Nga: Ronada HOXHA, Kaltra TOSKA, Prof. Fatmir MEMAJ
Emri “Pathos” rrjedh nga greqishtja e lashtë dhe ka marrë kuptim nga zjarret që shpërthenin në rërat bituminoze të fshatit. Qyteti i ri i Patosit nisi të krijohej në qershor të vitit 1949 dhe u pagëzua me emrin qyteti i Naftëtarëve, nga puna e palodhur e inxhinierëve dhe specialistëve të thjeshtë, të cilët kanë dhënë kontributin e rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Patosi shfaq shumëllojshmëri vlerash historike, natyrore dhe të trashëgimisë kulturore. Sot Patosi është gati për t’u eksploruar nga vizitorë vendas dhe të huaj.
Patosi, informacion dhe fakte interesante
Shumëkush mund të ketë dëgjuar, por jo çdokush mund ta ketë vizituar Patosin. Bashkia e Patosit është një bashki e vogël në jugperëndim të Shqipërisë.
Karakterizohet nga një popullsi relativisht e vogël, prej 42.738 banorësh (sipas Regjistrit të Gjendjes Civile) dhe ka sipërfaqe prej 82.55 km2. Por zona paraqet larmishmëri në stilin e jetesës dhe ndikimit në jetën e qytetarëve.
Atraksione me vlera turistike, kulturore dhe natyrore
Atraksionet me vlera turistike, kulturore dhe natyrore në zonë janë:
Njësia Zharrëz ka popullsi 8,612 banorë, me sipërfaqe prej 4.35 km2. Zona njihet gjithashtu për kulturë dhe trashëgimi kulturore tejet të spikatur.
Gjurmët e vendbanimit të kësaj zone shtrihen deri para lindjes së Krishtit. Itea e lashtë, Sheqishtja e sotme, gjatë pushtimit Bullgar e kishte emrin Novoselë dhe është zhvendosur më në lindje.
Novo-selë do të thotë “stacion i ri”. Zoira – (Zharrëza) i plotfuqishëm. Këtë gjë e përmend historiani grek Panajotis Arvantinis. Gjithashtu, Aleksudhi përmend se: “Në lagjen Novoselë të Sheqishtes duken edhe sot rrënojat, të cilat rrëfejnë ekzistencën e një qyteti të lashtë, ku janë gjendur shpeshherë edhe monedha të lashta greke e romake”.
Të gjitha këto fakte tregojnë se kjo zonë është një vendbanim i lashtë dhe me kulturë të civilizuar, duke pasur si qendër urbane qytetin Iteas (Sheqishtë) që përfshinte gjithë fshatrat përreth Novas (Novoselë), Zoira (Zharrëz), Stepfanafana (Qafa e Stefanit), Grizë (Verbas), Frashër, Rreth dhe Belinë, si një kurorë lavdie e madhështie.
Ekzistojnë disa të dhëna që dëshmojnë për kalimin e rrugës Egnatia edhe në Zharrëz. Në itinerarin e degës jugore Egnatia, Orikum – Apoloni-Klodiana, përmendet vendbanimi Ad Novas (Novoselë) që ndodhej në perëndim, afërsisht 2 km nga fshati i sotëm Zharrzës.
Liqeni i Zharrzës
Njësia Administrative Ruzhdie. Në fushën arkivore, fshatrat e kësaj zone shfaqen të dokumentuara për herë të parë në regjistrin kadastral të Sanxhakut të Vlorës në vitin 1570, ku sipas këtij dokumenti, fshati Siqecë kishte 148 shtëpi, fshati Ruzhdie 52 dhe Kasnica 47 shtëpi.
Në vitin 1847, sipas regjistrimit të bërë në Shqipërinë e Jugut nga historiani grek Panajot Aravantinos, Ruzhdia kishte 58 shtëpi, Siqeca 60, Kasncia 18, Drenia 30 dhe Gjinoqara 36 shtëpi. Sot, kjo njësi ka një popullsi prej 3344 banorësh.
Në fshatin Gjinoqarë gjenden shumë varre ilire, si dhe tri burime të vjetra mbi 200-vjeçare të ndërtuara me mure guri, përkatësisht me emrat: burimi i kishës së Vironit – e cila ndodhet pranë “Rrapit të Zhugrit”, “Dervishaj, “Kasaj”, ku kjo e fundit është rikonstruktuar në 2012.
Kalaja e Margëlliçit ndodhet në fshatin me të njëjtin emër. Kalaja i përket shek. VII dhe ka qenë pjesë e sistemit mbrojtës satelit të qytetit antik Bylis. Kodra e Margëlliçit plotësonte të gjitha kushtet për një vendbanim portourban të fortifikuar.
Muri i këtij objekti afron me imazhin e një katërkëndëshi në faqen e takimit me blloqe guri. Në këtë vendbanim ilir, krahas enëve janë gjetur edhe stoli, armë, vegla pune etj.
Një nga veprat më me vlerë të gjetura në rrënojat e kalasë ishte Terrakota e Afërditës, gjatë gërmimit të një banese.
Monedhat e gjetura në rrënojat e kalasë dëshmojnë gjithashtu mbi rëndësinë e saj si qendër prodhimi e këmbimi. Banorët zhvillonin tregti me Apoloninë, Dyrrahun, Bylisin, Argosin, Ambrakinë dhe me Maqedoninë.
Tuma e Patosit ndodhet në fshatin Rrerës të qytetit të Patosit. Kjo tumë është përdorur për varrime gjatë një periudhe që përfshinte fundin e epokës së bronzit dhe fazën e parë të epokës së hekurit (shek.VII p.K).
Janë zbuluar 76 varre, nga të cilat 62 i takojnë periudhës së bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm, ndërsa 14 i takojnë shekujve të parë para Krishtit dhe mesjetës së hershme. Gjatë gërmimeve është konstatuar se vendin kryesor e zënë prodhimet e qeramikës, objektet e zbukurimit, etj.
Ndërsa armët janë gjendur në një numër më të kufizuar. Tuma e Patosit dëshmon se territori rreth Apolonisë ka qenë i banuar dhe ka njohur një nivel të lartë zhvillimi para ardhjes së kolonëve në këtë qytet.
Kultura e Tumës së Patosit u zhvillua në kuadrin e përgjithshëm të kulturës së Ilirisë Jugore dhe i takon një etape të zhvilluar ekonomiko – shoqërore ilire, e cila i korrespondon etapës së dytë të formimit të etnosit ilir, që u bë bazë për kulturën qytetare ilire.
Monumentet e Kulturës
Novosela është lagje e Zharrzës. Në perëndim të rrugës automobilistike, në një sipërfaqe relativisht të madhe, gjendet qeramikë, blloqe gurësh dhe trakte muresh me blloqe guri. Pikërisht këtu kemi të bëjmë me stacion (Novo) të vijës Egnatia.
Belinë – aty do të njiheni me gjurmët e degës së vijës Egnatia.
Monumentet e Kultit
Kisha “Kryeëngjëlli Mihal”, ose siç njihet ndryshe Kisha e “Shën Mëhillit”, ndodhet në fshatin Dukas Breg. Kjo kishë daton në gjysmën e dytë të shek. XVIII. Në ikonostasin që ka pasur, studiuesi Theofan Popa ka gjetur një ikonë me mbishkrimin: “Lutje e shërbërtorit të Perëndisë Theodhor i (biri) i Kostës, prill 14-720-1777, që tregon se kisha ka qenë e ndërtuar midis periudhës 1732 – 1777. Kjo kishë është përdorur si kishë varrezash, pasi në truallin e saj ka pasur varreza.
Manastiri i “Shën Trifonit”.
Maozeleumi i “Shën Trifonit” ndodhet në Frashër të Zharrzës. Mbi të janë gjetur mbishkrime të gdhendura në gur (1804 – 1831), që mendohet se përkojnë më momentin e ndërtimit të tij. Maozeleumi i Shën Trifonit i është nënshtruar disa herë valëve të shkatërrimit natyror dhe njerëzor. Konakët e manastirit janë ndërtuar në vitin 1928, të cilat shërbenin si strehëz për njerëzit dhe në çdo 14 Korrik besimtarët festonin dhe luteshin për të korra të mbara dhe bukë të gëzuar.
Sheqishtë – vendi i kishave
Në Sheqishtë ekzistojnë dhe disa kisha me histori interesante, por nuk janë ruajtur për shkak të shkatërrimit nga luftërat dhe shkaqet natyrore.
- Kisha “Metamorfaza e Shpëtimtarit” ose kisha e “Shën Sotirit” – objekt kulti paleokristian;
- “Fjetja e Hyjlindesës Mari” – në ambientet e kësaj kishe u hap dhe shkolla e parë. Mësuesi i parë ka qenë Spiro Ferro nga Sheqishtja (psalti i Kishës), bashkë me ndihmën e klerikëve, Atë Kozma Tole dhe Atë Grigor Poshnjari. Kjo shkollë funksionoi deri në vitin 1941.
- Vendet e shenjta si: “Ana Shën Llukaj”, “Shën Argjenda”, “Shën Prokopi”, “Shën Filipi” dhe “Shën Joni” – janë objekte kulti paleokristian;
- “Shën Marku” – objekt kulti ortodoks.
Mekami i Drenies ndodhet në fshatin Drenie dhe është njohur ndryshe si Teqeja e Baba Rrapos. Ai është quajtur vendi i adhurimit dhe pelegrinazhit për besimtarët e trevës së Mallakastrës. Sipas gojëdhënave Baba Rrapo sakrifikoi veten për të shpëtuar banorët nga thatësira e madhe.
Monumentet e Natyrës
Ujëvarat në kanionin e Siqecës, ose në gjuhën popullore Shymele
Ujëvarat në kanionin e Siqecës ndodhen në pjesën veriore të Siqecës, fshati i përzgjedhur në projektin e “100 fshatrave turistikë”. Janë gjithsej katër ujëvara, me një distancë rreth 100 metra larg nga njëra – tjetra.
Lartësia e tyre varion 4-7 metra. Terreni i gjelbëruar dhe format arkitektonike të krijuara nga rrjedha e ujit ndër shekuj, u japin një pamje dhe bukuri magjepsëse.
Rreth viteve 820 p.K në njërën prej ujëvarave, në pjesën e sipërme të saj ndodhen rrënojat e një ngrehine të vjetër, e cila përdorej për ngjyrosjen e rrobave të leshta. Gjithashtu, në afërsi të ujëvarave, ekzistojnë gjurmë të një ujësjellësi të vjetër me gurë.
Rrapi i Zhugrit Ndodhet në qendër të fshatit Ruzhdie, rreth 420 metra mbi nivelin e detit. Ka një diametër prej 2.5 metra dhe mendohet të jetë mbi 300–400-vjeçar.
Në fshatin Drenie ekzistojnë shtëpi banimi mbi 100-vjeçare si dhe disa rrënoja të tyre që dëshmojnë për ekzistencën e një qytetërimi të hershëm.
Rrepet e Peshkëpiajve Janë tre rrepe me moshë 300–400-vjeçare, në fshatin Ofiçinë e Vjetër, vetëm 200 metra nga rruga e vjetër nacionale Fier – Ballsh. Diametri i tyre varion nga 2-3 metra dhe lartësia shkon në 25-30 metra. Sipas gojëdhënave, poshtë tokës ekziston një urë ku ka kaluar lumi Gjanica.
Punime artizanale
Disa nga llojet e punimit artizanal që mund të gjeni në zonën e Patosit janë:
-Gdhendje dhe punime në dru.
-Gdhendje dhe punimi në dru, stili modern.
-Kuti druri.
-Punime thurje.
-Bizhuteri.
-Kompozime dhe ide kreative.
-Punime me hekur.
-Punime me shtiza.
-Punime me grep.
Eventet, festivalet, festat lokale
“Patosi ’Fest” 23 Qershor
Është festa e qytetit të Patosit. Gjatë gjithë ditës organizohen aktivitete të shumta kulturore e sportive. Në mbrëmje, në një atmosferë festive, qytetarët shijojnë pije dhe produkte zgare në bulevardin kryesor të qytetit.
29 Shtator “Brez pas brezi myzeqar!”
Festa e Njësisë Zharrëz përkon me Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Organizimi i kësaj feste synon evidentimin dhe promovimin e vlerave shpirtërore, objekteve kulturore, historike, traditat, zakonet dhe prodhimet bujqësore e blegtorale të zonës.
Nëse vendosni të bëheni pjesë e kësaj feste do të shihni nga afër panairin e prodhimeve bujqësore e blegtorale, objekte të vjetra etnografike, do të njiheni me kuzhinën tradicionale të zonës, me punimet artizanale, biznesit vendas, ritet dhe zakonet.
20 Tetor “Sofra bujare” Festa e Njësisë Ruzhdie
“Sofra bujare” – Festa e Njësisë Ruzhdie përkon me sezonin e vjeljes së ullirit. Kjo festë organizohet për të promovuar turizmin në Siqecë, fshatin e përzgjedhur në projektin e “100 fshatrave turistikë” dhe vlerave shpirtërore, objektet kulturore, historike, traditat, zakonet, përfshirë edhe prodhimet bujqësore e blegtorale të së gjithë zonës. Do të ndiqni gjithashtu paradën e veshjeve popullore, këngët dhe vallet tradicionale të zonës.
Festivali “Street Art”
Elementet e traditës së qytetit të Patosit vijnë të realizuara me pikturat murale të dhjetëra artistëve nga mbarë bota, duke sjellë një ekuilibër midis mjedisit dhe industrisë së naftës.
Street Art-i i shndërroi objektet si vepra të vërteta arti. Street-artistët, në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Patosit, por edhe me disa bashki të tjera në vend, po ndryshojnë monotoninë e shumë ndërtesave dhe pallateve, duke u dhënë ngjyra e forma objekteve të ndryshme.
Disa prej artistëve të mëdhenj të street art, të cilët janë të njohur në të gjithë botën, lanë gjurmën e tyre në Bashkinë e Patosit, e cila krahas transformimit që pësuan këto hapësira urbane, është edhe burim atraksioni turistik për qytetarët nga brenda dhe jashtë vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.