Arrihet marrëveshja, zhbllokohen llogaritë e Telekomit të Kosovës

17/11/2020 10:33 AM 0 komente

Është arritur marrëveshja për zhbllokimin e llogarive të Telekomit. Llogaritë e tij prej disa ditësh ishin bllokuar. Z-Mobile ka bllokuar llogaritë dhe ka marrë mjetet që ishin aty, pasi ka fituar rastin në Arbitrazh.

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se i janë zhbllokuar llogaritë të cilat ishin bllokuar si pasojë e borxhit ndaj kompanisë së Blerim Devollit.

Me këtë marrëveshje, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disa-vjeçare, dhe nuk do të ketë më bllokim të llogarive nga përmbaruesit privatë.

Telekomi ka treguar se angazhimi i bordit dhe manaxhmentit për zhbllokimin e llogarive sot u kurorëzua me sukses.

Në njoftimin e Telekomit thuhet se “ashtu siç kemi paralajmëruar ditë më parë se do të ketë një takim mes Telekomit dhe Dardafon dhe Qeverisë ashtu edhe ndodhi dhe ky takim solli marrëveshjen me ndërmjetësim dhe garancinë edhe nga qeveria e vendit”.

“Kjo marrëveshje për shlyerjen e borxheve ndaj Dardafon garanton funksionimin normal të korporatës pa pasur brengën se llogaritë mund të bllokohen dhe zbrazen përsëri”, thuhet në njoftim.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje Telekomi obligohet që brenda 24 muajve duke filluar nga 15 janari i vitit 2021 të shlyej komplet borxhin ndaj Dardafon që është si rezultat i vendimit final të Gjykatës së Arbitrazhit dhe njohjes së këtij vendimi edhe nga gjykatat vendore.

“Pas kësaj marrëveshje bordi dhe menaxhmenti me përkrahjen e Qeverisë do të nisin implementimin e planit për rimëkëmbje të Telekomit ku brenda një afati tre vjeçar do të investohet në rrjet dhe çështje tjera me rëndësi të cilat ndikojnë në rritjen e vlerës së korporatës dhe stabilitetin financiar e teknik të kompanisë”, thuhet në njoftim.

Kjo është konfirmuar edhe  nga ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi përmes një njoftimi në Facebook.

“Sot kemi arritur me sukses të zhbllokojmë llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe është nënshkruar një marrëveshje me operatorin ekonomik Dardafone.net. Me këtë marrëveshje, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disa-vjeçare, dhe nuk do të ketë më bllokim të llogarive nga përmbaruesit privatë. Kjo marrëveshje për zhbllokim të llogarive do të përcillet edhe nga një Marrëveshje Mirëkuptimi për Subvencionim të Kushtëzuar për Investime në operacionet vitale mes Qeverisë së Kosovës dhe Telekomit”, ka thënë Kuçi.

Llogaritë e Telekomit janë bllokuar tash e sa ditë.

Z-Mobile kishte bllokuar llogaritë disa ditë më parë në emër të një borxhi që Telekomi ia ka në vlerë prej rreth 26 milionë eurosh, si pasojë e vendimit të Arbitrazhit. Me marrëveshjen e re, sipas Telekomit, borxhi do të shlyhet brenda 24 muajve, duke nisur nga janari i vitit 2021.

Punëtorët e Telekomit sot kanë protestuar për këtë dhe kanë paralajmëruar nisjen e grevës.

“Na lajmëruan se është arritur marrëveshja, por ne kemi nisur grevën”, ka thënë Lamih Balaj, kryesindikalisti i Telekomit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of