Urimi ynë për 2020: Shpresa për një politikë të përgjegjshme!
2019-a ishte një nga vitet më të vështira të dekadës së fundit. Ekonomia nuk arriti të ruante ritmet e rritjes më të larta të dekadës prej 4%, që u panë në 2018-n, duke provuar që ishin zhvillimet rastësore, si p.sh, reshjet e shiut, ato që i frynë shifrat vitin e kaluar. Për gjashtë muajt e parë të 2019-s performanca ekonomike është përgjysmuar në rreth 2.2% dhe për gjithë vitin nuk pritet të shkojë më shumë se 3%. Të gjithë institucionet ndërkombëtare rishikuan në ulje pritshmëritë e tyre, duke cituar rënien e prodhimit të energjisë, apo dhe ngadalësimin e ekonomisë në vendet fqinje, kryesisht Italia.
Eksportet ishin në rënie, me minus 4% për 11 mujorin, me tre grupet kryesore, të tekstile-këpucëve, lëndëve djegëse e minerale dhe materiale ndërtimi e metale, që shënuan performancë negative. Zhvlerësimi i mëtejshëm i euros ka goditur sidomos eksportuesit e tekstileve e këpucëve. Këtyre u shtohen dhe problematikat me gjetjen e fuqisë punëtore dhe ndryshimin e kërkesës nga partnerët ndërkombëtarë. Kosto e lirë e fuqisë punëtore vijon të jetë avantazhi kryesor konkurrues, ndryshe nga fqinjët që po ecin drejt teknologjisë e industrisë së prodhimit të pjesëve për automjete.
Investimet e huaja mbetën të larta, por fati i tyre është i paqartë për shkak të mbarimit të projekteve të mëdha të gazsjellësit TAP dhe hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Rigjallërim shfaqi dhe kreditimi i ekonomisë, pas një stanjacioni prej më shumë se dy vitesh. Dukuria më pozitive ishte kthimi i vendit në një destinacion turistik, me hyrjet e të huajve që arritën në gati 6 milionë persona për 10 mujorin, me rritje 8% me bazë vjetore, duke nxitur si konsumin e brendshëm, ashtu dhe investimet për rritjen e kapaciteteve akomoduese.
Tendenca për të emigruar vijoi të jetë e fortë. Për 10 mujorin, kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Europian ishin 21% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë, kryesisht në Francë e Britani, sipas të dhënave zyrtare nga Eurostat. Të tjerë ikin direkt me kontrata pune, ku dominon Gjermania. Kjo tendencë po fillon të japë pasoja në gjetjen e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe po ndihet në konsum.
Ngadalësimi i ekonomisë u reflektua dhe tek të ardhurat buxhetore. Për 11 mujorin, rritja e tyre reale ishte zero (duke marrë parasysh efektin e inflacionit dhe rritjes ekonomike), duke rezultuar 116 milionë euro më pak se plani. Për të ruajtur parametrat, qeveria u detyrua të kursejë te shpenzimet kapitale. Në të kundërt, angazhimi për projekte koncesionare, që po ngjallin debate për fryrje shpenzimesh dhe mungesë të një analizë të qartë kosto-përfitime, ishte i lartë këtë vit. I tillë pritet të vijojë edhe në të ardhmen, kundër këshillave të institucioneve ndërkombëtare që kanë tërhequr vëmendjen për rreziqet e tyre, duke kërkuar kontroll e monitorim të fortë.
Politika, nga ana e saj, nuk ka qenë aspak mbështetëse. Konfliktet dhe tensionet mes dy partive të mëdha ishin të larta, sidomos në pjesën e parë të vitit. Reforma në drejtësi po ecën me ritme të avashta, e nxitur më shumë nga presionet e ndërkombëtarëve, sesa nga vullneti i brendshëm. Klima për biznes vijoi të jetë e përkeqësuar me shoqatat e investitorëve të huaj që u ankuan hapur për burokraci, korrupsion dhe preferenca klienteliste.
Goditjen finale e dha natyra. 30 sekonda shkundje nga tërmeti nxorën zbuluar gabimet fatale të tre dekadave të fundit, me ndërtimet masive dhe zhvillimin e pastudiuar e të paqëndrueshëm, një kosto që tashmë duhet ta paguajmë të gjithë në afatin e mesëm e të gjatë.
Ekonomia, e goditur rëndë nga emigracioni, mungesat e politikave zhvilluese dhe së fundmi edhe nga tërmeti, duket se e ka humbur aftësinë për t’u shëruar vetë, siç ka bërë gjithë këto vite të pas-tranzicionit. Ndaj, bashkë me urimin për një vit të mbarë 2020 për të gjithë lexuesit tanë, shpresojmë të kemi një politikë të përgjegjshme e vizionare në vitet në vijim, që të vërë interesit e kombit, përpara atyre personale!