Artistja Najada Hamza thërret kodin e nderit dhe besnikërisë kalorësiake ndaj idealeve humaniste dhe ngjyrat gjallëruese për ta shndërruar artin e saj në një mbrojtës e shpëtimtar të mendjes në muzgun e një kohe të errët
Artistja Najada Hamza është një nga zërat më të rëndësishëm të artit bashkëkohor shqiptar. Lindur në 1966 në Tiranë, ajo, prej vitit 1988 e deri më sot, kontribuon si pedagoge në Universitetin e Arteve të Tiranës dhe mban titullin Profesor.
Pranë këtij Universiteti, ajo drejton Seksionin e Tekstilit dhe Modës. Najada Hamza konsiderohet një nga artistët, të cilët bënë të mundur tranzicionin e artit vizual shqiptar nga dogma e realizmit socialist drejt koncepteve bashkëkohore artistike.
Nëpërmjet ekspozitave vetjake dhe kolektive, workshop-eve, shkrimeve, jetës akademike, ajo arriti të krijojë një identitet artistik tejet elegant, ku shtresëzimet kulturore transmetojnë mesazhin universal të qenies njerëzore dhe marrëdhënies së tij me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Gjatë 35 viteve të aktivitetit të saj artistik, Najada Hamza ka marrë pjesë në një numër të madh ekspozitash kombëtare dhe ndërkombëtare, ku me ndërhyrjet e saj artistike nëpërmjet mediumeve të ndryshme ka arritur të konvertoje veprat e saj në historinë e subkoshiencës së çdokujt.
Vepra e saj është një dialog i vazhdueshëm, nga i cili dalin në pah ngjarje, përvoja e liri. Punimet e Najadës janë pjesë e rrëfimit të ndjenjave personale, një ditar i përvojave të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme, që shkëputen me vëmendje për t’u përkthyer në mediume pamore.
Gjuha e saj e rrëfimit është kolazhi, shtresëzimi konceptual dhe material i mbivendosjes dhe ndërthurjes së realiteteve dhe nocioneve të së shkuarës dhe së tashmes.
Ekspozita e saj më e fundit ishte në vjeshtën e vitit të kaluar në Galerinë FAB me titull “Because hope gives me strength I do not fear” (Frikë nuk kam, sepse fuqia më vjen nga shpresa), ku përmblidhen një cikël pikturash që shprehin një përjetim personal të artistes Najada Hamza gjatë periudhës së pandemisë.
Cikli i veprave ka për qëllim të tregojë, hap pas hapi, procesin e frikës dhe ngurtësimit mendor që shoqëroi vitin e fundit, kur mendja u kthye në rojën e trupit. Për këtë, ajo shfrytëzon fragmente armaturash mesjetare, helmeta e parzmore, të cilat i shërbejnë si një metaforë e mburojave mendore e fizike që gjithkush, anembanë globit, u detyrua t’u shtojë organeve jetike, për të ndalur depërtimin e virusit.
Najada zbërthen, nëpërmjet procesit të transpozimit, armaturën në pjesë të veçuara, të cilat dëftojnë përjetimin e saj: koka-helmetë e zbrazët dhe torsoparzmorja e një mendjeje të ngujuar në parashikime ogurzeza endet lart e poshtë nëpër skenarët e ditës.
Ashtu si gjithë trashëgimia artistike e Najadës, edhe ky cikël pikturash vjen si një palimpsest shtresëzimesh të shumta, të përbëra prej formimit artistik, referencave personale, kujtesës e përjetimeve, që marrin formë nëpërmjet materialeve të pikturës: kanavacës, ngjyrës e rezinës.
Ekspozita e ndarë në tri dhoma, fillonte me parzmoret mesjetare të vizualizuara mbi coha delikate dhe të ngopura me tisin e një nostalgjie të vlerave romantike, ku ngjyrat e pjekura bashkëbisedojnë, duke kontribuar në ndërtimin e një estetike, ku simetrithyesi artikulohet nëpërmjet ndërhyrjes transparente të rezinës.
Në dhomën qendrore, Najada na fton në universin kalorësiak të kodeve të nderit dhe besnikërisë ndaj idealeve humaniste, përmes profileve të helmetave mesjetare, ku teksti i mbivendoset veprës, duke u bërë një e tërë.
Dhoma e tretë na fut në botën e magjishme të motiveve floreale, ku duket se kalorësit mitikë të Kamelotit shijojnë nektarin që i ka dhuruar gjuetia e gjatë për Kupën e Gralit.
Në këtë dhomë, vizitori përjetoi spektaklin e koreografisë së të kuqeve, të cilat arrijnë të vibrojnë në lojën e tyre, duke evidentuar siluetat tejet elegante të botës floreale, të cilat na vijnë në dimensione ciklopike, ku të gjithë arrijmë të përjetojmë ndjesinë e Lizës në botën e çudirave.
Këto vepra u krijuan në harmoni të plotë me qëllimin universal të artit si shpëtimtar gjatë një viti të vështirë, për t’iu shpalosur publikut në muzgun e një kohe të errët, me një kremtim triumfues ngjyrash e drite nën frazën çliruese të helmetës “Because hope gives me strength I do not fear”.
Më shumë për rubrikën e Monitor, “Art dhe pikturë” gjeni në Link:
https://www.monitor.al/trupat-rrefimtare-te-eldon-luarasit/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.