Pandemia / Rritet çmimi i miellit në vend me 15%
Çmimet e miellit u rritën me 15% këto ditë si pasojë e ndikimit të pandemisë në bursat ndërkombëtare të grurit.
Një kilogram miell i zakonshëm për bukë, i paketuar në supermarkete, tani po shitet me 75 lekë nga 65 lekë që ishte më parë.
Prodhuesi më i madh i grurit në botë, Rusia, në mes të marsit kufizoi kuotat e eksportit në vetëm 7 milionë tonë për këtë vit. Këto kuota teorikisht janë ezuaruar dhe kjo ka bërë që çmimi i grurit për ton të rritet gjatë kësaj periudhe me 15-17%.
Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, e paralajmëroi se kufizimet ruse do të sjellin rritje të çmimeve të miellit dhe nënprodukteve të tij edhe në tregun vendas, por ai e përjashtoi rrezikun për mosfurnizim të rregullt të tregut.
Prodhimet e grurit nuk janë ndikuar nga pandemia, por vendet që zotërojnë prodhimin më të lartë janë duke e shfrytëzuar situatën për gjeopolitikë dhe për të realizuar fitime gjithashtu. Kjo sjellje e prodhuesve të mëdhenj të grurit është nxitur nga rritja e kërkesës për furnizime të mëdha nga vende si Italia, Turqia, etj., gjatë pandemisë.
Roland Hysi, i cili drejton “Miell Tirana”, tha se kontraktorët e tij kanë rritur çmimet muajin e fundit me mbi 10% dhe në përgjithësi ekziston një stres në furnizime, por gjithsesi ai i përjashtoi mungesat në miell në tregun e brendshëm.
Në vitin 2019, importet ruse zunë 54% të totalit të importeve të drithërave, sipas të dhënave nga INSTAT. Gjatë
vitit 2019, importet e drithërave pësuan një rënie me 2,6%. Kjo rënie, sipas operatorëve të tregut, është nxitur nga mbifurnizimet gjatë vitit 2018 dhe nga kërkesa më e ulët në vitin 2019, si pasojë e rënies së popullsisë.
Eksportet nga Rusia shënuan rritje më 2019, duke rritur peshën e tyre në 54% të totalit nga 47% që ishte më 2018. Burimi i dytë më i madh i furnizimit me drithëra është Serbia, importet e së cilës zunë 35% të totalit më 2019, duke shënuar ulje në raport me vitin 2018, kur ato zinin 42% të totalit të importeve.