Flet Sabina Lalaj, përfaqësuese ligjore e Aquatiq
Pak muaj më parë, një kompani e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në datë 19 janar 2017 nën emrin Aquatiq, përfitoi statusin e Investitorit Strategjik për një projekt me vlerë investimi 5.1 milionë euro. Projekti i saj qendror është një fermë akuaponike, një sipërmarrje tërësisht inovatore dhe e pazbatuar ndonjëherë në Shqipëri.
Përfaqësuesja ligjore e kompanisë, Sabina Lalaj, në një intervistë për “Monitor” rendit arsyet se pse vendi ynë u zgjodh për një fermë akuaponike, të parën e kësaj natyre në Shqipëri dhe më e madhja në Europë.
Ferma pritet të hyjë në prodhim pas 15 muajsh dhe produktet që në fazën e parë do të jenë troftë e ylbertë, domate cherry (domate qershi), borzilok dhe sallatë, të destinuara për tregun europian përmes zinxhirëve më në zë të supermarketeve fillimisht në Austri dhe Gjermani.
Përtej skepticizmit që produktet shqiptare mund të hasin në tregjet europiane, studimi i kompanisë doli në përfundimin se ende ka nostalgjikë në këto tregje për prodhimet shqiptare të para ’90-s.
Aquatiq sapo ka marrë statusin e Investimit Strategjik për ndërtimin e një ferme akuaponike në Karavasta. A mund të na jepni disa detaje më shumë në lidhje me projektin?
Aquatiq lindi si një bashkëpunim i frytshëm i një rrjeti ndërkombëtar shoqërish austriako-gjermane, pasi u morën në analizë tregu, teknologjia, mjedisi dhe vendi ku do të krijohej dhe ushtronte aktivitetin kjo shoqëri. Aquatiq është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar dhe që funksionon në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi. Shoqëria është themeluar më datë 19.01.2017.
Aktiviteti i biznesit që synon të zhvillojë shoqëria është rritja e perimeve të ndryshme dhe të specieve ujore (peshq) në sistemin e akuaponisë. Fillimisht, gjithë prodhimi do të destinohet për tregjet europiane dhe me gjerë. Aquatiq mbështetet në partnerët e tij ndërkombëtarë përgjatë gjithë veprimtarisë dhe zinxhirit operativ të tij, në lidhje me knoë-hoë dhe futjen në treg.
Duke u mbështetur tek ndihma dhe përvoja e ofruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, Aquatiq ka si detyrë të vetme, implementimin e projektit në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Për të realizuar këtë, Aquatiq mbështetet në çdo hap të këtij projekti nga shoqëri të mirënjohura konsulente që kanë asistuar në themelimin e shoqërisë, përgatitjen e dokumentacionit ligjor dhe teknik dhe në çdo kërkesë tjetër që bëri të mundur marrjen e statusit të Investitorit Strategjik.
Ferma do të ndërtohet në fshatin Remas në Divjakë, në një sipërfaqe 1.3 hektarë me premisa për t’u zgjeruar në të ardhmen. AQUATIQ është ende në fillimet e një sfide të cilën dëshiron ta shndërrojë në një sukses dhe në një promocion të produkteve cilësore shqiptare në tregun ndërkombëtar.
Akuaponia ka ende një përhapje të ulët për shkak të formës inovative të prodhimit që përfaqëson, kostos së lartë të investimit dhe njohurive specifike që nuk kanë përhapje të gjerë (jo si bujqësia tradicionale). Pse vendosët të investoni në këtë projekt?
Partnerët e Aquatiq që ushtrojnë një veprimtari të ngjashme në Europe, e kanë gjetur këtë investim si një ide, vlera e së cilës do të rritet në të ardhmen. Nga parashikimet statistikore, rezulton se në 2050 popullsia në botë do të arrijë 10 miliardë banorë. Për të ushqyer këtë popullatë, planetit do t’i nevojitet dyfishi i sipërfaqes aktuale të tokës agrare prodhuese. Gjithashtu konsumin më të madh të ujit në botë e zë bujqësia me 70%. Problematikat më të mëdha që njerëzimi do të përballet në të ardhmen janë garantimi i ushqimit dhe ujit, ku kjo e dyta tanimë duket qartazi në horizont.
Akuaponia është një sistem që për të njëjtën sipërfaqe prodhimi, ofron 3-4 herë më shumë prodhim dhe kjo e pakushtëzuar nga kushtet klimatike dhe faktorët e jashtëm. Në këtë sistem, arrihet kursimi deri në 90% sasi ujë, si pasojë e riqarkullimit në një cikël të mbyllur.
Nisur nga sa më lart, ne besojmë fort se serat/fermat e bazuara në teknologjinë e akuaponisë janë zgjidhja e së ardhmes në bujqësi duke ruajtur qëndrueshmërinë mjedisore e në të njëjtën kohë dhe cilësinë premium të produkteve që prodhohen e do të qarkullojnë në tregje.
Çfarë teknologjie do të përfshijë ferma? Çfarë do të prodhojë dhe si është i zgjidhur gjithë cikli që nis nga uji tek peshqit, produktet, polenizimi përmes bletëve etj.)
Aquatiq aplikon teknologjinë AQUAPONIC (AQUAculture + hydroPONIC), për të përfituar produkte si perime dhe peshk në një sistem të mbyllur simbiotik, në sera. Akuaponia është një sistem që përdor deri në 90% më pak ujë krahasuar me serat tradicionale dhe për të njëjtën sipërfaqe arrihet 3-4 herë më shumë prodhim.
Gjithashtu do të ketë produkte të kultivuara bio-organike, nuk do të përdoren pesticide dhe plehra kimikë për rritjen e tyre. Për këtë arsye, qëllimi ynë është të shumëfishojë prodhimin duke ruajtur cilësinë e dëshiruar. Duke qenë se gjithë sistemi është një cikël i mbyllur që kërkon monitorim në kohë reale në tërësi, përveç përfitimeve që ofron kjo mënyrë kultivimi është më e kushtueshme krahasuar me fermat/serat tradicionale.
Pse u zgjodh Shqipëria për të investuar në këtë projekt? Çfarë i jep avantazh në raport me vende të tjera?
Kushtet klimatike të favorshme, pozicionimi gjeografik, krahu i punës me përvojë tradicionale në bujqësi, kosto relativisht të ulëta operimi dhe zhvillimi i bujqësisë si prioritet i qeverisë janë ndër arsyet pse zbatimi i këtij projekti u vendos të bëhej në tonë.
Veç kësaj, një arsye tejet e rëndësishme, ndoshta po aq e rëndësishme sa të gjithë të sipërpërmendurat së bashku, ishte dhe dëshira e ortakut shqiptar të shoqërisë për të investuar dhe për të ndërtuar diçka novatore në vendlindje.
A bëtë një studim paraprak për klimën e biznesit, sistemin e taksave dhe elemente të tjera para se të vendosnit për Shqipërinë?
Paraprakisht u bë një studim mbi sistemin e taksave dhe mundësitë që ofron Shqipëria për biznesin. Në sajë të këtij studimi u ndërmor nisma për të aplikuar për marrjen e statusit të Investitorit Strategjik. Veç kësaj, të gjithë personat e angazhuar në projekt janë optimistë se do të ketë reforma favorizuese për bujqësinë duke qenë se ky është një sektor që ofron punësim për një pjesë të madhe të popullsisë në Shqipërinë rurale.
Kur pritet të nisë ndërtimi i fermës, afati i punimeve dhe bërja e saj operacionale deri në daljen në treg të produkteve të para? Sa do të jetë volumi i prodhimit dhe çfarë do të prodhohet saktësisht?
Grupi i shoqërive, të cilit i përket kompania, ka nisur herët në 2015 me fazat paraprake studimore. Pas shumë studimeve dhe hulumtimeve në terren nisëm rrugën ligjore të implementimit të këtij projekti në Shqipëri. Në janar 2017 u themelua Aquatiq sh.p.k.
Bazuar tek Ligji Nr.55/2015 “Për investimet strategjike”, u gjykua e arsyeshme dhe e nevojshme për shoqërinë të aplikojë për marrjen e këtij statusi dhe të kërkohej mbështetja e vazhdueshme e AIDA-s (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve). Vlen të përmendim se ka qenë një bashkëpunim i gjatë, me plot vështirësi që dilnin gjatë procesit, por që me profesionalizëm dhe këmbëngulje nga të dyja palët, u bë e mundur marrja e Statusit të Investitorit Strategjik.
Ky status na jep mundësinë që procedurat për marrjen e lejeve dhe licencave të nevojshme të trajtohen me përparësi nga institucionet shtetërore përkatëse dhe me koordinimin e AIDA-s. Mbështetja në fjalë thjeshton disi rrugëtimin e shoqërisë dhe partnerëve të saj duke u fokusuar më tepër tek sfidat dhe përgjegjësitë që ka ky projekt.
Ndërtimi i seres kërkon 9 muaj kohë dhe në muajin e 15, ferma është tërësisht prodhuese. Bazuar në studimin e fizibilitetit, shoqëria do të prodhojë rreth 100 tonë troftë të ylbertë, 153 tonë domate cherry, 250 mijë tufa sallatë, 1.1 milionë minivazo borzilok në vit.
Cilat do të jenë tregjet ku do të eksportohen produktet, zinxhiri i supermarketeve partnere me të cilët keni kontrata dhe cili do ta bëjë certifikimin e produkteve përpara se të hyjnë në tregun europian?
Si fillim, tregjet tona janë ato europiane, kryesisht Austri dhe Gjermani. Supermarketet partnere janë rrjete ndërkombëtare të njohura, të cilët kanë përqafuar produktet që do të prodhohen nëpërmjet teknologjisë së akuaponisë nga kompania. Kjo sepse produktet plotësojnë gjithë standardet ushqimore të cilësisë. Gjithashtu janë në përputhje të plotë me politikat e tyre mjedisore dhe sociale.
Në lidhje me certifikimin, këtë pjesë Aquatiq ia ka besuar disa agjencive ndërkombëtare prestigjioze zvicerane. Një nga to, vlen të përmendim BIO SWISS.
Kostoja e projektit është llogaritur pak më shumë se 5 milionë euro. Referuar planit tuaj të biznesit, për sa kohë prisni që të keni një kthim të investimit?
Ne parashikojmë një kthim të investimit në një afat prej 5 vitesh. Në rastin më të mirë, kjo duke parë dhe trendet e çmimeve në rritje të produkteve organike dhe atyre të cilësisë premium, investimi i kryer mund të kthehet në 4 vite.
Ju synoni që në një fazë të dytë të zgjeroni këtë projekt në një sipërfaqe më të madhe dhe të prodhoni edhe për tregun shqiptar? A mendoni se ka treg në Shqipëri për këtë lloj produkti, që mund të rezultojë në kosto relativisht pak më të shtrenjtë?
Po, një fazë e dytë është një domosdoshmëri le të themi, sepse potenciali i tregut është i madh dhe kërkesa për këto produkte vjen gjithmonë në rritje. Një fazë e dytë ka nisur tashmë të mendohet nga ne, në mënyrë që të diversifikojmë dhe gamën e produkteve që do të prodhojmë.
Në Shqipëri ka një potencial të madh për këto produkte, kjo lidhur ngushtë dhe me turizmin. Duhet përmendur që këtu duhet edukuar tregu dhe konsumatori në lidhje me produktet, cilësinë, kontrollin e një seri aspektesh të tjera.
Siç vërehet ka nisur një ndërgjegjësim në lidhje me origjinën, cilësinë dhe certifikimet e produktit. Ky fakt e rikthen tregun shqiptar në një mundësi të mirë për t’u zgjeruar.
Të jemi realistë, po. Skepticizëm nga ana e kontrollit të sigurisë/cilësisë dhe logjistikës. Këto pika tashmë janë të qartësuara midis palëve duke pasur dhe një barrë jo të lehtë përgjegjësie. Përkrah skepticizmit nga hulumtimet që janë bërë së bashku me partnerët e huaj është vërejtur se ka ende konsumatorë europianë që kujtojnë produktet MADE IN ALBANIA të eksportuara para viteve ‘90.
Shqipëria njihet dhe si vend tradicionalisht bujqësor. Ky fakt, përveç rrjetit të marketingut dhe partneriteteve të ngushta ndërkombëtare, do të ndihmojë dhe më shumë në marketimin e produkteve “Made in Albania” të kompanisë në tregjet europiane dhe më tej në të ardhmen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.