Flet Rrahman Kasa, Kryetar Unioni Turistik Shqiptar
Modeli turistik i Durrësit po rezulton i suksesshëm si efekt i turizmit të organizuar, ku një pjesë e mirë e strukturave prej vitesh lidhin kontrata me garanci. Kjo vjen edhe prej afërsisë me Aeroportin e Rinasit që e bën më të aksesueshëm këtë bregdet.
Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, shprehet se rritja e turizmit të organizuar ka bërë që strukturat akomoduese të bëjnë investime serioze, si dhe trajnime të vazhdueshme stafi.
Lidhur me Jugun, ai shprehet se potenciali është për një turizëm më elitar, por lejet e dhëna duhet të monitorohen që të shfrytëzojnë sic duhet bregdetin duke mos e dëmtuar atë, por edhe të jenë të menduara për akomodim turistik.
A ka sot Shqipëria një model të qartë të turizmit në vend apo jemi ende në një zhvillim të paorientuar?
Absolutisht që nuk kemi strategji. Edhe kjo që ishte, tashmë i ka mbaruar thuajse afati.
Ndaj turizmi që kemi tani është një turizëm jo i mirorientuar dhe pa politika largpamëse. Ndryshe nga vendet e tjera që turizmin e kanë përparësi, pasi kanë edhe të ardhura të mëdha në ekonomi nga ky sektor, Shqipëria e cilëson si prioritar në deklarata, por në realitet nuk i jep rëndësinë që i takon.
Ky sektor sjell në ekonomi mbi 2 miliardë euro të ardhura në këtë gjendje që është, pra pa orientim dhe mbështetje.
Pse po rezulton i suksesshëm modeli i Durrësit, i cili ka kaluar në disa faza, ku më parë nuk ka munguar braktisja dhe ndërtimi kaotik?
Bregdeti i Durrësit po rezulton i suksesshëm, sepse 70% e hoteleve operojnë me turizëm të organizuar që vjen përmes charter-ave, por edhe mënyrave të tjera të transportit. Avantazhi i Durrësit është fakti që ka Aeroportin e Tiranës afër.
Ndërkohë janë bërë edhe disa ndërhyrje që kanë rregulluar zonën e plazhit, duke ndryshuar disi pamjen kaotike. Në këtë zonë vijojnë ende ndërtime, por ne shpresojmë që ato të jenë të kontrolluara dhe të rregullojnë në tërësi zonën për të cilën interesi është në rritje.
Duhet thënë që një tjetër arsye pse modeli i Durrësit është i suksesshëm lidhet me strukturat e reja që kanë investuar shuma të konsiderueshme, duke rritur kapacitetin cilësor që ofrohet. Strukturat serioze janë angazhuar me trajnime stafi, si dhe konsolidimin e paketave që përfshijnë opsionet “të gjitha të përfshira”, apo “me mëngjes dhe darkë”.
Jugu është në fazën e ndërtimit. Nuk mungojnë edhe struktura akomoduese me kapacitet të lartë, por një pjesë e mirë janë projekte vilash. Si mund të zhvillohet modeli i Jugut në panoramën aktuale dhe cili duhet të jetë turizmi që duhet ta përkufizojë për specifikat që ka?
Jugu ka gjithsej 10 hotele të mira dhe këto sepse është destinacion i kërkuar, sidomos për shqiptarët për shkak të detit. Kanë çmime shumë të larta që krahasohen me Turqinë, Kroacinë e Greqinë dhe fushata që u bë me çmimet, ka përcjellë një imazh të keq, duke e identifikuar Jugun si të shtrenjtë, por në formë abuzive.
Në fakt nuk është kështu. Jugu ka mundësi akomodimi për të gjithë buxhetet, sipas asaj që ne konstatojmë. Kush zgjedh të shkojë në struktura luksoze, sigurisht që do përballet me çmime më të larta. Ne si vend kemi potencial të jashtëzakonshëm në raport me sipërfaqen që kemi.
Mund të gjenerohen të ardhura të mëdha, por shfrytëzojmë vetëm 20-25% të këtij potenciali. Imagjinoni që kjo të rritet në 50%. Ajo që kemi sugjeruar si Union është që në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, qeveria të mirëstudiojë dhe mirorientojë zhvillimin, duke pasur parasysh ecurinë aktuale të turizmit. Vetëm në Rinas me destinacion Durrësin vijnë në sezon 500 chartera dhe bëhet fjalë për turizëm të organizuar masiv.
Nëse flasim për këtë lloj masiviteti, në Jug nuk ka struktura. Ajo që shoh është se nuk ka pasur interes për të ndërtuar, sepse s’ka pasur zhvillim të organizuar të turizmit. Nëse do të kishte, besoj që investitorët do të ishin më të interesuar për të shkuar drejt ndërtimit për akomodim turistik.
Duhet të jepen leje për ata që duan të ndërtojnë hotele. Por ajo që i druhem është të mos jepen në mënyrë selektive, por sipas një plani. Nëse do të ndërtosh duhet t’i respektosh këto standarde dhe të shkohet drejt ndërtimit të një zone për turizëm elitar.
Veriu mbetet pak i mënjanuar në turizmin e detit dhe rërës. Ka një zhvillim standard, por jo domethënës. A ka potencial për rritje më të shpejtë dhe të ngjashme me Durrësin dhe çfarë mund të bëhet për ta mbështetur këtë model?
Veriu ka potencial të madh dhe më shumë për një turizëm masiv. Duhen politika orientuese dhe duhet përmirësuar infrastruktura për të nxitur këtë rajon që ka shumë potencial.
Nëse do të ketë një plan të qartë për ta zhvilluar siç duhet, mendoj se mund të përjetojë në pak vite një bum turistik.
Turizmi në vend është më shumë produkt i përpjekjes së sipërmarrjes sesa politikave. Si mund të arrihet zhvillimi i plotë i sektorit në potencialin që ka dhe cilat mund të jenë masat mbështetëse direkte dhe ato indirekte?
Së pari, qeveria duhet të programojë më shumë fonde për turizmin. Nëse ti merr 2 miliardë euro në ekonomi si kontribut i turizmit duhet patjetër që të shpërndash një përqindje të denjë për këtë sektor, në mënyrë që ta mbështetësh siç duhet.
Nëse flasim për rritje të numrit të turistëve të huaj, nëse mundësia e akomodimit do të jetë e mjaftueshme, duhet të nisë aplikimi i subvencioneve për operatorët që sjellin turistë të huaj. Kjo nxit këtë tendencë dhe e bën prurjen e turistëve gjithmonë e më cilësorë.
Në mjaft vende të zhvilluara, tur-operatorët shihen si asete, kurse te ne, nuk përfillen fare. Aplikimi i subvencioneve krijon mundësinë që gjithmonë e më shumë të afrohen tur-operatorë me peshë në tregun global që rrisin ndjeshëm numrin e turistëve, por edhe të ardhurave në ekonomi.
A është Shqipëria sot një markë? A kemi zbuluar tiparet tona më të mira për t’i marketuar dhe për të krijuar një identitet të qartë apo mbetemi ende një treg i pakonceptuar qartë për atë që ofrojmë?
Ne nuk kemi markë të konsoliduar, pasi nëse do ta kishim edhe marketimin, do ta kishim më të orientuar. Mendoj se ka nevojë për më shumë vëmendje në këtë aspekt. Kur flasim për Greqinë, për shembull, na vjen direkt në mendje Mikonos, që është modeli i turizmit me të ardhura të larta, por ama e dimë që Greqia nuk është vetëm ky ishull.
Shteti ka dhënë ndihmën e tij për të krijuar destinacione të vizituara nga njerëz të rëndësishëm me të ardhura të larta, ashtu sikurse ka politika të tjera për destinacione të tjera. Pikërisht këtë duhet të bëjë dhe Shqipëria që të promovojë destinacione, por edhe në tërësi të ndikojë te përmirësimi i imazhit të vendit.
E them këtë, pasi të huajt kanë perceptimin që ne jemi ende një vend problematik, ku mund të grabitesh, apo plagosesh. Ndërkohë që jemi një vend i sigurt dhe është dëm shumë i madh që i bëhet turizmit nga ky lloj paragjykimi.
LEXONI EDHE:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.