Zvarritjet e Reformës në Drejtësi
Shqiptarët janë populli më pro-europian në Ballkan. Sipas sondazheve të ndryshme, norma e mbështetjes është rreth 90%, mbi nivelin prej 60 – 70% që shfaqet në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (përjashtuar Kosovën). E njëjta përqasje shfaqet edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku rezultojmë ndër vendet më pro-amerikane në botë.
Mungesa e besimit ndaj qeverisjes vendase duket se i shtyn shqiptarët të “kapen” pas shteteve të mëdha dhe institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Është, në fakt, presioni i këtyre të fundit që vuri në lëvizje qeverinë shqiptare për të miratuar në vitin 2016, ndryshime kushtetuese gjithëpërfshirëse për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit.
Zbatimi i Reformës në Drejtësi u pa si një mjet që do të shërbente për të ulur korrupsionin e lartë në vend, për t’u dhënë fund zvarritjeve në gjykata e të tjera problematika që ka kanë shoqëruar rëndom vendin gjatë këtyre tri dekadave të fundit. Për sipërmarrjet, vendase e sidomos të huaja, reforma u pa si një kyç për të zgjidhur problematikat e hasura me zbatimin e kontratave, problemet me gjyqësorin, pabarazinë në tenderë, shtrembërimin e konkurrencës dhe shqetësime të tjera të pafundme.
Por, siç thotë një shprehje e urtë, “nuk mbahet shtëpia me miell hua”. Vullneti i brendshëm për të zbatuar një Reformë tërësore në Drejtësi ka çuar në zvarritje të procesit, duke ia zbehur rezultatin. Korrupsioni mbetet ende ndër më të lartët në Europë, sipas “Transparency International” dhe ka në 2020-n të njëjtin vlerësim si në vitin 2015. Shqipëria bëri hapa pas në Indeksin Global për Sundimin e Ligjit në vitin 2020 i publikuar nga “World Justice Project”, institut ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara, i fokusuar për kërkime në fushën e ligjit.
Një raport i fundit i projektit SELDI (Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet) gjeti se treguesit e korrupsionit u rritën ndjeshëm në 2021, duke arritur në nivelet e vitit 2002. Raporti thekson se pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë ka mungesë besimi te politikat dhe strategjitë antikorrupsion, të ndërmarra në vitet e fundit, duke përfshirë edhe Reformën në Drejtësi.
Sigurisht, nuk pritej që të kishim zgjidhjen magjike dhe të menjëhershme. Të gjithë janë të vetëdijshëm se reforma, në një vend që nuk ka historik të gjatë të qeverisjes së qëndrueshme, dhe ku nevojitet pastrim rrënjësor, kërkon kohë që të japë efekte. Por, realiteti po tregon se nga institucionet vendase, ai nuk po merret shumë seriozisht. Përndryshe si mund të shpjegohet miratimi gjatë kësaj periudhe, kur reforma trumbetohej si një arritje e madhe, e kontratave të Partneriteteve Publike – Private (PPP), pa një analizë të qartë kosto-përfitime, apo lejimi i parave me origjinë të dyshimtë që praktikisht po pushton ekonominë.
Për ironi, deri tani, reforma, kosto buxhetore e së cilës i ka kaluar 30 milionë euro, ka dhënë efektin e kundërt të asaj që pritej te bizneset. Sipërmarrësit pohojnë se praktikisht, sistemi ekzistues i drejtësisë ka dështuar, sipërmarrja ka humbur besimin në sistemin e drejtësisë (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Bizneset ankohen për një situatë të rëndë në sistemin e gjykatave, me çështje gjyqësore në Gjykatën Administrative që zgjasin 5-6 vjet. Dosjet ende pa gjykuar, të cilat kanë arritur shifra shumë të mëdha, teksa në gjykata është krijuar kaos për shkak të riorganizimit.
Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), që në fakt mat perceptimin e investitorëve të huaj, ishte një dëshmi e fundit se problematikat që na kanë shoqëruar këto vite, jo vetëm nuk janë lehtësuar, por përkundrazi janë përkeqësuar. “Korrupsioni endemik vazhdon të minojë shtetin e së drejtës dhe të rrezikojë zhvillimin ekonomik. Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave, si disa nga problemet më të mëdha në Shqipëri”, theksonte raporti.
Presioni i ndërkombëtarëve është i mirëpritur, por ai nuk mjafton. Për sa kohë që do të mungojë vullneti i brendshëm për të zbatuar reformën, skepticizmi do të vijojë të mbizotërojë. Në këto dekada tranzicion, vendi ka humbur shumë kohë dhe nuk e ka luksin që të presë më zvarritjet e pafundme dhe shfaqjet e vazhdueshme, siç jemi mësuar rëndom të shohim vitet e fundit.