Nga fillimi i muajit shtator, kosovarët të cilët kanë punuar në Zvicër, do të mund t’i marrin pensionet e tyre, ndonëse ka 10 vjet që një e drejtë e tillë u është mohuar. Krejt kjo falë një marrëveshjeje të arritur ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Në një komunikatë të publikuar të hënën, Zyra Federale e Zvicrës për Sigurimet Shoqërore (BVS), ka deklaruar se që nga 1 shtatori 2019, fillon pagesa e pensioneve për shtetasit e Kosovës që kanë punuar në Zvicër.
Shtetasit e Kosovës, që nga data 1 shtator 2019, mund t`i marrin pensionet e moshës dhe trashëgimisë (AHV) si dhe ato të invaliditetit (IV), pa qenë të obliguar të jetojnë në Zvicër.
Këtë marrëveshje bilaterale Kosovë-Zvicër, para dy muajsh e ka ratifikuar edhe Parlamenti i Konfederatës helvetike.
Marrëveshja Kosovë-Zvicër, për nga përmbajtja është e ngjashme me ato të nënshkruara nga Konfederata zvicerane me të gjitha vendet tjera dhe mbështetet në standarde ndërkombëtare.
Megjithatë kjo marrëveshje nuk parasheh përfitime retroaktive, por vetëm nga data e hyrjes në fuqi të saj.
Kjo, për përfaqësuesit e këtyre pensionistëve që janë rreth 1 mijë, është diskriminuese.
Marrëveshja për Sigurimet Sociale me Zvicrën është në fazën përfundimtare, e cila është ratifikuar nga parlamentet e të dyja shteteve dhe sipas ministrit të Punës dhe Mirëqenës Sociale, Skënder Reçica, më 15 gusht do të finalizohen të gjitha punët teknike dhe do të publikohet një manual për këta përfitues.
Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenës Sociale ka thënë se kanë bërë përpjekje që të ketë edhe kompensim retroaktiv, por shteti zviceran nuk e ka pranuar një gjë të tillë.
Për marrëveshje të tilla, Kosova ka filluar procedurat edhe me disa shtete tjera, megjithatë ato ende nuk i kanë miratuar të njëjtat.
https://www.facebook.com/ambasadakosovesneberne/posts/1179920245524010
Në vazhdim është adresa ku mund të kontaktoni me e-mail, ose drejtpërdrejt me telefon, me personin përgjegjës për të dhënë shpjegimet e nevojshme, njofton Ambasada e Kosovës në Bernë përcjellë Klan Kosova.
Ndërsa më poshtë janë edhe vegëzat në tri gjuhë të komunikatës zyrtare për këtë vendim të publikuar nga Zyra Federale e Zvicrës për Sigurimet Shoqërore (BVS).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.