Arratisja e fundvitit

18/12/2018 4:17 PM 0 komente

Në rajon për ski, në vendet ekzotike për pak diell, apo nën dritat shumëngjyrëshe të qendrave historike europiane, destinacionet e fundvitit janë të shumëllojshme. Dhe këtë vit ato janë më të lira, si rrjedhojë e uljes së tarifave (sidomos në Parisin e trazuar) por edhe zhvlerësimit të euros

 

Kush nuk i do udhëtimet? Në prag festash, ato bëhen zgjedhja ideale për të kaluar disa ditë me miqtë, familjarët apo partnerin. Alternativat turistike në shërbim të shqiptarëve janë duke u shtuar gjithnjë e më shumë dhe kjo ka nxitur prej disa vitesh gjetjen e ofertave, sipas buxhetit, për secilin udhëtar.

Menjëherë pas festave të nëntorit, madje ende pa përfunduar, agjencitë turistike në Tiranë thonë se u zgjua interesi për udhëtime për fundvit. Një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë rezervuar më herët për festat e fundvitit dhe kjo ka ndodhur, kryesisht për destinacione të largëta ose vetëm për bileta avionësh në udhëtime drejt familjarëve (pa hotele). Tani, në mes të dhjetorit të 2018, tre nga këto agjenci shprehen se, destinacionet për Krishtlindje dhe ato për Vitin e Ri, janë prenotuar më shumë se 70%.

Zgjedhjet flasin për të njëjtat tendenca si vitet e mëparshme: rajoni për ski, sërish rajoni për natën e ndërrimit të viteve e deri te destinacionet ekzotike, ku një përqindje e ulët u lejojnë vetes luksin e dy javëve të plota në një resort, madje për plazh.

Agjencitë turistike në Tiranë përmendin edhe një tjetër fenomen këtë vit. Me rritjen e përdorimit të teknologjisë, përqindja e udhëtarëve është më e vështirë të përllogaritet, duke marrë në konsideratë se një pjesë e mirë e tyre i presin biletat dhe hotelet vetë, jo më nëpërmjet një agjencie turistike. Kjo tregon se, pushimet janë shndërruar në motivin kryesor për të udhëtuar për shumë shqiptarë, që 8 vite më parë, me liberalizimin e vizave me BE-në.

Edhe këtë vit, në preferencat e shqiptarëve, mbizotëron rajoni: Mavrovë, Kolashin, Brezovicë me një paketë 4-5-ditore, të gjitha të përfshira, duke i shtuar edhe sportin e preferuar të skisë, që u mungon në atdhe. Nga ana tjetër, Budapesti tërheqës me çmimet e lira, Praga, Vjena, Beogradi, Stambolli, Roma, Venecia janë ndër zgjedhjet kryesore. Këtë vit, çmimet ishin të favorshme në Paris, një tjetër destinacion i lakmuar prej vitesh, por trazirat politike me protestat e ‘jelekëve të verdhë’ ndaj presidentit të Francës, i kanë bërë të stepen ndaj idesë për të udhëtuar në Francë.

 

Rajoni, zgjedhja më e lirë

Thuajse në të gjitha festat që shqiptarët kërkojnë të lëvizin jashtë, alternativa e parë që i vjen në mendje është rajoni. Arsyeja është çmimi, siç argumentojnë edhe agjencitë turistike. Me një avantazh të tillë dhe me organizime të mira për festa, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia por edhe Serbia kanë pasur rezervime të larta nga shqiptarët, për pushimet e fundvitit. Faktor kyç, sipas agjencive është afërsia, sidomos për familjet, edhe me fëmijë, që mund të zgjedhin të udhëtojnë me makinën e tyre drejt këtyre destinacioneve.

Infrastruktura e mirë dhe çmimi i leverdishëm e ka vendosur Malin e Zi dhe Maqedoninë, me resortet e tyre të skive, në listën kryesore. Edhe Brezovica ka qenë e kërkuar, por jo pak shqiptarë janë stepur nga ideja e pagesës së taksës së rrugës, sidomos nëse do të udhëtonin individualisht me makinat e tyre. Nga agjencia Union Travel thonë për “Monitor” se çmimi i lirë i josh shqiptarët jo vetëm për festat e fundvitit, por për të gjithë ditët e pushimit të tyre. Ata zgjedhin rajonin për darkën e ndërrimit të viteve, kryesisht në Budva apo Dubrovnik. Edhe Greqia mbetet pjesë e kërkesave, pohojnë agjencitë, por këtë vit kanë qenë më të dobëta.

Në fundvit, preferohen destinacione europiane, të konsideruara si tregje të mirëfillta të Krishtlindjeve, që sjellin frymën e festave më së miri dhe destinacione si Kroacia apo Greqia kanë pasur më pak rezervime ndryshe nga sezoni veror.

Nga agjencia Kalemi Travel and Tours pohojnë se udhëtimet me autobusë në rajon, sidomos Selaniku dhe Stambolli, vijojnë të jenë të preferuara, sepse ka çmim të leverdishëm dhe disa vende për të vizituar.
Ndërsa Matias Travel and Tours pohon se Budva preferohet shumë për fundvit, për të cilën pyesin: “Çfarë festë organizohet?” dhe më pas, për çmimin dhe hotelin. Sipas të gjithë agjencive të kontaktuara, çmimet në rajon variojnë nga 45 euro dy ditë deri në 150 euro maksimumi.

 

Krishtlindje dhe ski, sinonim i njohur

Mavrova, Kolashini dhe Brezovica janë tre destinacione, të cilat zgjidhen nga shqiptarët për festa. Po tre janë edhe arsyet: duan të bëjnë ski, infrastruktura e të cilëve nuk gjendet në Shqipëri; e dyta janë të lirë, ofertat janë joshëse dhe e treta, janë afër dhe shpenzohet pak ditë. Nga Hima Travel pohojnë se kjo tendencë duket edhe këtë vit, pasi kërkesat janë të shumta, kryesisht nga të rinjtë.

Drejtuesit e Union Travel pohojnë për “Monitor” se Kolashini ka marrë më tepër vëmendje këtë vit. Megjithatë, shtojnë ata, është ende herët për të dhënë një panoramë të qartë, prenotimet tani kanë nisur.
Ofertat turistike për destinacione për ski janë të tilla: 22, 23, 24, 29 dhjetor, 1, 2 janar, 2 ditë, 55 euro. Ndërsa Mavrovë 22, 23, 24, 29 dhjetor, 2 janar, 2 ditë, 40 euro.

 

Budapesti, “mbreti” i rezervimeve edhe këtë vit

Rezervimet për Budapestin kanë nisur javë më parë. Agjencitë pohojnë se, gjatë gjithë vitit ka qenë ndër destinacionet më të kërkuara, për shkak të një çmimi të leverdishëm. Rritja e kërkesave, sipas Union Travel, vjen për shkak të çmimeve më të favorshme të ofertave që po hidhen në treg.

“Ka një mori zgjedhjesh, për buxhete të ndryshme”- shprehen ata. Ajo për të cilën të gjithë agjencitë e kontaktuara pohojnë është “shpallja” e Budapestit si destinacioni numër 1 i kërkuar për festat e fundvitit, sidomos për Krishtlindje dhe ky është i dyti vit që merr këtë ‘titull’.

Përfaqësues të Union Travel thonë se kjo preferencë ka ardhur duke u ushqyer me kërkesa të pakta vitet e shkuara dhe këtë vit, është mjaft i kërkuar. “Kjo ndodh sepse Budapesti ka linjë direkte fluturimi dhe përveç kësaj, u ofron turistëve atmosferë të veçantë për festat e fundvitit”, – pohojnë nga Union Travel.

Paketat Turistike për në Budapest janë thuajse njësoj në të gjitha agjencitë, për 2-3 ditë, 110 euro mesatarisht për person, për datat afër Krishtlindjeve dhe pas tyre, çmimi është disi më i lartë. Ndërsa në janar dhe shkurt, çmimet bien sërish në nivelin e 90 euro për person, 3 ditë.

Nga Zenith Travel thonë se në festat e fundvitit, për destinacionet europiane parapëlqehen udhëtime direkte, pa tranzit dhe jo me autobus. “Udhëtimet me autobusi zgjidhen për rajonin e afërt, qytetet europiane më të kërkuara janë ato me linja direkte. Ndonjëherë shihet çmimi i favorshëm, ndonjëherë lehtësitë dhe çfarë ofrohet në tërësi. Ka zgjedhje për të gjithë”, – pohojnë ata.

Matias Travel and Tours tregon se janë të shumta edhe biletat e avionit të prenotuara për datat e fundvitit, pa zgjedhur ndonjë paketë turistike. “Pjesa më e madhe e tyre janë për në Itali dhe Gjermani, kërkohen kryesisht duke qenë se kanë familjarë në ato vende”.

Ndër alternativat e qyteteve europiane, agjencitë pohojnë se preferohen edhe turet kulturore, ndonëse më pak se sa në periudha të tjera të vitit, duke qenë se njerëzit kërkojnë të shkojnë diku dhe të festojnë. Megjithatë, për këtë kategori, paketat turistike janë zgjedhje jo luksi, kryesisht me autobus, ku mund të vizitohen disa qytete e të qëndroni disa ditë në Itali, Austri, Çeki e Gjermani.

 

 

“Kjo është një praktikë që vazhdon të mbetet në modë dhe tërheqëse edhe për europianët”, – tregojnë nga agjencia Bora Travel. Nëse preferenca juaj është Çekia, të gjitha agjencitë e ofrojnë si destinacion. Ata pohojnë se Praga, në fund të vitit, është një mrekulli më vete.

Udhëtimi është kryesisht me autobus dhe itinerari që ndiqet është: Tiranë – Split – Zagreb – Vjenë – Pragë – Budapest – Beograd – Prishtinë – Tiranë. Destinacione të tjera me autobus për Krishtlindje dhe Vit të Ri janë: Tiranë – Zagreb – Lubjanë – Mynih – Paris – Milano – Tiranë. Të tjera destinacione: Vjenë – Budapest – Beograd, 23 dhjetor, 5 ditë, 199 euro etj.
Fluturimet direkte si Vjena me 399 euro, 2-3 ditë, janë një tjetër alternativë e kërkuar nga portofoli i udhëtimeve europiane.

 

Darka gala e fundvitit

Stambolli, ndonëse është një ndër destinacionet më të kërkuara dhe të preferuara për shqiptarët, për të cilin agjencitë pohojnë se kërkohen edhe vende për t’u vizituar që përkojnë me skena telenovelash, për fundvit nuk përbën një atraksion. Agjencitë e shpjegojnë me faktin se për Krishtlindjet dhe Natën e Ndërrimit të Viteve, ka më tepër atmosferë në qytete europiane.

Turqia nuk i ka traditë këto dy festa. Megjithatë, agjencitë tregojnë se për të gjithë të interesuarit, Turqia sërish i ka rezervuar një hapësirë. Bëhet fjalë kryesisht për resortet turistike në Antalia, Alania etj., të cilët organizojnë “darkën gala të festës së fundvitit”, si përpjekje për të tërhequr klientë që kërkojnë luksin. Ofertat për destinacione të tilla janë me paketa që variojnë në 1200 euro çifti, në javë.

 

Destinacionet e “nxehta”

Në krye të prenotimeve është Dubai. Dikur, pohojnë agjencitë, ishte një nga destinacionet më të shtrenjta, por prej dy vitesh, çmimet kanë pësuar ulje të lehtë. Paketat për këtë destinacion variojnë: 949 euro, një javë, hotel me 5 yje; 999 euro për 8 ditë; ka edhe oferta 650 euro për 5 ditë. Të mos lëmë pa përmendur atë që ka tërhequr klientelën e re dhe të kamur vitet e fundit: Tajlanda. Ofertat për këtë destinacion gjenden në çdo agjenci, 8 net, 1120 euro/person, deri në 2000 euro/personi.

 

Koha më e përshtatshme për të rezervuar pushimet

Sipas TripAdvisor, koha më e mirë për të rezervuar pushimet, atëherë kur udhëtarët mund të gjejnë çmimet më të lira të hoteleve për fundin e dhjetorit, është fundi i nëntorit. Sipas saj, për një hotel në SHBA, udhëtarët që rezervojnë deri më 18 nëntor mund të kursejnë 18% në krahasim me pikun e Vitit të Ri. Gjithashtu udhëtarët që planifikojnë të qëndrojnë në një hotel në Europë mund të rezervojnë gjatë kësaj kohe për të kursyer 21% krahasuar me normat e kërkesave më të larta në këtë periudhë.

Edhe pse çmimet e fluturimeve ndryshojnë shpesh dhe varen nga destinacioni i nisjes, këtë vit, me pushimet e Krishtlindjeve, udhëtarët mund të kursejnë mesatarisht 14% duke fluturuar të hënën pasdite më 24 dhjetor, krahasuar me fluturimin një ditë më parë të dielën 23 dhjetor. Duke fluturuar në prag të Vitit të Ri (e diel, 30 dhjetor) udhëtarët do të kursejnë mesatarisht 15%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of