroportin e Rinasit dhe investimeve të mëdha, që u bënë nga sipërmarrësit shqiptarë për ngritjen e strukturave hoteliere.
Ndërtimi do të jetë një sektor tjetër që pritet të riformatohet tërësisht. Orientimi i kapitaleve të lira në këtë sektor, duke sjellë një ofertë të lartë në apartamente luksoze, përkundrejt kërkesës në segmentin e ulët e mesatar, ka marrë një shkundje të fortë tashmë. Që tani sinjalet janë që njerëzit po rendin drejt banesave të ulëta dhe po u largohen ndërtimeve të larta që perceptohen si të pasigurta, duke rrezikuar krijimin e gropave dhe gërmadhave moderne që po mbinin sidomos në çdo cep të kryeqytetit (në 9 muajt e parë të 2019-s, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi është rritur me gati 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas INSTAT).
Viti që vjen dhe madje dhe dekada e ardhshme do të jenë të vështira dhe të gjithë duhet të përgatitemi për këtë. Ajo për të cilën kemi nevojë për momentin është një menaxhim serioz dhe përgjegjshëm i situatës, larg shfaqjeve televizive, me fokus real në gjetjen e fondeve për rindërtimin e vështirë të zonës që gjeneron më shumë se gjysmën e ekonomisë së vendit.