Nga Fatos Fico
Një nga diskutimet filozofike, që fatkeqësisht bota mbarë nuk e merrte vesh nga Radio Tirana, si çdo diskurs tjetër filozofik në Shqipërinë e para viteve ‘90 ishte – a quhet radha e zënë natën në dyqanin e fruta-perimeve me një gur, e drejtë e patjetërsueshme, apo duhet vendosur një trastë ose rrjetë, meqenëse bëhet fjalë për blerje? Kishte plot raste kur dikush që shkonte në orën 4:00 të mëngjesit, shikonte 10 gurë të vendosur më parë, i hiqte, e i largonte, vendoste aty një rrjetë, e bëhej i pari.
Në fakt, një nga problemet e rrjetave kur e zije radhën shumë herët, ishte se ta merrnin nëse nuk ishe i pranishëm. Vërtet bosh e gjenin ata që e merrnin, po në fund të fundit, trasta trastë mbetet. Në fillim të viteve ’50, Enver Hoxha tregonte një histori se si kishte hedhur nga penxherja farën e misrit me rendiment të lartë, që vetë Stalini ia kishte dhënë për ta mbjellë në Shqipëri.
Madaleine Allbright, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, në librin e saj “Fashizmi, një paralajmërim”, tregon se në një takim me Kim-in e tretë, ai i tha se fajin për mungesën e ushqimeve (e qindra mijë të vdekur – sipas të huajve) dhe për urinë në Korenë e Veriut e kishte fara e misrit që ju dhanë rusët. Por uria nuk e pengoi regjimin e tij të bëjë prova bërthamore e të lëshojë raketa ndërkontinentale.
Fushat në Shqipëri u mbollën me 600 mijë bunkerë. Çdo familje mund të kishte një traktor, ose minimalisht 3 mijë kilometra autostradë në të gjithë vendin.
Duhet të jetë pjesë e librave shkollorë në arsimin e detyrueshëm, se pse Shqipëria, historikisht një ish-vend agrar gjysmë feudal, nuk ishte në gjendje të prodhonte ushqim të mjaftueshëm deri në vitet ‘90, edhe pse kishte kooperativa, pra ferma me sipërfaqe të mëdha, krahë pune pa fund, mekanikë, traktorë e kombajna, uzina fosfati e nitrati, agronomë e institute shkencore, plane pesëvjeçare e norma prashitje. Aq më tepër, sipërfaqet e reja të krijuara nga ish-kënetat, kanalet kulluese e vaditëse, plantacionet me fruta, teknologjitë e reja duhet të kishin bërë të mundur që prodhimi të prishej në dyqane e jo njerëzit të mbanin radhë?
Politikat bujqësore të BE
Sot një nga politikat më të mira të Bashkimit Europian është politika e përbashkët bujqësore – CAP. Ajo bën të mundur një ushqim me standarde sigurie, të përballueshëm në çmim dhe siguron mirëqenie e standarde jetese për fermerët. Qytetarët europianë përgjithësisht nuk punojnë e jetojnë vetëm që të ushqehen, shpenzimet për ushqim të standardeve nga më të larta në botë, kapin mesatarisht rreth 12-15% të të ardhurave të një familje.
Në Shqipëri, ato janë mesatarisht rreth 44% e të ardhurave të një familje. Çmimet e ushqimeve jo vetëm në terma krahasues për nivelin e të ardhurave, por edhe në terma absolutë, janë më lirë në Bashkimin Europian se sa në Shqipëri. Kështu, për mishin, qumështin, vezët, miellin, vajra, etj., vetëm në pikun e sezoneve të prodhimit të fushave, çmimet e produkteve janë më lirë në Shqipëri, por për periudha të shkurtra dhe ato nuk janë produkte bazë të dietës. Siguria ushqimore është në nivele të frikshme. Për një pjesë të madhe të popullsisë, të blesh ushqime në dyqane është si të blesh ilaçe nga sharlatanë, çmimet, shpresa që të paktën nuk të bëjnë keq, mosditja e përbërësve, mënyrës së prodhimit, origjina, skadenca.
Në hierarkinë e nevojave njerëzore, sipas Maslow ushqimi, nevoja për të, është baza e piramidës, pastaj vjen të qenët i sigurt. E treta nga radha është përkatësia, të ndihesh i vlerësuar, vjen e katërta. Në majë të piramidës është vetërealizimi, e pesta si shkallë, si p.sh., të qenët edhe poet, piktor, krijues ose çfarë e kishe ëndërruar veten më parë, të bëheshe p.sh. deputet e ligjvënës.
Si një lakmus apo litmus test, piramida e nevojave tregon ku jemi. Litmus test merr ngjyrë të kuqe kur lëngu që provohet është acid dhe blu kur ai është bazik apo alkalin. Acidi i baterive jep ngjyrën e kuqe të fortë, zhbllokues i lavamanëve ngjyrën blu të thellë. Uji i burimit është neutral, as acid, as bazik. Domatja, kafeja dhe limoni janë pak a shumë acidë, soda e bukës, sapunët, lëngjet larës, janë bazikë. Të gjithë dimë nga pak kimi, pse të gjithë jemi të dashuruar, me librin, me një njeri, me familjen, me gatimin, me kryetarin. Problemi është se jo të gjithë apo shumë shumë pak e dinë kiminë e tokës që jep domaten, kafenë, limonin, grurin, patatet.
Siç e pamë dimë mjaft kimi, shkenca, art, në përgjithësi këto nuk mungojnë në bagazhin tonë human e akademik. Kjo tregon që edhe ushqimi është futur në rrugën e zgjidhjes. Një sistem demokratik i zgjidh problemet me radhë nga poshtë lart. Në piramidën e nevojave tona, gjysma lart është e zgjidhur, mbeten themelet.
Themelet e ushqimit
Ushqimi ynë i përditshëm ka nevojë për themele. Ato mund të bëhen në dy mënyra, një mënyrë si në Bashkimin Europian është të ndërtojmë një sistem demokratik të bazuar te puna, kapitali, liria, drejtësia e investimet në njerëz e njohuri. Tregu funksionon, e aty ku nuk funksionon tregu, funksionon prapë tregu, që do të thotë që një pjesë të fitimeve nga industritë, shërbimet, sektorët me fitime, në mënyrë që këto të mbeten të qëndrueshme, duhen investuar dhe pse “pa fitim direkt” në bujqësi e zhvillim rural.
Kjo për të pasur ushqim të shëndetshëm, të sigurt e të përballueshëm për të gjithë, për një jetesë me mirëqenie për fermerët, për të mbrojtur natyrën e mjedisin dhe për të përballuar ndryshimet klimatike. Mënyra tjetër është që me ato para, me të cilat mund të bëjmë tregje për fermerët, për prodhimet e fermës, të përmirësojmë shpërndarjen e prodhimit – si më shumë rrugë, e lehtësi të tjera transporti, të organizojmë festa, panaire, e sidomos koncerte ku të gjithë bashkë në kor të këndojmë “ktheju tokës”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.