Kompania e prodhimit dhe përpunimit të naftës, ARMO ka ndërruar pronar dhe ka një administrator të ri. Sipas deklaratës së kompanisë ARMO në Qedrën Kombëtare të Rregjistrimit rezulton se veprimet e fundit janë kryer më datë 8 gusht, ku është larguar administratori Rezart Taçi dhe në vend të tij është caktuar Fation Veizaj.
Janë larguar edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës: Gramoz Taçi, Drita Aliçka, Selfo Kapllani dhe Mustafa Taçi, të cilët janë zëvendësuar nga: Ibrahim Hastopalli, Laurence Stroch, Abe Halati dhe avokatja Erinda Ballanca.
Kompania ARMO është në pronësi të kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”, që zotëron 85 për qind të aksioneve të rafinerisë pas privatizimit, ndërsa shteti shqiptar pjesën e mbetur.
Por sipas ekstraktit të QKR-së “Anika Mercuria Refinery Associated Oil” ka ndërruar pronësi më datë 8 gusht.
80% të aksioneve që ishin në pronësi të “Anika Enterprises” tashmë kanë kaluar në pronësi të kompanisë “Heaney Assets Corporation”, çka e bën këtë kompani pronare jo vetëm të “Anika Enterprises”, por edhe të “Anika Mercuria Refinery Associated Oil” dhe për rrjedhojë edhe të rafinerisë ARMO.
Gjithashtu, po më datë 8 gusht, është larguar administratorja e kësaj kompanie Anika Taçi dhe në vend të saj është emëruar sërish Fation Veizaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.