Turizmi, si motor i rritjes!
Turizmi ka qenë sektori me ecurinë më pozitive e të qëndrueshme në ekonominë shqiptare, të paktën për tre vitet e fundit. Madje në 9 muajt e 2019-s, ai ka qenë faktori kryesor që ka mbajtur në këmbë vendin, teksa projektet e mëdha shkuan drejt fundit, moti i thatë nuk favorizoi prodhimin e energjisë dhe ndërtimi filloi të vuajë pasojat e mbi-ofertës. Të dhënat e INSTAT treguan se në tremujorin e tretë të vitit 2019, grupi “Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe shërbimi ushqimor” kontribuoi në rreth një të tretën e rritjes ekonomike.
Potencialet turistike të vendit kanë qenë gjithnjë aty. Deti, lumenjtë, liqenet, malet, pyjet, trashëgimia kulturore e historike, që daton që nga koha romake, kanë qenë si një bekim për vendin që shtrihet në një sipërfaqe të vogël prej 28 mijë kilometrash katror. Bekim, që në fakt u kthye dhe në mallkim, për shkak të shfrytëzimit pa kriter që iu bë pas viteve ’90. Betonizimi i bregdetit, sidomos atij në Golem, është nga shembujt më të këqij, që zor se mund të gjesh nëpër botë. Shumë vlera të natyrës dhe historisë nuk ditëm, apo nuk deshëm t’i ruajmë, duke u bërë pre e një modeli zhvillimi të paqëndrueshëm.
Megjithatë, fati i buzëqeshi Shqipërisë rreth katër vjet më parë, kur kriza politike në Turqi bëri që agjencitë e mëdha të udhëtimit të kërkonin për destinacione të reja. Shqipëria, pavarësisht problemeve, nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen, me diversitetin e saj të lartë natyror, enigmën e një vendi post-komunist, çmimet e ulëta, njerëzit miqësorë.
Kërkesa e lartë nga agjencitë e huaja u kap si potencial me shpejtësi nga sipërmarrësit shqiptarë, të cilët nxituan të investonin duke rritur kapacitetet hoteliere, kryesisht në bregdetin e Durrësit. Oferta “të gjitha të përfshira”, e përhapur në botë, u promovua dhe nga hotelet shqiptare. Pas problemeve në fillim, ato mësuan nga gabimet, duke sjellë një model të ri zhvillimi brenda xhunglës, ku ishte zhvilluar deri tani turizmi. Një model ky, që premtonte të nxiste një zinxhir të tërë, nga bujqësia e deri tek argëtimi e konsumi, duke u dhënë një vlerë të shtuar të gjithë ekonomisë shqiptare, çka prej kohësh po kërkohej prej të gjithëve që të ndodhte, si një parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë. Në vitin 2018, industria shënoi ecurinë më të mirë të saj, me një rritje të hyrjeve të shtetasve të huaj me 16%. Ndonëse 2019-a, vijoi me rritje, ritmet u ngadalësuan, duke reflektuar dhe problemet e brendshme të infrastrukturës, apo dhe shtrenjtimit të çmimeve.
Shteti si gjithnjë, nuk arriti të ndiqte ritmin e sipërmarrësve. Investimet në infrastrukturë ecën shumë ngadalë, ose u përqendruan në projekte pa lidhje me turizmin. Ndarja e re territoriale krijoi probleme me menaxhimin e plehrave, munguan incentivat që të lidhnin sektorët me njëri-tjetrin, psh me bujqësinë, apo industritë e tjera vendase. Nxitësit fiskalë nuk u orientuan drejt kërkesës, duke promovuar hotelet luksoze me 5 yje (në një vend ku infrastrukturës mbështetëse vështirë se i jep dhe një yll!), teksa operatorët e huaj turistikë pohojnë se ka nevojë për struktura akomoduese të mesme, me 3 dhe 4 yje (shih intervistën e operatorëve polakë në faqet e brendshme të revistës).
Tërmeti i 26 nëntorit ishte si një rrufe në qiell të pastër, për sektorin që po i shpenzonte energjitë për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm. Por, pas frikës së krijuar në javët e para, shpresat duket se janë rikthyer. Operatorët e mëdhenj turistikë, që erdhën në Tiranë javën e kaluar në një samit mbështetës për turizmin, të organizuar nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, u shprehën jo vetëm solidarë, por edhe optimistë, se rezervimet e anuluara në panikun e fillimit do të arrijnë të rekuperohen, duke shpresuar për një numër turistësh të paktën në nivele të njëjta me 2019-n. Qëndrueshmëria e strukturave hoteliere (me pak përjashtime) ndaj tërmetit ishte një ogur i mirë për ta.
Promovimi i Shqipërisë përmes spoteve ndërkombëtare, që ka qenë një praktikë edhe në kohë të mira, do të ishte sërish një zgjidhje e mirë për të nxitur sërish interesin për vendin tonë. Mediat e huaja në fakt, edhe këtë vit nuk po pushojnë së shkruari për Shqipërinë, në një tregues që vëmendja është ende e lartë.
Topi tashmë ka mbetur në fushën tonë. Jemi mësuar që qeveria e kap lepurin me qerre dhe ecën me hapa shumë më të ngadaltë sesa biznesi, po vetëm koha që nuk është në favorin tonë. Me sezonin që po afrohet, gjurmët që la tërmeti më së paku duhet të minimizohen sa më shumë që të jetë e mundur, që të mos ndikojnë psikologjikisht tek turistët e huaj që pritet të vijnë, të cilët kanë rezervuar që në prill. Turizmi është shansi ynë më i madh për të parë rritje këtë vit dhe nuk e kemi luksin që ta humbim!