Paradokset e turizmit
“Po vijnë turistët. A jemi gati?!” ishte titulli i një kopertine të “Monitor” në fund të vitit 2016. Pasiguritë që ofroi Turqia atë vit, si pasojë e sulmeve terroriste dhe përpjekjes për grusht shteti, si dhe konfliktet në Lindjen e Mesme shtynë agjencitë më të mëdha turistike të Europës të kërkonin destinacione të reja turistike, duke hedhur sytë nga Mesdheu dhe rajoni. Vendet nxituan të përgatiteshin, teksa investitorë të rinj tentuan të kapnin momentin. Kroacia dhe Mali i Zi shtuan investimet për hapjen e resorteve të reja turistike, të mbështetura dhe nga strategjitë përkatëse shtetërore.
Pa dyshim që Shqipëria, me bukuritë natyrore, diversitetin, historinë nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen. Hotelet në bregdet u përballën me prenotime jo të zakonshme për verën e vitit 2017, nga turistë çekë, polakë, sllovakë etj. Parapagimet u dhanë bizneseve një fitim të garantuar dhe ofruan likuiditetet e mjaftueshme për t’u përgatitur në përballimin e këtij fluksi.
Me intuitën që i shoqëron, sipërmarrjet iu drejtuan me vrull investimeve në turizëm, me synim rritjen e kapaciteteve akomoduese, sidomos në bregdetin e Durrësit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se lejet e dhëna për hotele u shumëfishuan pas vitit 2017 (nga 15 mijë metra katrorë në 2016-n, në 420 mijë metra katrorë në 2019-n). Vera e vitit 2019 e gjeti turizmin në një nivel krejt tjetër.
Hotele të shumta u ndërtuan, me standarde më të larta; filloi ofrimi i shërbimeve me të gjitha të përfshira, u zgjeruan bizneset mbështetëse të argëtimit, u trajnua personeli dhe u përmirësua shërbimi (nëse në fillim komentet e turistëve për hotelet ishin përgjithësisht negative, sidomos për ushqimin, më pas ishin më pozitive). Në dy vjet, sipërmarrja e turizmit eci me hapa galopantë për të kapur ritmin dhe për t’iu përshtatur kërkesave që u imponuan nga agjencitë e huaja turistike, duke i dhënë një tjetër dimension industrisë.
Në kahun e kundërt, mbështetja e qeverisë për këtë sektor ishte shumë e ngadaltë. Investimet në infrastrukturë, që janë minimale për të garantuar një mbarëvajtje të turizmit, u zvarritën. Rreth dy vite më parë, turistët nga Veriu i Europës rrezikuan të ktheheshin mbrapsht, vetëm sepse rruga përreth hoteleve turistike në zonën e Golemit nuk po arrinte të mbaronte në kohë.
Edhe këtë sezon, investimet në infrastrukturë, në këtë zonë, që tërheq gati gjysmën e turizmit të organizuar (sipas të dhënave të net-qëndrimeve të INSTAT) janë jo ekzistente. Mosmenaxhimi i mbeturinave në kulmin e sezonit, për një periudhë që zgjati më shumë se një javë, ishte jo vetëm i papranueshëm, por krijoi dhe një imazh negativ te turistët që e përjetuan atë, duke rrezikuar moskthimin e tyre dhe komentet negative në faqet e internetit, të cilat janë referenca për udhëtarët në mbarë globin.
Investimet e qeverisë po përqendrohen në Jugun e vendit, por edhe aty modeli i turizmit që po ndiqet, ngre pikëpyetje. Qeveria shqiptare nuk e ka në strategjinë e saj të zhvillimit të turizmit ndërtimin e resorteve, edhe pse ka burimet natyrore, plazhin, malet dhe liqenet më të bukura në rajon për t’i zhvilluar ato. Në vend të resorteve, që do t’i sillnin turizmin elitar dhe shtresat e mesme të Europës, bregu i Shqipërisë, perla e Jugut, po mbushet në pjesën më të madhe me fshatra turistikë që nuk kanë asnjë vlerë të qëndrueshme afatgjatë në ekonomi, përveçse po shkatërrohen dhe bukuritë natyrore të bregdetit.
Modeli që i duhet Shqipërisë është ai që sjell një qarkullim më të lartë turistësh për njësi sipërfaqeje, mundësi për shfrytëzim në periudhë më të gjatë kohe, rritje më të ndjeshme në konsumin e produkteve dhe shërbimeve vendore, përmes nxitjes së zinxhirit mbështetës të turizmit, që në rezultante do të rrisin flukset hyrëse të valutës në vend, përmes eksporteve të shërbimeve.
Në 2019-n u shënua dhe viti më i mirë turistik historik, me mbi 6 milionë hyrje të shtetasve të huaj. 2020-a e ndali këtë vrull, për shkak të problemeve të shkaktuara nga pandemia. Këtë vit, sektori po e rimerr veten, duke iu afruar niveleve të pandemisë, i ndihmuar kryesisht nga shtetasit nga Kosova, hyrjet e të cilëve ishin gati 60% në qershor, në raport me të njëjtin muaj të 2019-s.
Organizata Botërore e Turizmit vlerëson se Shqipëria përfiton më shumë se 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto direkt dhe indirekt nga turizmi, duke e renditur vendin ndër shtetet që ka varësinë më të lartë nga ky sektor. Është e vërtetë se, me përmirësimin e situatës së Covid, turizmi pritet t’i rikthehet situatës së vet më të mirë, e cila gjithsesi rrezikohet të zbehet nga menaxhimi i paqëndrueshëm, konfliktual dhe kundër rrymës, që po i bëhet bregdetit nga institucionet shtetërore.