Përmbytjet e (pa)parashikuara
Teksa nuk e ka marrë ende veten nga pasojat e tërmetit dhe ekonomia është goditur rëndë nga pandemia, vendit iu desh të përballej me përmbytjet që e mbuluan gati të gjithin në javët e para të 2021-shit.
Ndryshe nga tërmeti i papritur, pamjet me fusha të mbytura në ujë, rrugë të shkatërruara nga gërryerja, prodhime të çuara dëm janë një “deja vu”, që po përsëritet në mënyrë ciklike çdo dy-tre vjet. Në ato vite që nuk ka përmbytje, po përballemi me thatësira. Këto kontraste, që duket se do të jenë të përhershme, shkaktojnë dëme të mëdha në një ekonomi, ku mbi të gjitha, pesha e bujqësisë prej rreth 18.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), është më e larta në Europë (nga 2% mesatarja e BE-së, te 12% e PBB-së në Kosovë, e dyta pas nesh).
Shoqata e Bashkive parashikon se, ende pa mbyllur zhdëmtimet nga përmbytjet e mëparshme, ekonomia shqiptare po përballet me një barrë të re dëmshpërblimesh nga përmbytjet. Krahas dëmeve në ekonomi, bujqësi e blegtori, do të shfaqen pasoja të rënda dhe negative në jetën sociale – ekonomike në zonat e prekura, një pjesë e të cilave jetojnë ende në çadra pas dëmeve që u janë shkaktuar nga tërmeti.
Përmbytjet ka të ngjarë të përçajnë zinxhirin e brendshëm të prodhimit dhe shpërndarjes bujqësore-blegtorale, si dhe do të këpusin hallkën e zinxhirit për tregtinë dhe partneritetin jashtë vendit. Dhe kjo po ndodh në një kohë kur, jo vetëm bujqësia kishte marrë hov për shkak të investimeve, që në pjesën më të madhe po bënin vetë sipërmarrjet në mbylljen e zinxhirit të prodhimit, por edhe kur ky sektor ishte nga të paktët që po mbështeste rritjen ekonomike, të rrënuar nga pandemia.
Janë të dokumentuara faktet se ndryshimet klimatike kanë shkaktuar shkatërrime të rënda në sistemet tona ekologjike dhe kanë ndikuar edhe në mjedis. Ndikimet shkatërruese të ndryshimeve klimatike ndihen edhe në rritjen e kostos së dëmeve që lidhen me to. Studimi i NASA-s dhe i Universitetit të Kalifornisë tregon se ajsbergët në perëndim të Antarktidës po shkrihen me ritme të shpejta, gjë që do të çojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e nivelit të detit. Edhe në Europë ka pasur rritje të përmbytjeve bregdetare dhe stuhive, të cilat po ndikojnë në rritjen e nivelit të detit, ndërkohë miliona njerëz në Afrikë vuajnë nga mungesa e ujit.
Eurostat raportoi së fundmi se, ndryshimet klimatike vitet e fundit e kanë bërë dimrin më të thatë dhe i kanë zgjatur temperaturat e ftohta në të gjithë sezonin e pranverës deri në maj në Kontinentin Europian. Këto ndryshime kanë ndikuar negativisht në prodhimin bujqësor kudo në Europë, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Ndër fatkeqësitë natyrore, përmbytjet dhe rrëshqitja e tokës i krijuan dëmet më të mëdha ekonomike Shqipërisë gjatë periudhës 1990-2014, sipas përllogaritjeve të bëra nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (UNISDR). Drejtoria e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, llogarit një kosto prej 35 milionë eurosh në vit, që i krijohet vendit nga fatkeqësitë natyrore, të tilla si përmbytjet, zjarret etj., (përveç tërmetit me pasoja shkatërruese të 2019-s).
Përtej retorikës boshe se në periudhën e cilës qeverie, rrugët apo fushat u përmbytën më shumë apo më pak, (fakt është që ato vazhdojnë të përmbyten) është koha që institucionet të punojnë seriozisht për t’u përballur në afatgjatë me menaxhimin e rreziqeve natyrore, të cilat po kthehen në ciklike dhe vendin tonë po e gjejnë të brishtë për shkak të shpërdorimit që i kemi bërë natyrës në dekadat e fundit. Rritja e kapaciteteve për të përballuar fatkeqësitë natyrore është një domosdoshmëri.
Po ashtu, edhe vijimi i investimeve të mëdha jo në fasada, që shiu u nxjerr bojën shumë shpejt, por në shpenzime “të padukshme” për pastrimin e lumenjve, kanalizime, sistemin e infrastrukturës nëntokësore, koordinimin e pushtetit qendror me atë lokal, përtej përkatësive politike etj.
Ikja e ujit nuk duhet të zbehë kujtesën e dëmeve që lamë pas, sepse shumë shpejt ato mund të përsëriten, me një intensitet edhe më të madh, në një ekonomi që tashmë është e “mbytur” dhe nuk mban më.