Kryeministri Edi Rama ka pohuar në daljen e tij të shumëpritur publike se vendi nuk ka kapacitete për të shkatërruar armët kimike. “Nuk do të cenoja kurrë të ardhmen e popullit shqiptar”, tha Rama pas një fjalimi që ka zgjatur gjysmë ore.
“Ka vetëm një pikë ku unë u ndala pa mundur ta kapërcej dot, në diskutimet me aleatët. Pamundësia për t’u përfshirë në kohë. Vetëm kur të kishim një përgjigje të saktë për procesin do të mund t’ju thoja përfitimet morale dhe fizike për vendin. Ky element sot mungon. Me besnikërinë e plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin ndaj miqve dhe aleatëve, ata e kanë marrë përgjigjen time.
“Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”, tha kryeministri Rama.
Shqipëria u zgjua sot në mes të protestave massive në shumë qytete, ku protestuesit, kryesisht të rinjtë janë kundër eleminimit të armëve kimike siriane në vend.
Në një intervistë mbrëmë për “Top Story” për gazetarin Sokol Balla në Top Channel, ambasadori i SHBA-së Aleksander Arvizu tha se në rast se do të kishte një refuzim, kjo “Është zhgënjyese për SHBA. Ne kemi kontribuar shumë kohë dhe energji dhe ndihmën, për siguritë dhe sigurimin, sigurimin e ekspertizës më të mirë, për të kryer këtë operacion. Sigurisht ky është një vendim i vështirë, por që duhet marrë dhe ne do ta respektojmë atë.”
Po në të njëjtin emission, Paul Walker, i “Green Cross International”, një organizatë ekologjiste që kundërshton përdorimin e armëve të tilla pohoi se Shqipëria nuk i ka kapacitetet për momentin për të bërë demontimin e armëve kimike: “ Jo, të paktin për momentin. Do të duhej që aty të vinin pajisjet dhe këto pajisje kanë nevojë edhe për lëndë kimike e ujë për të plotësuar procesin e tyre, të cilat shkatërrojnë aspektin e tyre toksikë, por nëse sjell 1 mijë tonë nga Siria, kjo do të prodhojë 10 mijë tonë mbetje industriale toksike që duhet të manaxhohet në një fazë të dytë. Mund të sillet një incerator, si i vitit 2007, kur SHBA, Gjermania dhe Zvicra ndihmuan Shqipërinë të shkatërronte 16 metra kub gaz mustardë. Këto mund të shkatërrohen edhe me metodologji me shpërthim dhe me neutralizim, që janë përdorur gjerësisht në Kinë gjatë 6-7 viteve të fundit nga kinezët, për shkatërrimin e armëve kimike japoneze të braktisura nga Lufta e Dytë Botërore. Pra ka një përvojë të gjatë, por këto pajisje duhet të vijnë në Shqipëria dhe Shqipëria duhet të ketë energji elektrike, ujë, shërbime në port, shërbim rrugor në pikat e panjohura industriale ku do të ngrihet. Pajisja mund të instalohet brenda 2 muajsh, pra brenda 2014-s, e ekziston një përvojë e sigurt dhe e gjatë për të”, tha ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.