Sa të përgatitur jemi për koronavirusin?!
Ethet e koronavirusit kanë pushtuar tashmë të gjithë globin. Në shtetin fqinjë, Itali, që u bë porta e madhe hyrëse e virusit për Europën, ekonomia është kthyer përmbys vetëm në pak ditë, duke e përhapur panikun në të gjitha tregjet globale.
Bursat u mbyllën të premten, me rënien më të madhe javore që nga kriza financiare e 2008-s. Investitorët po shqetësohen gjithnjë e më shumë rreth faktit se sa virusi do të ushtrojë presion negativ mbi rritjen globale ekonomike dhe do të godasë zinxhirët e kompanive. Europa është tashmë në kolaps. Shumë fluturime janë anuluar, individët kanë shtyrë planet e tyre për të lëvizur, Easyjet dhe British Airways, dy kompani të mëdha ajrore, njoftuan se kanë anuluar fluturimet drejt veriut të Italisë. Shumë evente të mëdha europiane, si panaire, konferenca etj., janë lënë pezull. Tregtia me pakicë po ndikohet ndjeshëm, me frikën e përhapjes që ka infektuar pothuajse të gjithë Europën.
Në këtë situatë, është normale që edhe Shqipëria nuk mund të qëndrojë imune. Deri në momentin që “Monitor” shkoi për shtyp, fatmirësisht në Shqipëri nuk kishte rast të konfirmuar me koronavirus. Por, infektimi i ekonomisë tashmë ka filluar. Kompanitë prodhuese raportuan se ato po hasnin probleme në importimin e makinerive e pajisjeve nga Kina, çka po i vononte planet e tyre për investime. Një riorientim drejt shteteve të tjera, do të kishte kosto për ta, të paktën në afatin e shkurtër. Kina e largët nuk është aq e parëndësishme, pasi është shteti i tretë më i madh nga i cili importojnë.
Edhe nga Italia fqinje lajmet nuk janë dhe aq të mira. Italia është partneri më i madh tregtar, me 33% të volumit dhe destinacioni kryesor ku shkojnë rreth 50% e eksporteve tona. Eksportuesit raportuan se ata kanë filluar të ndiejnë vështirësi, që nga kufizimi i lëvizjes dhe deri te pezullimi i panaireve që janë të rëndësishme për të gjetur lëndën e parë dhe klientë, sidomos për ata eksportues që po tentojnë të shkojnë drejt ciklit të mbyllur.
Sa probabilitet ka që virusi, i cili ka mbërritur tashmë tek të gjithë fqinjët tanë, do të hynte në Shqipëri? Ky skenar tashmë nuk duket më i pamundur. Rreth 50% e udhëtimeve përmes avionit janë me Italinë dhe pjesa dërrmuese e tyre me Milanon e Bergamon. Greqia është gjithashtu një potencial.
Efektet në ekonominë e brendshme do të ishin të larta në rast të një epidemie. Tregtia do të ndikohej e para. Të dhënat nga operatorët më të mëdhenj të retail thonë se deri tani nuk kanë parë rënie të frekuentimit të qendrave tregtare, por nëse frika dhe përhapja përshkallëzohet, pritshmëritë e tyre janë që frekuentimi të jetë në rënie. Baret e restorantet kanë raportuar tashmë rënie të qarkullimit të klientëve. Transporti është gjithashtu një tjetër sektor potencial për t’u goditur.
Shqipëria, për vetë nivelin e zhvillimit të saj, nuk ka as luksin për “smart working” (punë nga zyra) siç po ndodh në Itali, pasi pjesa më e madhe e vendeve të punës janë në tregti e shërbime (biznese mikro me 1-4 të punësuar), apo në sektorë të tjerë që përdorin krahun e lirë të fuqisë punëtore (fasonit). Nëse do të detyroheshin të ndërprisnin aktivitetin, kompanitë do të shënonin humbje të mëdha. Turizmi është një tjetër sektor potencial për t’u goditur, pasi pranvera është dhe periudha kur hyrjet e të huajve fillojnë e shtohen.
Por, shqetësimi më i madh është se sa Shqipëria është e përgatitur për t’u përballur me një situatë të mundshme krize të ndikuar nga epidemia. Vendi është tashmë i goditur nga tërmeti i 26 nëntorit, që la rreth 27 mijë të pastrehë. Konsumi është frenuar që prej asaj kohe dhe bizneset kanë lënë pezull investimet (kredia ishte në rënie në janar).
Tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah dhe keqorientimin e burimeve buxhetore, me emergjencat që nuk ishin në gjendje të përballonin situatën. E njëjta frikë qëndron dhe nëse shpërthen një epidemi e virusit. Në vite është konstatuar se buxheti është orientuar në fasada dhe rilindje urbane dhe kontrata koncesionare, në kushtet kur sot nuk kemi as shërbime bazike për emergjencë civile apo shërbimin shëndetësor. Ndaj, pas këtyre dy forcave madhore, për të cilat askush nuk është përgjegjës, mësimi më i mirë që mund të nxjerrim është që politikat të orientohen drejt prioriteteve, të cilat kanë më shumë rëndësi për popullatën.