Shansi i (mos)kapur i IT
Më se një dekadë më parë, disa sipërmarrje të reja u hapën në vend dhe filluan të ushtronin aktivitetin e qendrave telefonike (call center), duke shfrytëzuar interesin që kishin shoqëritë italiane për të deleguar këtë shërbim te të tretët, për të optimizuar kostot.
Bizneset tërhoqën njëra- tjetrën dhe vetëm në pak vite, sektori njohu rritje të shpejtë, i nxitur nga kosto e ulët e fuqisë punëtore dhe fillimisht nga fakti që pjesa më e mirë e të rinjve e flasin mirë italishten. Vitet e fundit, interesi u zgjerua dhe te shtetet e tjera, duke pasur kompani deri nga Suedia.
Call center-ët u bënë “shpëtimtari” i punësimit vitet e fundit, sidomos tek të rinjtë, që pavarësisht se kishin vërshuar në universitete shtetërore e private, nuk arrinin të gjenin punë në profesionin e tyre, ose ishin të pakënaqur nga pagat, dhe zgjodhën të punojnë në qendrat e thirrjeve telefonike, të joshur dhe nga pagat e kënaqshme. Sipas të dhënave nga Tatimet të cilat u referohen vitit 2019, numri i të punësuarve vlerësohet se i kaloi 25 mijë persona, duke u bërë faktor i rëndësishëm për të frenuar hemorragjinë e të rinjve që largoheshin nga vendi.
Gjithsesi, vitet e fundit, ritmet e rritjes ranë, pas presionit të qeverisë italiane për të ndaluar delokalizimin e kompanive të saj drejt shteteve të tjera, në një përpjekje për të ruajtur vendet e punës brenda Italisë.
Tashmë ka një sektor që po bëhet “call center” i ri: Teknologjia e Informacionit. Pandemia e përshpejtoi ndjeshëm tendencën globale të zhvillimeve teknologjike. Në shumë shtete të botës, po konstatohet lulëzimi i përdorimit të teknologjive të reja informatike, si për aplikacionet e shitblerjeve online, të kontrollit shëndetësor në mënyrë informatike dhe të aplikacioneve për lojëra virtuale, etj.
Tendenca ka rritur ndjeshëm kërkesën për developer (zhvillues) në mbarë botën. Prania e dixhitalizimit në çdo fushë të jetës, zgjerimi i tregtisë online, konferencat virtuale që duket se do të vazhdojnë edhe pas pandemisë, nevoja për integrimin e të dhënave dhe analizën e tyre në kohë reale, po kërkon gjithnjë e më shumë profesionistë në fushën e teknologjisë së informacionit.
Edhe për Shqipërinë, interesi është i lartë për ta shfrytëzuar si një treg të shërbimeve nga të tretët, siç po raportohet nga shumë biznese të fushës. Sipërmarrjet, si gjithnjë, janë të parat që nxitojnë të kapin trendin dhe të mos e lënë këtë mundësi t’u ikë nga duart, si dhe të përshtaten me realitetin e ri.
Shansi vërtet është aty por, siç ndodh shpesh, na ka gjetur të papërgatitur. Sipas bizneseve, kërkesa është e lartë, madje më e lartë sesa ata mund të përballojnë (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Por, ndryshe nga shtete të tjera, Shqipëria nuk duket se u ka paraprirë këtyre zhvillimeve që në fakt priteshin dhe pandemia vetëm sa i përshpejtoi. Sipërmarrjet ankohen se numri i profesionistëve të IT-së që ofron tregu shqiptar është shumë më i ulët se kërkesa e kompanive të cilat operojnë në sektorin e teknologjisë.
Numri i ulët i studentëve në teknologjinë e informacionit është problemi i parë. Sipas INSTAT, në vitin akademik 2020-‘21, në fushën e “teknologjisë së informacionit” ishin të regjistruar 6.7% e totalit të studentëve, nga 7.2% në vitin akademik 2018-‘19. Orientimi vijon të jetë sërish në fusha si “Arte dhe shkenca humane” (8.9%), apo “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (8.3%).
Problemi i dytë është cilësia e ulët e formimit profesional. Sipërmarrjet raportojnë se po i ngrenë vetë shkollat profesionale për të plotësuar boshllëkun për punësimin e punonjësve të rinj. Këto kurse zgjasin nga tre muaj, apo dhe më shumë, në varësi të njohurive që ata mund të kenë.
Ky shans është një bekim në një moment që vendi, i cili po përballet me pasojat e pandemisë dhe sidomos me dëshirë në rritje të ikjes së të rinjve, kishte më shumë nevojë. Por, ndryshe nga call center, ku njohuritë e gjuhës ishin të mjaftueshme, dhe bizneset e gjetën vetë rrugën, ndërhyrja e shtetit përmes trajnimeve të shënjestruara në atë që kërkon tregu, do t’i shtonte vlerën një sektori, i cili mund të ndryshojë të ardhmen e vendit.
Deri sa të arrijë të ndërtohet një strategji për krijimin dhe mbajtjen e forcës së punës të përshtatshme në sektorin e IT-së, duket se Shqipëria do të vijojë të përballet me emigrimin e atyre pak punonjësve IT që arrin të krijojë, duke mos qenë e largët dita kur, edhe në këtë sektor, të përjetojë fenomenin “Shqiptarët ikin, vijnë të huajt”.