Mbretëria e Bashkuar ka nënshkruar një marrëveshje, për t’u bashkuar me një pakt tregtar me 11 vende të Azisë dhe Paqësorit, tre vjet pas largimit zyrtar nga Bashkimi Europian.
Bashkimi me grupin do të nxisë eksportet e Mbretërisë së Bashkuar, duke ulur tarifat për mallra të tilla si djathi, makinat, çokollata, makineritë, xhin dhe uiski, tha qeveria.
Megjithatë, vlerësimet e vetë qeverisë, tregojnë se të qenit pjese e bllokut do të rrisë vetëm 0.08% ekonominë e vendit.
Zona tregtare mbulon një treg prej rreth 500 milionë banorësh.
Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (The Comprehensive and Progressive Agreement for Trans-Pacific Partnership, CPTPP) u krijua në vitin 2018 dhe përfshin Australinë, Brunein, Kanadanë, Kilin, Japoninë, Malajzinë, Meksikën, Zelandën e Re, Perunë, Singaporin dhe Vietnamin.
Anëtarësimi në CPTPP heq kufizimet në tregtinë ndërmjet anëtarëve dhe ul tarifat – një formë takse kufitare – për mallrat.
Së bashku, 11 anëtarët përbëjnë rreth 13% të të ardhurave botërore dhe pas 21 muajsh negociatash, Britania e Madhe është bërë vendi i parë Europian, që bashkohet.
Qeveria tha se marrëveshja ishte “marrëveshja më e madhe tregtare e Mbretërisë së Bashkuar që nga Brexit”.
Megjithatë, përfitimet për MB-në nga anëtarësimi pritet të jenë modeste. Mbretëria e Bashkuar tashmë ka marrëveshje të tregtisë së lirë me të gjithë anëtarët, përveç Bruneit dhe Malajzisë, disa prej të cilave janë anuluar nga anëtarësimi i saj i mëparshëm në BE.
Edhe me disa fitime në tregti, qeveria vlerëson se do të shkaktojë një rritje prej 0.08% ekonomi, në 10 vjet. Zyra për Përgjegjësi Buxhetore (Office for Budget Responsibility, OBR), e cila ofron parashikime për qeverinë, ka thënë më parë se Brexit do të reduktonte rritjen e mundshme ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar me rreth 4% në afatgjatë.
‘Pozicioni kryesor’
Por kryeministri Rishi Sunak tha se marrëveshja demonstroi “përfitimet reale ekonomike të lirive tona pas Brexit”.
“Si pjesë e CPTPP, Britania e Madhe është tani në një pozicion kryesor në ekonominë globale, për të kapur mundësitë për vende të reja pune, rritje dhe inovacion,” tha ai.
“Bizneset britanike tani do të gëzojnë akses të pashembullt në tregjet e Europës e deri në Paqësorin Jugor.”
Sekretari i Biznesit dhe Tregtisë, Kemi Badenoch tha se marrëveshja ishte si “të blesh një start-up”.
“Kjo nuk është për të zëvendësuar tregtinë me BE-në, është si shtesë. Ne jemi ende në një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE,” tha ajo.
Zonja Badenoch mohoi se do të kishte ndonjë goditje në bujqësinë në Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se marrëveshja do të “krijonte tregje të reja” për fermerët.
Qeveria tha se “përfitimet” e tjera të të qenit në bllok përfshijnë, një nxitje për sektorin e shërbimeve, nga firmat në Mbretërinë e Bashkuar që nuk u kërkohet të krijojnë një zyrë lokale ose të jenë rezidente për të ofruar një shërbim, që do të thotë se ato do të jenë në të njëjtin nivel me firmat lokale.
Qeveria tha se ajo dhe anëtarët e CPTPP, do të kryenin hapat përfundimtarë ligjorë dhe administrativë, që kërkohen që Mbretëria e Bashkuar të nënshkruajë zyrtarisht në 2023. / BBC